Sonntag, 26. Juli 2015

Relacioni sekret për vizitën e shkrimtarëve kosovarë në Shqipëri

       Çfarë zbulon relacioni 25 faqësh i hartuar nga shoqëruesit Odhise Grillo dhe Hamit Boriçi, për udhëtimin 12 ditor të shkrimtarëve Vehbi Kikaj, Maksut Shehu, Rifat Kukaj, Qamil Batalli dhe Agim Deva. Kë kërkuan të takojnë, me kë u takuan, ku dhe çfarë shkëmbyen me ta pesë shkrimtarët kosovarë?

      Gjatë udhëtimit në Shqipëri nga 13-25 nëntor 1973, pesë shkrimtarët kosovarë ishin vëzhguar deri në imtësi. Shoqëruesit e shkrimtarëve, Odhise Grillo dhe Hamit Boriçi, kanë vërtetuar në relacionin e tyre se gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipërisë, shkrimtarët miq kishin ngritur mjaft dyshime, në shumë raste.

       Pas prezantimit të të dhënave të detajuara për shkrimtarët Vehbi Kikaj, Qamil Batalli, Rifat Kukaj dhe Agim Deva, në relacionin e Odhise Grillos e të Hamit Boriçit flitet edhe për gazetarin Maksut Shehu, i cili u ka lënë edhe përshtypjet më negative shoqëruesve nga Tirana. Ata nuk raportojnë më vetëm prirjet dhe provokimet e tij politike, por edhe shumë detaje intime rreth shkrimtarit, duke e akuzuar për marrëdhëniet e ekzagjeruara me pijen dhe femrat.

      Çdo të thoshte të ishe turist në Shqipërinë komuniste, ku gjithmonë, dyshimi i parë që sillej ndërmend për çdo vizitor ishte agjentura? 

Në një vizitë turistike, në vendin më të izoluar të botës, nën vëzhgimin e rreptë të shoqëruesve, por edhe me ëndrrën e mëmëdheut të munguar, pesë shkrimtarë e studiues kosovarë të letërsisë për fëmijë, të ftuar në nëntor të 1973 për një vizitë në Shqipërinë “mëmë” ishin vënë nën skanerin e pagabueshëm të regjimit.

Ata ishin Vehbi Kikaj, Maksut Shehu, Rifat Kukaj, Qamil Batalli dhe Agim Deva.

Ftesa ishte bërë nga Komisioni i letërsisë për fëmijë pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe sektorit të historisë së Letërsisë Shqipe për fëmijë në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë. Shkrimtarët kosovarë kanë qëndruar 12 ditë në tokën e “ëndërruar”, por çdo lëvizje e tyre, çdo bisedë, çdo detaj në sjelljen dhe veshjet e secilit prej vizitorëve, dëshirave dhe përshtypjeve të tyre, është vëzhguar me kujdes, me qëllim që të raportohej më pas.

Këtë detyrë kanë pasur dy shoqëruesit shqiptarë të këtij grupi, të cilët siç ndodhte në të gjithë vizitat e kësaj natyre, pas përcjelljes së miqve kanë hartuar një relacion të hollësishëm mbi detajet e vizitës 12 ditore të kolegëve të tyre.

Relacioni, për të cilin flasim është përgatitur nga shkrimtari Odhise Grillo dhe gazetari Hamit Boriçi, të cilët ishin caktuar që të ishin shoqëruesit e këtij grupi gjatë 12 ditëve të qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Relacioni prej 25 faqesh ofron të dhëna të hollësishme mbi jetën e secilit prej shkrimtarëve, tendencat dhe karakteret krijuese dhe intelektuale, sjelljet “borgjeze” e detaje të imëta mbi pasurinë dhe jetën me privilegje në Jugosllavinë e Titos, dyshimet e lindura dhe informacione të shumta që janë vjelë prej tyre për çështje të brendshme në Kosovë.

Sot sjellim pjesën e parë të relacionit, që ruhet në fondin 14 në AQSH, ku veç raportit mbi vizitën me të gjithë detajet e saj përgjatë 12 ditëve, jepen të dhëna të hollësishme për dy pjesëtarët e parë të grupit, Vehbi Kikaj dhe Qamil Batalli, të cilët sikurse edhe kolegët e tyre Maksut Shehu, Rifat Kukaj, e Agim Deva, janë ndarë tashmë nga jeta, pa na dhënë mundësinë që sot të zbulonim një anë tjetër të këtij udhëtimi që përshkruhet në këtë dokument të hartuar gjithsesi nën presionin dhe kushtet e regjimit totalitar.




