Mittwoch, 19. November 2014

Koalicioni i turpit, fundi i marrëzisë politike në LDK !

Nga Florim ZEQA

Që nga shkuarja në amshim e presidentit historik Ibrahim Rugova, lajmi i mbrëmshëm për lidhjen e koalicionit (kurorës) së turpit mes LDK-së dhe PDK-së, për shumicën e qytetarëve të Kosovës, ishte lajmi më i keq dhe më tronditës, lajm i kobshëm dhe tepër i dhimbshëm për elektoratin rugovian.
Derisa spikerja e RTK-së komunikonte lajmin për arritjen e marrveshjës së turpit të LDK-së, kujtesa historike më ktheu në ditët më të rënda për Kosovën, të ditëve të zizë kombëtare, të vargjeve të pafundme të qytetarëve që i bënin nderimet e fundit liderit shpirtëror të tyre, arkitektit të shtetit tonë,...kur papritmas një gazetar i televizionit publik, i drejtohet një plaku dhe e pyet si e ndjenë humbjen e Rugovës,...plaku i shtyrë në moshë, nga dhimbja e madhe shpirtërore me dënesje mezi i përgjigjet gazetarit; "vdiq Rugova, vdiq Kosova..." !
Përderisa thyerja e bllokut paszgjedhor ju dha fund iluzioneve për ndryshime, bërja e koalicionit të turpit ju dha fund shpresave për jetë dhe ekzistencë në truallin e vet stërgjyshor qindramijëra qytetarëve të vendit tonë.
Lidhja e kurorës mes dy partive të mëdha në vend, jo vetëm që është dhunim i demokracisë, është vrasje e ardhmërisë së shumë gjeneratave në vendin tonë.
Mbledhja e KP të LDK-së, dëshmojë në mënyrën më të keqe të mundshme dhunimin e demokracisë, dhunimin e lirisë së shprehjës dhe formën ekstreme të shantazhit politik.
Elektorati rugovian, aktivistët dhe veprimtarët të LDK-së gjithandej Kosovës dhe në Diasporë, me kërkesat e tyre për mosbashkqeverisje me PDK-në, sikur i dhanë "homazhet" e fundit kësaj klase të papërgjegjshme politike të LDK-së,...për të hapur një kapitull të një levizjeje të re politike mbrenda kësaj partie.
Mesazhe të pafundme pakënaqësie të elektoratit dhe aktivistëve vijnë nga të gjitha anët; dikush paralajmëron largimin nga partia, dikush tjerër mosvotimin për këtë klasë politike, sa të tjerë largimin përgjithmonë nga vendi i tyre.
"Që sa vite, unë me familjarët e mi në çdo proces zgjedhor LDK-së i kam sjellur së paku 50 vota, tani e tutje nuk do të votojmë më", ishte ky rrëfimi i një aktivisti besnik të kësaj partie, një tjetër aktivist shkyen librezën partiake dhe deklaron largimin nga partia, një analist i spikatur paralajmëron largimin nga vendi i mallkuar,...këto janë reagimet e para të shprehjes së pakënaqësisë ndaj veprimeve të fundit partiake.
Marrëzia politike e drejtuesve të këtij subjekti politik, nuk është që ndodhi dje, ajo ka filluar nga përpilimi i listave për deputet, me lënjën anash të figurave markante të partisë, të aktivistëve dhe veprimtarëve më të devotshëm të saj,...e cila u kthye si bumerang në rezultatin zgjedhor.
Si çdo garë tjetër, edhe gara zgjedhore i ka rregullat e lojës, dikë e nxjerrë fitues e dikë tjetër humbës. Mospërfillja e rezultatit zgjedhor dhe tëndenza për të kthyer humbjën në fitore nga ana e liderit të LDK-së, vendit i shkaktoj bllokadën më të gjatë politike në këto 15 vitet e fundit.
Mbajtja e vendit peng për gjashtë muaj rresht, nën mashtrimin e popullatës për ndryshime pozitive, dhe loja e pandershme politike me tri subjktet tjera (AAK, NISMA dhe VV) nën "petkun" e bllokut, është më tepër se dyfytyrësi politike !
Për këto veprime të papërgjegjshme të liderit per te mbrojtur interesat e veta dhe një grupi të vogël njerëzish mbrenda partisë per të cilët fjala dinjitet dhe krenari mbetët vetëm shprehje hipokrizie.
Nga ky veprim më tepër se antarësia e subjekteve të sipërpërnedura të ish bllokut paszgjedhor, ndihet e fyer antarësia e gjerë e LDK-së.
Kjo nuk është fytyra e LDK-së, është e kësaj klase të papërgjegjshme politike, e përfituesve dhe shpërdoruesve të frymës rugoviane në LDK. Kështu dijnë të veprojnë vetëm frikacakët, të pabesët, të padinjitetshmit, të pakurrizorët e të pamoralëshmit politik.
Kjo çfarë ndodhi dje në KP të LDK-së është për të ardhur keq, lavdi atyre (5-6 vetave) që kundërshtuan të keqën (sakrikifikuan vetën) për të mirën e përgjithshme.
Të tjerët do të "sajgisën" (shpërblehën) me poste ministrore, zv. minnistra, përderisa të tjerët turpërsiht do të mbetën deputet të dëgjueshëm në parlament.
Më tepër se kjo, ditëve të fundit më befasoj heshtja e disa analistëve, gazetarëve,...nuk e di, ndoshta nga dëshira për të mos prishur balancin shkatrrimtar në LDK, nga frika se mos po ju hidhërohet lideri i partisë,...gjë e cila do t'i lente pa hise në fund të kësaj katrahure politike.
Pavarësisht kësaj, nata e mbrëmshme do të shënojë një kthesë epokale në LDK, do të ndodhë mobilizimi i të gjitha forcave progresive, me bashkimin e të gjitha gjeneratave të veprimtarëve dhe aktivistëve në një organizim paralel politik mbrenda LDK-së, do të unifikohet i gjithë elektoratin rugovian i kësaj partie, për t'ju dhënë goditjën përfundimtare grupeve të intersit dhe klaneve që shkaktuan marrëzinë politike në vend.

