Sonntag, 16. Februar 2014

Haxhi Muhaxheri - Gëzuar !

 
Nga Haxhi MUHAXHERI
  
K O S O V Ë, 
GËZUAR 6-VJETORI
I PAVARËSISË !

     Pikërisht para gjashtë vitesh, më 17 shkurt 2008, u realizua një pjesë e ëndrrës së kahmotshme të shqiptarëve, u shpall pavarësia e shtetit të dytë shqiptar – Kosovës. Sikundër qe shpallur më 28 nëntor 1912 pavarësia e përgjysmuar e Shqipërisë, edhe kësaj radhe mbetën jashtë kufijve të dy shteteve shqiptare shumë troje tona që padrejtësisht na jan marrur.Për këtë arsye, më të drejtë mund të themi se më krijimin e shtetit të Kosovës u realizua ëndrra jonë e pjesëshme për bërjën e Shqiprisë natyrale, bashkimin e të gjitha tokave shqiptare në një të vetmën SHQIPËRI. 

    Ndaj, së bashku më përgëzimin tonë për gjashtë vjetorin e shpalljës së pavarësisë së Kosovës, urojmë edhe realizimin e ëndrrës së vërtetë të shqiptarëve, bashkimin e të gjitha trojeve në një Shqipëri me një gjuhë dhe një flamur.
 
Gëzuar festa miq, gëzuar të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhën!   

Donnerstag, 13. Februar 2014

Haxhi Muhaxheri - Njëzetenjë poezi


01. LIRIKË ME PËRDHUNË

Të kujtohet ndajnata
kur në kryqëzim sysh
lexoja biografinë tënde
dhe fjalë e ndryrë në gojë
qëkurthi e ruajtur vetë për ty
që edhe sot mendoj...

se kurrë nuk ta thashë vetë
po zëri i brëndisë
ai zë që dëgjohet
vetëm në ligjerim zemrash

Të kujtohen fjalët tua të brishta
dhe bisedat e amullta
kur me plot mund
pushtoja foltoren e bindjes
dhe fillonte kënga e psherëtimave
kënga që aq shumë ia pate frikën
po edhe dashur e ke aq sa unë
dhe pas të gjithave më pate thënë
se tash ke gjetur
princin mbi kalë të bardhë
yllin e dashurisë

E unë tretësha në mendime
sa herë dëgjoja radion
të fliste për atdheun
për dhunën
që u bëhej vëllezërve të mi
dhe i mllefosur të pata pyetur
si të mendoja për yllkën e dashurisë
kur populli vuan për dritën e lirisë
të drejtën e harmonisë kozmike

Mars, 1991

 
02. LETËRKËMBIM

Mora letrën tënde shkruar me fjalë malli
fjalë zemre për mua yllin e dashurisë sate
dhe si i krisur zura të bisedoja
me fotografinë tënde vendosur mbi tavolinë
dhe mallkoja ditët që pa ty më gdhijnë

Mike
Të ne punët prapë nuk venë mirë
dorë e hekurt
pareshtur mbi kokat tona rëndon lëndon
ushtaret kthehen në arkivole përsëri
e ne presim Çmimin Nobel
për mendjen e durimit

Me vite prita të mësoja
e ende nuk e di
durimi është pjellë e vdekjës
a vdekja pjellë e tij

E di moj
do të thuash durimi ka kufij
po polemi di më mirë se ne të dy
a duhet flijuar a pritur për lirinë

Do më pyesje për ditën e gëzimit
e vështirë është pritja për ty
të bëj benë
nuk do të vonoj shumë
vadja e dasmës së madhe

Gusht, 1991

 
03. UJK MË ËSHTË BËRË VETJA

Përditë zgjohem me mendjen në ty
Shtegun mbuluar e ka bloza e dëshirës
Më përvlon malli
E veten ngushlloj me letra dashurie

Më kot mundohem të mësoj
Kobi je ti që më sillësh vërdallë
A fati im i çalë
Që më shpie drejt çmendisë
Lule ferri je a lule parajse
Bukuri vërbuese
A kumt orësh të liga
Lojtare netesh të humbura
A sëmundje që nuk shërohesh
Pjellë mortore a gjemb durimi
Çelës enigmash a neperkë syri
Si ta kuptoj moj
Më thuaj

Më shanë
Pse me emrin tënd
Pagëzoja yjtë lumenjtë përrallëzat
Pse...