R E L A C I O N

MBI VIZITËN E NJË GRUPI SHKRIMTARËSH DHE STUDIUESISH KOSOVARË TË LETËRSISË PËR FËMIJË, QË VIZITUAN VENDIN TONË PREJ DATËS 13-25 NËNTOR 1973

Me ftesën e Komisionit të Letërsisë për fëmijë pranë Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë dhe të sektorit të historisë së letërsisë shqiptare për fëmijë në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, erdhi për një vizitë 12-ditore në vendin tonë një grup shkrimtarësh dhe studiuesish kosovarë që merren me letërsinë për fëmijë, nga shoqata e shkrimtarëve kosovarë. Në këtë grup bënin pjesë Vehbi Kikaj (përgjegjës i grupit, anëtar i Kryesisë së shoqatës), Maksut Shehu, Rifat Kukaj, Qamil Batalli dhe Agim Deva.

Grupi erdhi në vendin tonë më 13 nëntor nga pika kufitare e Hanit të Hotit dhe u largua po nga kjo pikë më datën 25 nëntor.

Gjatë 12 ditëve të qëndrimit në vendin tonë, sipas një programi të aprovuar, grupi vizitoi Shkodrën, Lezhën, Krujën, Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Hekurudhën Librazhd-Përrenjas (urën e Bushtricës), Fierin, Gjirokastrën, Sarandën dhe Beratin. Plani i hartuar qysh më parë u zbatua me përpikëri.

Në Shkodër, Durrës, Tiranë, Fier e Gjirokastër u takuam me shkrimtarë që merren me letërsinë për fëmijë dhe me kryetarët e degëve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Takimet kanë qenë të frytshme, korrekte dhe të dobishme.

Shkrimtarët dhe studiuesit kosovarë u njohën dhe mësuan për sukseset që ka arritur vendi ynë në fushën politike, ekonomike, kulturale e artistike dhe veçanërisht në letërsi e arte. Për këtë ndihmuan shumë vizitat në muzeume, ekspozita, qendra pune e prodhimi dhe takimet me krijuesit.

Grupi i shkrimtarëve dhe i studiuesve kosovarë zyrtarisht përfaqësonte shoqatën e shkrimtarëve kosovarë, por në të vërtetë ata janë përfaqësues të shtresës intelektuale të rretheve të shkrimtarëve dhe të gazetarëve. Kjo vihet re nga pikëpamjet që kanë, nga shijet, kërkesat dhe interesat e tyre, nga mënyra e veshjes, e të sjellurit. Ja disa fakte:

Përmendnin hotelet dhe klubet më të mira që kanë ata, si Pozhuri, udhëtimet me aeroplan, pushimet në vilat e Deçanit, në plazhin e Ulqinit, udhëtimi në Turqi, Greqi e gjetkë.

Ata, jo një herë, vunë në dukje mundësitë materiale që kanë, për të blerë e mbajtur makina personale, siç kishte Maksuti, për të ndërtuar vila, siç ndërtoi Qamili, etj. Fakti që një pjesë e tyre kishin valutë të huaj (M. Shehu e R. Kukaj), dollarë, marka dhe shuma të mëdha dinarësh, tregon se ata u përkasin shtresave të pasura intelektuale. Është e kuptueshme se revizionistët titistë, me të holla e mënyra të tjera kanë blerë njerëzit e propagandës. Dhe këta të fundit bëjnë një jetë të izoluar nga populli, jepen pas qejfeve, karrierës, parave, pas pijeve dhe modave ku më shumë e ku më pak.

Kemi mendimin se pikëpamjet e tyre duhen kuptuar si pikëpamje të një shtrese të caktuar shoqërore, si opinion i përgjithshëm i qarqeve të shkrimtarëve e gazetarëve të Kosovës së sotme.

Në tërësi grupi përbëhet nga shkrimtarë jo të qartë dhe mikroborgjezë. Megjithëkëtë, duhen bërë diferencime. Vehbi Kikaj dhe Qamil Batalli na duket se janë më të thjeshtë, sikur kanë e ruajnë diçka nga populli, akoma nuk janë borgjezuar plotësisht. Rifat Kukaj nga veshja e mënyra e të sjellurit është prototipi i një intelektuali mikroborgjez. Me fjalë tregohet si i lidhur me popullin dhe krejtësisht kundër jetës luksoze.