Freitag, 14. November 2014

Rrëfimi i njeriut që u përball me armikun

Flet invalidi dhe veterani i UҪK-së, Shefki Terziu.

Nga Rrahim Sadiku

Jam i lindur në Sllatinë të Kaҫanikut, më 27.9.1967, në familje me traditë patriotike. Gjyshi im, Sahit Terziu, ishte kyҫur në luftën kombëtare që nga koha e pushtimit serb dhe pasi u ripushtua Kosova, në fund të vitit 1944, e vazhdoi qëndresën në male e më vonë mërgoi në Amerikë, por pa iu ndarë as edhe një herë përkushtimit të tij atdhetar. Ai dhe vepra e shokëve të tij ishte frymëzuese për ne e për gjithë gjeneratat përparimtare të rinisë kosovare. Ky frymëzim bëri që populli ynë të ngrihej në demonstrime e në qëndresë të vazhdueshme, duke treguar kështu se nuk pajtohej e nuk do të pajtohej kurrë me robërinë e vendit. Andaj, fillimi i luftës së armatosur nga UҪK-ja ishte grishje e fortë për gjithë popullin, po sidomos për atë rini liridashëse e përparimtare, që po edukohej e kalitej në frymë plotësisht atdhetare. Që nga krismat e para të luftës së armatosur e deri në daljen e hapur të UҪK-së, radhët e luftëtarëve të lirisë shtoheshin në heshtje dhe luftimet ishin të shumtën guerile, po që shpeshtoheshin nga dita në ditë, derisa erdhi koha e luftimeve frontale, sepse u krijuan kompani, batalione e brigade, që u bënë garanci e ardhjes së lirisë që e kemi dashur, për të cilën kemi luftuar e kemi sakrifikuar dhe e kemi pritur me shekuj.