Më qeshen
Për lutjet e mesnatës
E psherëtimat krismë qielli
Për ëndrrat e harlisura
E lotin e buzëqeshur
Për ditet që më iknin
Sy njerëzve të hekurt

Dhëmbet u ranë së qeshuri
E Peruni i Madh
Hiqte valle mbi kockat tona

Ti nuk erdhe e dashur
E në shpirt
Termete shkaktuar më ke

Ti duhej të vije
Bashkë me pranverën
Dhe këngët e të lashtave

Portë e hapur të pret
Dhe karafil i vyshkur
Ne dorën time

Eja e dashur
Eja
Ujk më është bërë vetja

Prishtine, 1995

 
04. URATË*

Zotynë
Pranoje Lutjen time
Diell të ketë
Në Mendjen e Durimit
Orëbardhat ta shpejtojnë
Ditën e gëzimit
Lulet e kësaj toke
Ilirisht
Uratë le ti këndojnë bashkimit

Nuse e Ujrave
Të na i gëzoj shtëpitë
Circe Jona
Të na i mbëltoj dashuritë
Ëndrrmirat
Të na i zgjedhin Fatitë
Këngët tona
Ti pushtojnë lartësitë
Amen

*Kjo poezi mori Çmimin e parë në „Takimet e Gjeçovit" në Zym të Kosovës,në vitin 1994

 
05. GJURMË

Me kohën në hapërim
për të lënë gjurme
në pemën e jetës

Grurisht
duhet kenduar diellit
e legjendave

Me fjalë ndërtoni
ura mbi brigje
ura dashurie

Rrefehuni
në gjuhen
e yjve të baladave

Për të dëshmuar
me emrin
ne gurin e varrit

RILINDJA, 10.11.1988

 
06. ATLANDIDA E RE

Urime Veneci
shekullin e dhjetë
mbi ujë
kujdes njëzetenjëshin
nuk u besohet më
pellumbave të bardhë
banorëve të parë
në Santa Maria Sallita
uji po han tokën tuaj
një ditë do ta përpijë
se bashku me 46 ishujt
dhe Urën e Psherëtimave
qe të krijohet Atlantidë e re
Veneci

1995

 
07. UNË DHE KËNGA*

Do të varrosemi
Kur të na lindin
Të vdekurit
Për të lindur
Kur të vdekurit
Të na varrosin

*Kjo poezi ka marrë çmimin e dytë në "Sofra poetike" në Drenas



08. KUR MË THOSHE

(Babait)

Më kujtohet kur me thoshe:
-Po s'e zure hapin me kohen,
i rënd do të shkoj moti!

-Më e mirë është një ditë sokol,
se një jetë gogol!

-Dielli huaj verbon,
e shpesh urrehemi nga dashuria!

Më kujtohet kur më thoshe:
-Po u mbështete në diell
s'kan ç'të bëjnë epidemitë!

Plaku im i urtë,
Ç'peshë të kishte fjala...

 
09. LALËS

Rudha e ballit
vrragë kohësh

Fjala
mbrumur motesh

Hapi i tij
shteg i ri

Unë
bimë e farës së tij

"Rilindj", 26.04 1987

 

10. GURRË E ZJARR

Dashur e kam qëmoti
kengen e diellit

Ëndërroja
dashuroja

Gurrë jete e gëzimi
vret macen e zezë mallkimi

Dashuria ime
gurrë e zjarr

"Rilindja", 1991

 
11. SHENJTOR I LETRAVE TONA

(At Gjeçovit)

Grurisht
Uratë u këndoje fateve të bardha

Përballë stuhish
Polemit i thurje legjendë

Gjeçov
O Ati ynë
Shenjtor i letrave tona
Venecia ende frymon

"Shkendija" Nr 44, fq.12, 1991

 
12. MOS

Mos e humb buzëqeshjën
Edhe para dallgëve

Mos i mallko yjet
Për brengat që ke

Mos e lerë të dashurin
Të çmendet në pritje

Mos e thurr këngën
Po nuk pati zë
Mes gurit e tokës

"Flaka e vellazërimit". E premte,15.11.1991 fq.11

 
13. PËR ATË FJALË

Për atë fjalë
Që peshon sa bota
Kurorëzoje buzëqeshjen
Me një puthje të ëndërrt
E prishi krejt nyjet