Karakteristike ishte se kur e sillnin fjalën për Shqipërinë, për bashkimin e Kosovës me atdheun, ishin të një mendimi dhe flisnin me emocione. Janë, pra, nacionalistë.

 Të gjithë ishin anëtarë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Nuk bëjnë asnjë dallim në mes komunistëve të vërtetë dhe revizionistëve. Kur diskutonin, bie fjala, për Spanjën, ata flisnin me admirim për udhëheqësit e partisë së sotme revizioniste spanjolle. Nuk bëjnë dallim mes luftërave të drejta dhe të padrejta. Ata arrijnë deri atje sa të flasin me admirim për Izraelin, që, edhe pse është i vogël, i dërrmoi popujt arabë, pa vënë theksin në karakterin e luftës së sionistëve.

Duket se nacionalistët kosovarë, përfaqësues i të cilëve ishte edhe ky grup, i kanë varur shpresat për të ardhmen e Kosovës, për bashkimin e saj me mëmëdheun, në inteligjencën. Ata deklarojnë se suksesi i dëshiruar do të arrihet me dy rrugë:

a) Me arsimimin (shkollimin) e rinisë. Thanë “sot kemi 20.000 studentë në Prishtinë”.

b) Me këmbënguljen për të shfrytëzuar të gjitha të drejtat që u janë siguruar me Kushtetutë. Dhe, thanë se do të vijë koha që edhe OKB-ja ta thotë fjalën e vet. Kjo vihej re në bisedat si tendencë e përgjithshme. Punëtorët nuk i zënë në gojë fare. Për fshatarësinë kanë mendimin se është një turmë e prapambetur, pa kulturë, pa kërkesa, që rend pas interesave ekonomike, që për të fituar para ikën në Gjermaninë Perëndimore, në Turqi e gjetkë. Bijtë më të mirë të fshatarësisë janë ata që po shkollohen.

Të gjithë pjesëtarët e grupit kanë shprehur besimin e madh te Titua, se të gjitha këto të drejta i kanë nga Titua dhe i lusin jetë të gjatë atij, se kush e di kush ia zë vendin. Këtu është një kontradiktë. Këta edhe i lusin jetë të gjatë Titos, edhe tregojnë shumë anekdota për të. Qamili, Rifati e Vehbiu nuk kanë as dëshirë për të shkruar për Titon.

 

Ja se çfarë përfaqëson secili anëtar i grupit, sipas mendimit tonë:


Vehbi Kikaj

Anëtar i kryesisë së shoqatës së shkrimtarëve, redaktor i revistës “Pionieri”, kandidat për redaktor në Entin botues “Rilindja”.

Është një tip i shoqërueshëm, i qetë, por pak naiv dhe pak hutaq. Nuk është i qartë ideologjikisht, sidomos për lëvizjen komuniste ndërkombëtare në ditët tona. Nuk dallon partitë M.L. të vërteta nga partitë revizioniste. Naiviteti i tij vihet re në disa arsyetime, në besimin që ka te atasheu kultural në Tiranë të cilin e ka pasur profesor në Prishtinë.

E do shumë Shqipërinë, Kosovën e quan një pjesë të Shqipërisë dhe mendon për bashkimin e saj me atdheun duke thënë: “Kur të vijë koha do ta hedh vetë i pari bombën aty ku duhet”. Ka shprehur dashuri të madhe për shokun Enver dhe për partinë tonë. Shënimet e tij në muzetë dhe objektet që vizituam janë më të zjarrta. Ai nuk nënshkruante tok me të tjerët por linte shënim të veçantë.

Në Gjirokastër këmbënguli që të shkëputej nga shokët dhe të vizitonte patjetër shtëpinë-muze të shokut Enver. Në mënyrë të fshehtë ia plotësuam dëshirën. Aty u mallëngjye dhe la një shënim për “njeriun më të madh që ka lindur Shqipëria”.

Gjatë vizitës në varret e Q. Guranjakut, N. Bulkës dhe Zekirja Rexhës, pa varret e prindërve të shokut Enver. Qysh aty, bashkë me Q. Batallin, shprehu dëshirën për të vendosur në varret e tyre buqeta me lule. Për t’i ruajtur ata ne nuk ua plotësuam dëshirën. Para se të largohej fshehtas la 30 lekë për të blerë lule, për t’i plotësuar dëshirën.

Gjatë gjithë kohës është treguar i afërt, ka folur gjithmonë mirë për pjesëtarët e grupit, për shkrimtarë e gazetarë, për funksionarë të huaj dhe për punonjës të UDB-së.