Unë jam kyҫur në radhët e UҪK-së më 1 tetor 1998 dhe kam marrë pjesë në të gjitha fazat e organizimit të saj në Kaҫanik e rrethinë. Njëkohësisht, në radhët e ushtarëve të lirisë janë rreshtuar edhe motra e vëllai im. Në fillim të angazhimeve të mia për UҪK-në kam marrë pjesë në bartjen e armatimeve, të barërave e të paisjeve për mjekësi dhe kështu vumë themelin për spitalin e Brigadës sonë. Mandej jam angazhuar në vrojtime të terrenit, në bartjen e të sëmurëve e të plagosurëve, në sigurimin e populates, po shpesh kam patur detyrv të shoqëroj personalitete të luftës e me detyra të tjera, gjatë rrugëtimeve të tyre për përhapjen e ideve të luftës sonë e të ndërkombëtarizimit të saj. Shpesh jam angazhuar edhe për të siguruar ushqime që duheshin për luftëtarët, për të krijuar kushte strehimi e kam kryer edhe punë të tjera që më janë ngarkuar nga eprorët e mi. I bëja të gjitha këto me vullnetin më të madh, sepse kështu vëja në vend amanetin e të parëve të mi, siguroja rrugë ardhmërie dhe ndihmoja që të ishte më e vogël mundësia e represaljeve dhe e hakmarrjeve të armikut. Kam marrë pjesë edhe në radhët e ushtarëve të UҪK-së në Jezerc, ku edhe në një rast jam plagosur lehtë.

Jam plagosur në ofenzivën serbe të 8 marsit, e cila ishte drejtuar kundër forcave të UҪK-së, që atë kohë ishin koncentruar në fshatin Ivajë. Ishte ajo mësymje e ushtrisë armike, me disa repartee e me të gjitha mjetet e mundshme, duke synuar asgjësimin e ushtrisë sonë. Që nga mëngjesi nisi rezistenca jonë e vendosur kundër armikut, që kishte në disponim armatimet më të rënda, po vullneti dhe vendosmëria jonë ishte më të mëdha. Jam plagosur diku rreth mesditës dhe kisha gjakderdhje të madhe. Duke e parë se po më rrezikohej jeta, erdhi Nexhmedin Luta dhe si mundi ma ndali gjaderdhjen dhe ashtu mbeta deri rreth ores tetë të mbrëmjes, kur Nexhmedini dhe vëllai im më dërguan në Kotlinë, ku ishte spitali ushtarak dhe Dr. Fadil Gashi, i cili gjatë ditës kishte qenë duke u kujdesur për të plagosurit në Puset e Nikës e në vendluftime të tjera, më pastroi plagën, vendosi si duhet pjesët e dëmtuara dhe më vuri mbajtëse për krahun, që të mos dëmtohesha më shumë. Mandej atë e thirrën se kishin nevojë mjekimi të sëmurë të tjerë dhe unë mbeta me villain tim,Sabriun.

Po bëhej ftohtë dhe jemi lëshuar te shtëpitë e Ivajës, ku kemi qëndruar deri në mëngjes. Mandej kemi shkuar në Sllatinë, ku ka ardhur e më ka mjekuar Dr. Xheladin Reҫica, por ai më këshilloi të shkoja, si të mundesha, në fshatin Sherret, afër Ferizajt, pasi atje do ta kishte më të lehtë të më vizitonte e të kujdesej për plagën time. Kam shkuar në Sherret më 12 mars dhe jam vendosur te Nexhmedin Haliti,ku më ka dhënë ndihmë Milaim Avdyli, e pas tij ka ardhur edhe Basri Bislim, I cili më ka vënë gips për mbajtjen e krahut. Pas një kohe kam dalë në Tetovë, ku jam shtruar në spital dhe atje, deri sa më është mbyllur plaga e më janë ngjitur eshtrat, për mua është kujdesur Dr. Rrahim Thaҫi. Në shtëpi jam kthyer më 13 qershor 1999.

Kur flasin plagët e lirisë

Tregim i Jashar Selimit, invalid i UÇK-së, nga Kaçaniku i Vjetër

Nga Rahim Sadiku

Jam plagosur më 9 prill 1999, gjatë Ofansivës së furishme që ndërmorri armiku për të shkatërrruar qëndresën e UÇK-së që po zhvillohej në fshatin Nikaj, po edhe në mbarë Rrethinën e Kaçanikut.