Udhës sate
Fat të ri lidh
Bulëzim dashurishë

Thëllënze moj
E bukura e dheut

"Flaka e vellazërimit". E premte,15.11.1991 fq.11

 
14. POETI

Fle me të gjitha të dashurat
Dhe zgjohet bashkë me dritën
Për ta zën frymëzimin e parë

Merr Udhën e Qumshtit
gjuhën e yjve mëson

Për vrimë të gjilpërës
Përbiron detin
Në kërkim
Të fjalës së pa thënë

Një këngë e re po vjen

 
15. PSE VDIÇ POETI

Çdo fjale
vargu a poezie
shpirt i dha nga vetja

Ndaj
Mos pysni
pse vdiç poeti

 
16. KOSOVËS

Emrin lakuar ta kanë ndër shekuj
Pritë të zinin keqas djalli e i biri
Po ti stuhive u bëje ball
Me lutjen për të madhin
Për atë bimë dardane
Këngën e mortit ktheve në këngë lavdie
Kosova ime diell (i)lirie

Austri, 2012

 
17. ÇAMËRIA

Çamëria
Lumë i Loteve që nuk shteron
Malli i të dëbuarve që përvelon
Kënga e Shpresës që gjallëron

Çamëria
Është ora e lutjeve që nuk mbaron

Çamëria
Është ëndrra jonë e përnatshme
Amaneti i shenjtë i etërve
Emblema e krenarisë së emrit

Çamëria
Është damari i ngushtuar i atdheut

Çameria
Është tregimi për barbarinë
Plaga ime e pashëruar
Libri i papërfunduar i historisë

Çamëria
Është kodi i pazbërthyer i perëndisë

29.04.2013

 
18. ZGJOHU POET

Nuk jam engjull
Në tempullin e durimit
As memec i përgjumur

Zotin mallkoj
Që as kokën ktheu
Kur Ti Kosovës ia lidhje plagët

Zgjohu poet
Se atdheu
I tkurrur ka mbetur

Zgjohu ore burr i dheut
E zhvishi
Të gjitha marrëzitë e kësaj bote

Europa prapë fle
E djalli lirshëm bën orgji
Mbi kockat tona

Zgjohu për Tokën Dardane
Për „gjakun që nuk falet“
Për nder të plisit

Zgjohu
E ti zëmë pusi të keqës
Se koha nuk pret

 
19. LUMENJTË E ZEMRËS

Ditët rendin mbi njëra tjetrën
E dashuria më përvelon
Fjalë e pathënë keqas më tretet
Edhe pse në shpirt ngahera më vlon

Mendjen ma lexon moj lehtas si në përrallë
E mallin e fshehur heshtja jote e kall
Një frymëzim i dehur seç më rrjedhë damarëve
E lumenjtë e zemrës ndizën flakë

Kur një ditë prapë bashkë të jemi
Diellin vjedhurazi do e fus në gji
Vargjet në letër do të përligjen
Në këngën qëkurthi filluar për ty

 
20. LEGJENDA PËR DASHURINË

Në malin e harrimit
Ndrit një yll
Që shëron
Plaget e shpirtit

Në thellësinë e zemrës
Mbin një trëndafil
Rreze e fshehur për ty
Në rrugët

Që humbur i kemi
Shkruhen
Legjenda për dashurinë

 
21. YJET DO NA KENË ZILI

Edhe pse udhët na janë ndarë
Ne bashkë jemi
E dashur

Frymojmë nën të njëtin qiell
I njëjti diell na ngrohë
Moj

Në ëndrra shpesh takohemi
E dashurisë
I japim shpirt

Orët po luten për ne
Të gjitha nyjet
Do të zgjidhen

Prapë kemi për të lozur
Vallën e Psherëtimave
E yjet do na kenë zili