Ka urrejtje të theksuar për serbët aq sa në mesnatën e datës 24 nëntor, u tha pastruesve të rrugës të Shkodrës “pastrojini mirë rrugët se janë ndyrë nga gjaku i 12.000 malazezëve që i kini grirë me shpatë në Tarabosh”.

Është shok i ngushtë me Q. Batallin dhe me R. Kukajn. Mban distancë me M. Shehun e A. Devën. Të tilla porosi na jepte edhe ne. Më tepër lidhje kishte me Qamilin. Në prani të tyre fliste pak më hapur se të tjerët.

Kishte pak qejf pijen dhe tregonte për femrat, sidomos në praninë e të tjerëve (këtë na e kishte thënë edhe Rifati: kur të jemi në grup - sidomos me Maksutin dhe Agimin - bisedë pijesh dhe femrash do të kemi).

Vlerësonte shumë sukseset tona, po ndonjëherë tregohej i matur e fliste me kujdes, sidomos pas zënkës me Agimin, i cili e kishte kritikuar Vehbiun dhe shokët se po tregoheshin inferiorë ndaj nesh.

Tregohej i kujdesshëm kur shkëputej nga grupi, për të biseduar me ne. Jetonte me ankth dhe me frikën se nuk do të shihte më Shqipërinë, pasi hasmi i familjes së tij për një gjak, megjithëse ishin pajtuar, mund të shtyhej nga ata që nuk e duan Shqipërinë, që ta vriste. Këtë e theksoi me lot në sy edhe kur u nda prej nesh në Hanin e Hotit.

Ai pretendonte se bisedon gjithmonë me shokët e tij për çështjen e Kosovës, megjithëse e ka të vështirë. Përkrah ata që luftojnë për të drejtat e Kosovës, p.sh. poetin Gërvalla dhe bojkoton ata që janë në shërbim të serbëve, si p.sh. poetin Adem Gajtani, i cili ka dalë dëshmitar në gjyq kundër një shqiptari që shau serbët dhe qeverinë në një kafe.

Ai deklaroi: po gjetët qoftë edhe njëherë fjalën Serbi dhe Tito në librat e mia, më varni. Nuk shkruaj për ta se i urrej”.

Ai ka deklaruar disa gjëra që mendojmë se duhet të mbahen parasysh:

- Sekretari i Ambasadës sovjetike në Beograd ka mbaruar studimet në Shqipëri. Ai ka ushtruar presion te botuesit në Maqedoni, që të shkruajnë keq për vendin tonë. Kohët e fundit është dukur në zyrat e “Rilindjes” dhe ka biseduar me drejtuesit për çështje të tilla.

- UDB ka dhënë urdhër që poetit Gërvalla të mos i botohen më krijime, pasi ai është “ekstremist” d.m.th. i shfaq hapur ndjenjat dhe mendimet e tij për vendin tonë.

- Disa muaj pasi është kthyer në Jugosllavi nga vendi ynë (Vehbiu ka qenë te ne në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972) është thirrur në zyrat e policisë në Prishtinë dhe e kanë frikësuar. Bile edhe e kanë goditur.

- Tajar Hatibi, ish-redaktor në “Pionieri”, ndërhyn në punët e botimeve, duke i detyruar të botojnë materiale për Titon. Ai është një censor për çdo numër dhe artikull.

- Agim Deva, ka bërë thirrje të shkruante vjersha për Titon, pasi donte të botonte një vëllim. Vehbiu nuk pranoi. As Rifati e Qamili. Atëherë Agimi i kërkoi si recensentë. Këta pranuan dhe për sy e faqe thanë fjalë të mira për vëllimin.

Në Ambasadën jugosllave në Tiranë iu është thënë: “Ne dëshirojmë që ju të lini përshtypje të mira dhe të shkruani mirë për Shqipërinë, për ato që shikoni. Kini kujdes të mos bëni pyetje për disa çështje të brendshme, si për çështjen e F. Paçramit, për ndryshimet në Lidhje etj.”.

- Ai tha se në Prishtinë e sidomos në Gjakovë ka grupe të rinjsh që këndojnë këngë për shokun Enver dhe për partinë tonë. Bile ngrenë grushtin dhe thërresin.

- Tregoni disa anekdota kundër Titos dhe serbëve e sidomos kundër boshnjakëve.