Atë ditë jemi ngritur në orën katër të mëngjesit dhe kemi kryer obligimet e përditshme ushtarake. Posa kaloi ora pesë, u dëgjuan të shtëna të shumta. Krismat e armëve që filluan të jehonin në Kaçanik dhe më vonë mësuam se po bëheshin sulme tek Përroni i Rakocit dhe në Lagjen e Re. Vëzhguesit tanë lajmëruan se kishte koncentrim të madh të forcave armike kudo rreth e rrotull nesh dhe se ishte e mundshme të kishim sulm edhe mbi pozicionet tona. Të gjithë dolëm nëpër pozicione, të cilat stë kohë shtriheshin nga Dubrava e deri në Kamenicë, afër rrugës Ferizaj – Shkup. Lëvizje të automjeteve të blinduara armike kishte shumë dhe ishte e vështirë ta dije se ku e kishin ndërmend të vërsulshin ato. Kah ora 11.30 rojet na lajmëruan se drejt nesh ishte nisur një konvoj i përbërë prej dy autoblindave, dy pragave, një kamioni të mbuhsur ushtarë, 2 picgauaer dhe dy xhipa. Ato automjete po vinin drejt nesh dhe ishte rrezik të zinin të gjallë civilët që ishin të strehuar në tenda diku mbi pozicionet që kishim. Për të mos nodhur kjo, vendosëm që ne të nisnim sulmin mbi forcat armike e t’i befasonim. Dhe ashtu vepruam. Shtimë kundër atyre automjeteve me të gjitha armët që kishim dhe ato ndalaun në vend. Nisi kështu një luftë e pabarabartë, shikuar nga aspekti i arsenalit të armëve që kishte armiku, po shumë trimërore nga ana jonë, sepse serbët e humbën busollën dhe një kohë mbetën në vend. Mandej i aktivizuan armatimet që kishin dhe nisën granatim të fuqishëm kundër nesh. Luftimet zgjatëm rreth një orë e gjysmë, kur artileria armike nisi gjuajtje më precize dhe granatat e tyre nisën të binin nëpër pozicionet tona. Në një pozicion me mua ishin Nexhat Guri, dëshmori Qemal Guri dhe Shefki Guri. Po përpiqeshim të ndërronim pozicion dhe të jepnim goditje të reja për armikun, kur një granatë pëlciti mu pranë nesh dhe hetova se Shefkiut po i shkonte gjaku rrëke. U nisa ta ndihmoja, kur e pashë se dora nuk po më bindej. E futa dorën tjetër nën pallto për të parë se çka kishte ndodhur, kur ajo u mbush me gjak. E hetova se isha plagosur edhe unë, prandaj vendosëm të tërhiqeshim menjëherë. Jemi tërhequr në livadhet mbi fshat, ku kemi pushuar pak. Tej dëgjoheshin të shtëna. Mandej kemi shkuar më tutje e ka ardhur Imri Palloshi e na ka tërhequr me një makinë “Lada” dhe na ka dërguar në spitalin e improvizuar në Lagjen e Dullovëve në Biçec, ku mjeku Ekrem Dullovi dhe ndihmësi i tij, Hamdi Dullovi, na i kanë pastruar plagët, na i kanë lidhur e kanë filluar të na jepnin terapitë e nevojshme, por nuk kanë arritur ta bënin këtë, pasi mbi ne kanë rënë breshëri plumbash të snaiperistëve serbë dhe jemi detyruar të tërhiqeshim drejt kodrinave mbi fshatin Biwec, ku mora infuzionin që ma vuri Hamdiu dhe mandej vazhduam nga Përroni i Palloshëve të Epërmë, ku ishin tendat e civilëve. Aty kemi qëndruar katër orë e mandej kam më kanë tërhequr te Shtabi i Brigadës, të cilin e patëm pagëzuar “Rambuje” në Bob, ku kam qëndruar tri ditë dhe ku për mua janë kujdesur mjekët Bejtush Jaha, Nejazi Luma e të tjerë.
Nuk mund të mos e përmend sakrificën që ka bërë për mua Nexhat Guri, i cili edhe pse i shkurtër me trup, më ka tërhequr mbi 100 metra, përmes plumbave e nëpër gardhiqe e tela me gjemba dhe më ka shpëtuar nga më e keqja.