- Atdhe Gashi, regjisor, shok i tij, në një kafe ka thirrur “Poshtë Veli Deva”. Iu sul polici, por e tërhoqi Vehbiu me marifet dhe iku e kështu nuk e kapën dot.

- Me mjaft takt, në bisedat që pati me shokët B. Dedja dhe D. Agolli, gjatë darkave të shtruara për ta, V. Kikaj shprehu dëshirën që në Shqipëri të botohen edhe vepra të shkrimtarëve kosovarë për fëmijët. Ai tha midis të tjerash “ne kemi bindjen e plotë se ju na kuptoni. Në kushtet e sotme të Kosovës nuk mund të shkruajmë ashtu siç mendojmë, ndaj jemi të detyruar të përdorim simbolet”.

P.sh. përdorimin e simboleve mund ta shihni qartë në librin tim të fundit “Shtëpia ime ka sy” kur flas për mbretëreshën ilire Teuta. Çdo gjë që kam thënë aty është simbol për Shqipërinë e sotme të pathyeshme”. Në rast se ju do të botoni veprat tona për fëmijët duhet të dini se kjo ka vlerë të dyanshme: e para, sepse kjo do të shërbejë si inkurajim për ne dhe e dyta se sipas pjesëve që do të zgjidhni për t’i botuar në Shqipëri, ne do të kuptojmë se cila pjesë e krijimtarisë sonë për fëmijët është e shëndoshë dhe i shërben edukimit të fëmijëve kosovarë. Pra botimi i shkrimeve tona në Shqipëri do të jetë busull për krijimtarinë tonë.

- Vehbiu shprehu urrejtjen ndaj fushatës shpifëse që ka ndërmarrë sidomos “Nova Makedonia” kundër Shqipërisë.



Qamil Batalli

Kryeredaktori i revistës “Pionieri”. Vjen për herë të parë në Shqipëri. Së shpejti shkon kryeredaktor i “Shkëndisë”.

Është tip i qetë, i përmbajtur dhe i mbyllur. Flet pak dhe interesohet shumë për gjuhën, pedagogjinë, psikologjinë e letërsinë. Shënon në bllok fjalë të urta dhe bleu rreth tri herë më tepër libra se të tjerët.

Ditët e para pothuajse nuk fliste fare. Shfaqi admirim për zhvillimin e arsimit dhe u habit që në fshat ka shkolla të mesme, bile edhe të profilit bujqësor, kur në Prishtinë ka vetëm një shkollë të mesme.

Pas dy-tri ditësh nisi të flasë lirisht vetëm kur nuk shihej e dëgjohej nga të tjerët. Frikën e justifikonte me faktin se në vitin 1947 i kanë zhdukur të vëllanë, ish-pedagog i zoti dhe patriot.

Në bisedat e ditëve të fundit sa herë që ndodheshim vetëm për vetëm me të, ka ngritur lart rolin e partisë dhe të shokut Enver, duke theksuar: “ Ju keni një Parti të fortë e një komandant të zot dhe të guximshëm”.

Vlerëson politikën tonë të mbështetjes në forcat e veta.

Shprehu mendimin se disa na kritikojnë për dyert e mbyllura ndaj turistëve, por në fakt tha se “Ju veproni shumë drejt”. Jugosllavia pa turizmin nuk mund të jetojë. 70 për qind e buxhetit sigurohet nga turistët, shumë familje në bregdet kanë përfitime të konsiderueshme, po bashkë me dollarët turistët sjellin sëmundje vdekjeprurëse për shoqërinë socialiste. Këtë e provoi Jugosllavia. Ky ndikim ndjehet edhe në Kosovë. Ndaj ka shumë pakënaqësi.

I bënë shumë përshtypje parullat, që lexonte rrugëve ose nëpër objekte, sidomos i pëlqenin dy-tre parulla si “E rrezikshme është ajo që harrohet”, “Armiqtë na kanë në grykë të pushkës, ne i kemi në grykën e topit”, “Të mos harrojmë tragjedinë e BS” etj.

- Shpesh interesohej për policët dhe oficerët, sidomos ditët e para. Ditën e fundit e sqaroi këtë gjë duke thënë: “Propaganda te ne kishte krijuar bindjen se ka shumë policë dhe veçanërisht ne do të ishim njerëz që do të ndiqeshim prej tyre. Policët e armatosur me mitraloza ruajnë shtëpitë e të dyshimtëve edhe të kosovarëve... Ne pyesnim pasi nuk po e vinim re një gjë të tillë. Gjithsej këto 12 ditë kam parë vetëm 10 policë. Jam i bindur se propaganda na mashtron atje. Këtë do ta them edhe atje, pasi te ne ka shumë policë të armatosur bile edhe me kërbaçë e shkopinj kamxhiku”.