Nga Rambujeja më kanë marrë ushtarët e UÇK-së dhe më kanë nxjerrë në Tetovë, ku atë kohë një shtëpi trekatëshe ishte shndërruar në spital për të plagosurit nga Kosova, kryesisht ushtarë. Aty më kanë pritur me një përzemërsi e kujdes që nuk mund të harrohet, sidomos i paharrueshëm do t’më mbetet kujdesi i mjekut Xheladin Elezi, i cili më ka kontrolluar menjëherë dhe më kaq etësuar dhembjet. Mandej më ka thënë se duhet të bëjë fotografgime rëntgeni, sepse kishte mundësi t’i kisha të prekura organet e frymëmarrjes. Fotografimi tregoi se mjeku kishte pasur të drejtë dhe më thanë se patjetër duhej të shtriohesha në spital. Më dërguan atje, duke thënë se isha një i plagosur i rastit në Kosovë, por mjekët maqedonas kishin dyshiar që isha ushtar i UÇK-së dhe të nesërmën më mori në pyetje policia maqedonase, po pasi edhe unë pohova atë që kishin thënë ata që më kishin sjellë aty, nuk më nxorën nga spitali, po më bënë një dokukent identifikimi dhe ai më mundësoi që të qëndroja tri javë të plota në spital, ku kujdesi i dr. Xheladinit ishte i vazhdueshëm. Mandej, pasi isha forcuar, më nxorrën në një shtëpi private, duke më dhënë udhëzim që të paraqitesha çdo javë në spital për t’u kontrolluar. Dhe, shpëtova nga më e keqja...

Nuk mund pa falënderuar me këtë rast edhe mjekun Fadil Gashi, i cili për mua dhe shokët e mi është kujdesuar sa herë kishim ftohje e probleme të tjera shëndetësore, para se të plagosesha e më vonë.

Tashti kam probleme shëndetësore, reumë, pengesë në frymëmarrje e të tjera, po i kaloj me vendosmëri e me marrjen e barërave të ndryshëm. Por, nuk duhet haruar se në mua e tek shokët e mi vazhdimisht dhembin e flasin plagët e lirisë.

Dienstag, 11. November 2014

Triumfi i Kryeministrit Edi Rama


Nga Mikel GOJANI

KRYEMINISTRI EDI RAMA,
TRIUMFUES KUNDREJT POLITIKES 
AGRESIVE SERBE.

Kurre nuk do te kisha besuar se ndonjehere do ta admiroja Edi Ramen. Nuk e di ku qendron fakti: nga ndjenja e faktit se si kundershtar i ideologjise komuniste,akoma nuk kemi mundur, dhe eshte shume veshtire te lirohem nga djeshmeria e asaj ideologjise se kaluar ekstreme - komuniste. Duke u krijuar ajo pershtypja qe Partia Socialiste e Shqiperise, ne krye me Edi Ramen, eshte pasuese e kesaj ideologjie,ky fakt ka diktuar qe ndaj ketij koncepti politik dhe filozofik qe ngerthen Partia Socialiste, ka bere qe te mos mund te lirohem nga ai paragjykim.
Meqenese vizita e kryministrit te Shqiperise, z. Edi Rama dhe triumfalizmi i tij karshi personaliteteve me te shquara te politikes serbe, ma ka ndryshuar kete bindje. Dhe mendoj se perfaqesimi dhe prezantimi shume dinjitoz dhe teper i dinjitetshemi kryeministrit Rama,i identifikuar si kryminister i gjithe shqiptareve kudo ne ngulmimet, eshte busulla dhe me autentike qe nga dje shqiptaret kane arsye te krenohen me kete kolos te politikes qe perfaqeson dhe te kombit pergjithesisht.

Te triumfosh para atyre "kodosheve" te politikes serbe, te atyre qe askush me mire se sa ne shqiptaret e Kosoves nuk i njeh, te cileve akoma ne damaret e gjakut te tyre ngulmon ndjenja e hegjemonizmit, si nje ndjenje e tradites qe kane nga e kaluara. Mirepo, kete mit te ketyre hegjemonisteve ua theu para hundeve te tyre ne Beograd, kryediplomati shqiptar, z. Edvin Kristaq Rama.

Jo vetem shqiptaret e Kosoves, ne mbrojtje te te cileve doli edhe nje here kryeminsitri Rama dhe ju tregoi politikaneve dhe popullit te infesktuar me hegjemonizem,se Kosova eshte e pavarur nje here e pergjithmone dhe me nje realitet te tille duhet qe gjithsesi te pajtoheni. Edhe shqiptaret e Kosoves Lindore, nje popull qe akoma i mungojne lirite dhe te drejtat elementare, nga sot ndjehen edhe me te kurajuar. Nga sot ata u njohen me faktin se nuk jane as nuk do te jene te vetmuar, sepse per ata do te kujdeset Shteti Ame. Nga sot, shqiptaret e Lugines e kuptuan se po qe se nje gisht i vogel do t'i dhemb nje shqiptari ketu, ateh dhimbje do ta ndiej cilido shqiptar cep me cep Tokes Meme.

Dhe mu nga ky fakt qe e kuptuam sot, ishte shume lehte per te kuptuar edhe gjithe ate entuziazem qe u verejte ne Presheve, gjithe ai lot qe shkiste nga faqet e shume prej atyre qe ishin tubuar per ta nderuar si kryeminister te tyre, z. Edi Ramen.Krejt me qellimin qe nga ai te marrin nje cope shprese per nje te ardhme te mire.

Prape po e potencoj,se kurre me pare nuk kisha menduar qe per kryeministrin e Shqiperise Edi Ramen do te kisha shkruar ndonje varg admirues, mirepo nga ndjenja qe publicisti gjerat duhet t'i vrojtoj ne menyre racionale, prandaj e ndjeva si obligim per keto pershypje i perjetuam per keto dy dite sa Rama qendroi ne Beograd, ne Lugine dhe kaloi shkarazi neper Kosove.

Dhe, krejt cfare mund te shtojme se gjate ketyre diteve te vizites se tij, qe u vleresua historike, e cila po shenon nje kapitull te ri ne sferen e Eurpoes Juglindore, mendoj qe kryeministri Rama kreu nje obligim para ndergjegjes kombetare, por edhe asaj universale.
Thirrja e bashkimit te shqiptareve ne Europen e bashkuar eshte mesazhi me udherrefyes dhe kuptimplote per shqiptaret kudo qe jetojne.

Kline,11.11.2014

Montag, 10. November 2014

Kur flasim shqip në Beograd, na merrë veshë e gjithë bota !


Shkruan Florim Zeqa

Sikur është bërë praktikë gjatë këtyre viteve të fundit t'i quajmë "historike" çdo takim, mbledhje, inaugurim, fjlaim apo edhe ndeshje futbolli edhe pa pasur ndonjë rëndësi të veqantë, vetëm e vetëm të ngrisim lartë "vlerat" e të adhuruarëve tanë qofshin ata politikan, sportist apo artist estrade,...krejtë kjo bëhej për ngjalljen e vëmëndjes së opinonit për gjëra pak të rendësishme, duke harruar kështu problemet e shumta të popullit shqiptar andej dhe këndej kufirit.
 

Ngjarja e sotme në Beograd vërtetë ishte e përmasave historike, jo për faktin se ishte e para pas 68 vjetësh e një kryeministri shqiptar në Beograd, por për paraqitjën dinjitoze të kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili veqse kryeministër i Shqipërisë, foli burrërisht, pa frikë dhe pa asnjë ekuivok në emrin e të gjithë shqiptarëve.
 

Që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës së 17 shkurtit 2008 e deri në ditën e djeshme, asnjë lider shqiptar qoftë nga Shqipëria apo Kosova, nuk qe në gjendje kështu qartë, bindshëm dhe në vendin e duhur t'ua thonë ndër sy pushtuesve serb realitetin e krijuar në Ballkan.

Kosova e pavarur, një realitet i pakthyeshëm...ishte leksion politik për shtetin serb pas ngjarjeve të 19 tetorit dhe mesazh i fuqishem për të gjithë liderët shqiptar,...për guximin politik, përgjegjësinë shtetëore dhe nivelin kombëtar të një burrështetasi shqiptar.
 