Interesohej për libra teorike, pasi sipas tij ata janë nën ndikimin e teorive serbe-malazeze.

- Ndjeshmërinë e vet e shfaqi në Shtëpinë Botuese kur nderoi me grusht dhe tha: “Enveri të rrojë sa malet”, pasi pa një ekspozitë me fotografi të shokut Enver, ku pa kooperativistët me pushkë dhe në varrezat e dëshmorëve ku nderoi fshehtazi me grusht.

- Atë ditë që po ndahej nga ne, na përqafoi të dyve bashkë, futi kokën midis trupave tona dhe i mbushi sytë me lot.

- Qysh natën e parë e gjer në fund fjeti në një dhomë me A. Devën. Pretendon se ka biseduar me Agimin për gjithçka panë e mësuan te ne dhe se vuri re ndryshime të mëdha tek Agimi. Ai tha: “U bë shumë mirë që erdhi Agimi. Ai është rritur në ambient tjetër, ka dëgjuar gjithnjë keq për Shqipërinë. Ka ardhur me ne i bindur se do ta prisnit ftohtë, se do ta ndiqnit nga pas e do krijonit incidente për ta ndjekur nga vendi ynë. Ai nuk mund të bëhet si ne, po mësoi shumë të vërteta për Shqipërinë.

Rrallë fliste në praninë e të tjerëve. Më tepër dëgjonte. Ka botuar një tregimin për Titon, i shtyrë nga Agimi. Në të vërtetë ka hequr emrin e Skënderbeut dhe ka vënë emrin e Titos, në një tregim që e kishte gati (këtë na e tregoi Vehbiu)...



Rifat Kukaj

Redaktor në Radio-Prishtina për emisionin e fëmijëve. Së shpejti mund të kalojë redaktor në Entin Botues “Rilindja”. Vjen për herë të parë në vendin tonë. Është inteligjent, më i zgjuari në tërë grupin, njeri i përmbajtur, pa impulse, qesh me ironi dhe flet me thumba.

Qysh kur erdhi, deri sa u largua, për të kishte dy tema: femrat dhe pija. Sipas tij, këto biseda i hapte, pasi nuk dëshironte të bisedonte për gjëra të tjera në praninë e shokëve. Kur ishte vetëm fliste lirisht, por kurdoherë pa emocione. Ashtu si Vehbiu edhe Rifati ka deklaruar se po të vijë koha, ai i pari do ta hedhë bombën aty ku duhet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Kishte njohuri e të dhëna për historinë, gjeografinë dhe politikën e vendit tonë.

Interesohej për emra fshatrash, vendesh, prodhimesh. Dinte me përpikëri se ku ndodhej një vend i caktuar. P.sh. ai dinte se pas asaj kodre ndodhej Delvina. Me atë tonin e tij të qetë, të ftohtë, deklaronte se dinte shumë për ndërhyrjet e UDB-së gjatë viteve 1947-1948 e më pas, se kishte lexuar shumë literaturë për të. Ai fliste kundër atyre që ishin dhënë pas luksit dhe pas pronës private. Kjo duket kontradiktore kur ai vetë mbahej shumë mirë dhe kishte tokë e bagëti, pronë private në Drenicë. Interesohej shumë për armët: ku i ka armatimet Ushtria, a është i armatosur populli?

Kur kalonim nga Tepelena, poshtë rrugës automobilistike, pa një repart ushtarak e tha: “Ushtarët i pashë, por armë nuk pashë”. Vehbiu i tha: “Në do ta dish, raketat janë nëpër tunele e s’mund t’i shohësh”. Pinte shumë duhan e konjak. Respektonte Maksut Shehun e tërhiqej para tij, pasi, siç thoshte ai, e njihte mirë se çfarë grindaveci e pijaneci ishte Maksuti. Tërheqjen ua këshillonte edhe të tjerëve.

Edhe ky është i interesuar për policët, për oficerët dhe për çmimet. Dëshira e tij e madhe ishte që të vinte Rahman Dedaj në vend të Maksutit. Dinte dhe na tregonte vazhdimisht anekdota kundër Titos, serbëve etj. Këto i tregonte edhe në praninë e Vehbiut, por jo para të tjerëve. Gjithmonë pas vizitave ky bënte shënimet në libër dhe të tjerët firmosnin. Nga çdo qytet dërgonte shumë kartolina dhe kërkonte të vinim firmat të gjithë ne dhe në disa raste ngulte këmbë të shkruanim plotësisht emrin dhe mbiemrin.