Reflektimit pozitiv të kryeministrit shqiptar në Beograd, ju përgjigjën në mënyrën më të sinqertë të gjithë shqiptarët e trojeve etnike dhe Diasporë, me përkrahjën e parezervë ndaj kryeministrit shqiptar,...duke dëshmuar kështu edhe njëherë se kur janë në pyetje interesat kombëtare, për shqiptarët nuk ka ndarje në baza partiake apo fetare,...e freskët kthehet në kujtesën e shqiptarëve thënja e të madhit Pashko Vasa; "Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit është shqiptaria" !

Me vizitën e tij historike në Beograd, apo më mirë ta themi me fjalimin e tij historik, kryeministri shqiptar Edi Rama është ngarkuar me përgjegjësi të larta kombëtare e cila duhet të rezultojë me mbrojtjën dhe avancimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës,...me çka deklarata e Ramës jo vetëm që do të bëhej më kuptimplote, do të reflektonte siguri dhe shpresë për jetë të shqiptarëve në ato troje të pushtuara.
 

Në të kundërtën, nëse kjo nuk ndodhë, atëherë deklaratat e Ramës mund të prodhojnë efekte tejët negative për shqiptarët e Luginës, të cilët pas pavarësisë së Kosovës janë bërë cak i vazhdueshëm i politikës hegjemoniste të Serbisë.

Ngase fjalimi SHQIP i Ramës në Beograd përveqse do të jetë sfidë për politikën shqiptare, do të jetë edhe një testim i fuqisë politike të Ramës nga ana e ndërkombëtarëve. 

10.11.2014

Sonntag, 9. November 2014

Mikel Gojani - Rrugëtim i gjatë


RRUGËTIM I GJATË 
(Jeronim De Radës, në 200- vjetorin lindjes) 

Shpeshherë në jetë-
Kam marrë rrugëtim të gjatë,
Drejt Lartësive të Makit të Kalabrisë
Pranë Shënmitër Koronës.


Duke ecur -
Atyre gurëve shkëmborë,
Në maja të majave
Kam takuar të Madhin De Rada,
Edhe mbas dy shekujsh
Akoma bënte jetë.
Rronte i Madhi De Radë,
Bashkë me Njerëzit
Dhe kohën e tij.


Aty akoma rronte Skënderbeu,
Serefina Topia, Milisao, Rina...
Kroi me ujë të ftohtë e të kristaltë,
Rrugët, gurët, muret, lisat, hijet, dielli, hëna...
Çdo gjë që frymonte
Ishte shndërruar në ikonë. 


De Rada -
Në veprat e Tij,
Mbante gjallë Njerëzit, Natyrën, Dheun...
Shkruante Ditarin e Jetës.


Në thellësinë e gjurmëve,
Palimpsest
Shpalos mesazhet e fundit:
“Gjaku ynë i shprishur,
Gjaku i Arbrit po shkon…”


Nentor 2014

Libri, dhurata më e çmuar.