Kërkoi pjesë teatrale të dramatizuara nga Radio-Tirana, karikatura nga Hosteni dhe duhan “taraboshi” për llullën (la kërkesën t’i dërgohen disa pako me duhan të tillë).

Ishte i dhënë pas numizmatikës (mblidhte lekë). Pretendonte se djali i tij pesëmbëdhjetëvjeçar e kishte porositur për një gjë të tillë. Kishte mjaft valutë (dollarë), e bleu shumë suvenire.

Shpesh përmendte, si me shaka, “Po të vinja disa vjet më parë, nuk do të kthehesha se më pëlqejnë shumë vajzat këtu, do të dëshiroja ta martoj djalin...”!

Ai theksonte se duhej marrë parasysh gjendja, kushtet në të cilat ndodheshin, se tani për tani kryesorja është që të luftohet për të shfrytëzuar deri në maksimum të gjitha të drejtat që ua siguronte Kushtetuta.

Premtoi se nga Shqipëria do të shkruante si “Shënime udhëtimi” 4-5 vjersha. Fliste kundër serbëve, admironte kroatët. Rifati sugjeroi se do të ishte mirë që t’u krijohej mundësia sa më shumë që të jetë e mundur për të ardhur në vendin tonë, shkrimtarëve dhe publicistëve, jo vetëm kosovarë, por edhe të atyre që janë miq të Shqipërisë, të cilët kanë folur e shkruar mirë për Shqipërinë.

Ai tha se një artikull i shkruar në gazetën “Delo” të Lubjanës nga poeti dhe publicisti Herman Vogël, bëri jehonë të madhe. Studentët e Lubjanës u ngritën në demonstratë për të zbatuar parimet e arsimit, të shkollës shqiptare, si në Shqipëri. Ata mbanin në duar gazetën “Delo”, ku ishte botuar edhe një fotografi e Llazar Siliqit. Rifati tha se gazetari Drago Karl, i gazetës “Delo”, që e simpatizon Shqipërinë, ka kërkuar të vijë në Shqipëri. “Mendoj”, vuri në dukje, “se do të ishte pozitive kjo vizitë, pasi është gazetar me kurajë, dhe sipas mendimit tim, do të ndriçonte drejt situatën që ekzistonte sot në Shqipëri, duke hedhur poshtë parullat antishqiptare”.

Rifati hiqej sikur ishte kundër sistemit të vetadministrimit në ekonominë jugosllave, duke e konsideruar si një dështim.



Agim Deva

Redaktor përgjegjës i gazetës së pionierëve, organ informativ. I biri i Veli Devës, personalitet i njohur në Jugosllavi. Ka kryer studimet e larta në Prishtinë. Dhe tani përgatitet për të mbrojtur magjistraturën.

Shumë i ri në moshë, i datëlindjes 1948.

Në pamje të parë duket i qetë, por në të vërtetë e përmbante veten. Ditët e para nuk fliste fare. Më vonë filloi të flasë, por pak. Më tepër dëgjonte, ndiqte me vëmendje bisedat e të tjerëve. Është pak mendjemadh dhe mbahet për pozitën që ka i ati.

Në hotel vazhdimisht flinte me Qamil Batallin. Me të gjithë bisedonte njëlloj. Me Maksut Shehun ka pasur raste kur janë zënë edhe në praninë tonë, siç qe rasti gjatë rrugës Librazhd-Elbasan. Zënka ishte për çështje rrogash dhe përgjegjësia në organet që nxjerr Enti Botues “Rilindja”. Kaluan në ofeza reciproke. Të tjerët nuk ndërhynë. Më vonë Rifat Kukaj sqaroi: “Gjithmonë tërhiqemi në raste të tilla, se Maksuti është nevrik, don t’i shkojë e vetja, është grindavec”.

Ndërsa Agimi tha mënjanë: “Vetëm unë ia thyej hundët Maksutit, se mua s’ka ç’më bën”.

Agimi ka kritikuar shokët për nënvleftësim nga ana e tyre të letërsisë kosovare gjatë bisedës që u bë në Shtëpinë Botuese “N. Frashëri”. Edhe për këtë janë zënë. Maksuti ka ndërhyrë dhe duke përkrahur Agimin, e ka ofenduar rëndë Vehbi Kikajn. E shau nga nëna. Vehbiu nuk i është përgjigjur.