Nga: Murat GECAJ

-Pasurohet biblioteka, me autorë shqiptarqe jetojnë në Suedi-

1.
Kur po shkoja drejt shkollës 9-vjeçare “Dora d’Istria” të kryeqytetit, me drejtoreshë zj. Lumturi Vladi, padashur, mendja më shkoi këtu e 50 vjet më parë…Kisha vetëm një vit qëkur punoja redaktor në gazetën javore për fëmijë, “Pionieri”. Pra, shkrimet tona ishin të lidhura ngusht me jetën e tyre në shkolla. Kështu, në redaksi na erdhi një ftesë, ku thuhej që do të bëhej përurimi i një shkolle të re, në afërsi të qendrës së Tiranës. Sigurisht, kjo ishte një ngjarje e veçantë, pasi përkonte edhe me 20-vjetorin e çlirimit të Atdheut. Pa e zgjatur, shënoj këtu se isha pjesëmarrës në atë festë të gëzuar. Aty bëra dhe disa fotografi e, më pas, botova një shkrim modest, në faqet e gazetës sonë. Por tani më duhet të “gërmoj” në arkivin e Bibliotekës Kombëtare për ta gjetur atë numër gazete, pasi nuk e kam të ruajtur...
Ja, për këto po vazhdoja që të mendoja edhe kur hyra në oborrin e kësaj shkolle, me dy qeska mbushur me libra. Për të më “ndihmuar”, përpara më dolën dy nxënës, Tedi Kokomani e Nick Krypci dhe te dera u përshëndeta më mësuesen e lëndës së gjuhës e letërsisë, Florenca Saliaj, e cila është e ngarkuar me veprimtarinë e bibliotekës së shkollës. Nuk vonoi e aty erdhi zj.Lumja, si gjithnjë e shkathët e gazmore dhe më njohu me mësuesen veterane, Bukuroshe Islami, që kishte ardhur përsëri të takohej me kolëgë të saj, pasi aty kishte shërbyer 8 vjet, mësuese për lëndën e biologjisë.
Sakaq, në mjediset e bibliotrekës së shkollës hynë disa djam e vajza, të gjithë anëtarë të këshillit të saj dhe lexues të pasionuar. Sigurisht, kërshëria ime ishte e natyrshme për të parë librat e bibliotekës dhe sistemimin e tyre, por dhe kartelat e lexuesve të vegjël. Pasi zumë vendet në atë mjedis të bukur, i hapa “qeset” me libra, që kisha sjellë aty dhe nisa t’ua paraqisja atyre. Së pari, u tregova se arsimtari, publicisti e shkrimtari Sokol Demaku, me banim në qytetin Boras të Suedisë, kishte sjellë para pak ditëve, dhuratë për ta disa libra, si ku është ai autor, por dhe të tjerë të miqëve sudedezë, që i ka shqipëruar vetë. Dhe ja titujt e tyre:”Djali e tigri”(nga Lars Vestman) e “Gjueti diamantësh”(nga Mats Vënbald), “Kujtime nga Diaspora-IV”(S.Demaku) e “Vështrim antropologjik dhe kulturor magjepës, në Veriun e Largët”(Dr.R.Vata e S.Demaku) e “Edhe ne jemi Bota“(nga autori shqiptar, Bahtir Latifi).
 

2.
Lexuesit e vegjël, kur u njohën me titujt e këtyre librave e dhuruesin e tyre, u interesuan të dinin diçka më tepër, për atë vend të largët skandinav. Meqenëse dhe unë kam patur rastin ta vizitoja atë, 2-3 vjet më parë dhe kam botuar librin “Me zemr në vendlindje-Shënime nga Suedia”, u tregova atyre se basshkatdhetarët tanë kanë gjetur atje mikpritje e ngrohtësi, si dhe kanë ndërtuar një jetë të mire, në atë shtet ndër më socialët, jo vetëm në Europë, por dhe më gjerë. Po kështu, u fola atyre për jetën në shkollat, që kasha vizituar dhe botimet e ndryshme, sidomos nga autorët shqiptarë dhe për veprimatritë e Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në qytetin Boras etj.
Si mik i kësaj shkolle, përveç librit që përmenda më lart, edhe unë i dhurova bibliotekës së saj, librat e mi: “Nëpër udhët e shkollës shqipe”, “Dorela”(libër publicistik letrar për fëmijë), “Rrahin zemrat arbërore”(udhëtim nëpër trojet amtare të Ballkanit) dhe “Bedri Dedja, në kujtesën tonë”.
Pastaj, u thanë fjalë përshëndetëse e falënderuese, si nga drejoresha L.Vladi e mësuesja F.Saliaj. Gjithashtu, folën disa nxënës, si Vesa Parllaku, Klodi Çelmeta, Era Hasantari etj., të cilët e shprehën kënaqësinë për pasurimin e bibliotekës së tyre. Se ishte rasti i parë, që ata do të lexonin libra të autorëve suedezë ose shqiptarë, që flasin për vendin e vikingëve, pra të popullit mik suedez, në Skandinavinë e largët.
…Duke u përshëndetur me njëri-tjetrin, por dhe duke shprehur kënaqësinë se do të takohemi përsëri, tanimë në festën e 50-vjetorit të krijimit të shkollës 9-vjeçare “Dora d’Istria” të kryeqytetit, u largova plot mbresa të bukura, për t’u rikthyer aty.


Tiranë, 9 nëntor 2014