Agimi interesohej shumë për dallimin nga veshja të oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve dhe policëve. Interesohej gjithashtu a mësohet gjuha kineze në shkollat tona, a ka shumë kinezë dhe ç’rroga marrin. (Megjithëse rrallë kanë parë kinezë, policë, oficerë dhe ushtarë).

Agimi njihte mirë kursin e këmbimit të lekut me dinarin dhe anasjelltas, bënte përllogaritje në çast.
 Ngrinte shumë çështjen e arsimit në Kosovë, si kundërpeshë e zhvillimit të sistemit tonë arsimor, për të cilin fliste fjalë të mira. Gjatë bisedave për bursat dhe arsimin në Kosovë, pranonte deri diku vartësinë e studentit nga ndërmarrjet ekonomike, të cilat u jepnin bursën ose u akordonin hua studentëve, me kushte që ata pas kryerjes së studimeve, të punonin në atë ndërmarrje për disa vjet, derisa të shlyenin detyrimet.
 Agimi u habit kur pa sa afër ishte Korfuzi me Sarandën dhe kufiri në përgjithësi. Nuk mund ta merrte me mend që flota e 6-të amerikane dhe ajo sovjetike të silleshin aq afër Shqipërisë.

Ditët e fundit filloi t’i miratonte sukseset tona në shumë fusha, por gjithmonë me ton zyrtar. Përdorte shpesh fjalët “na befasuat”, “shumë befasime na bëtë!” d.m.th., pamë e mësuam ato që nuk i prisnim.

Më datën 23 nëntor, një ditë para se të largoheshin nga Tirana tha se ishte i sëmurë, qëndroi në shtrat në “Dajti”, nuk u ul të hante mëngjesin. Kur i thamë për vizitë mjekësore, nuk pranoi, duke theksuar se e kishte nga lodhja. Ne dyshojmë se ai u shtir i sëmurë me qëllim që të ndahej nga grupi për të bredhur nëpër dyqane ose për të takuar ndonjë njeri nga të Ambasadës. Në orën 11.30 nuk ka qenë në dhomë. Dhomën e ka lënë rrëmujë të hapur. E takuam jashtë para monumentit të V. I. Leninit. Tha: “Dola pak për ajër”. Të nesërmen u vërtetua se kishte dalë nëpër dyqane. Këtë e tha vetë.

Agimi një ditë, pasi grupi ishte në Ambasadën jugosllave, është takuar për më shumë se një orë me përfaqësuesin e shoqërisë së aviacionit jugosllav JAT. Na tha: “Këmbeva disa dinarë”.

Gjatë udhëtimit për në Hanin e Hotit, Qamil Batalli në prani të Vehbi Kikës tha se kishte biseduar me Agimin për më se dy orë, e kishte lënë të shprehte mendimet e veta për vizitën. Qamili tha se Agimi kishte ndryshuar shumë gjatë vizitës. Të tjera mendime kishte në ditët e para, të tjera më vonë. Dhe, siç deklaroi Qamili, në mos qoftë propagandist i sukseseve të Shqipërisë, kur të kthehet në Kosovë, do të jetë një njeri që nuk do ta gëlltitë propagandën bajate që bëhet kundër jush. U bë mirë që erdhi Agimi në Shqipëri!

Agimi, në fillim i heshtur, mbas ditës së pestë dhe të gjashtë, nisi të hapet. Më rrallë fliste në prani të të tjerëve, më tepër në veçanti, por përsëri përpiqej t’i peshonte mirë fjalët dhe nuk bisedonte gjatë.

Dy ditët e fundit ka biseduar më shumë me Vehbiun e Qamilin. Kështu na thanë. Dhe i ka çuditur ata me konsideratat e miratimet për vendin tonë. Këtë e kemi vënë re edhe ne.

Në darkën e lamtumirës, Agimi ka biseduar gjatë me profesor Androkli Kostallarin, që e kishte pranë. Bisedën e nisi me problemet e gjuhës shqipe dhe të albanologjisë dhe kaloi në disa probleme të tjera.

Ai, ashtu si edhe të tjerët, i foli profesor Androkliut për konsideratën e lartë, për sukseset e studimeve shqiptare në fushën e albanologjisë, për rolin e tyre në zhvillimin e gjuhësisë shqiptare në Kosovë. Ai tregoi se përmbajtja e lartë cilësore e studimeve albanologjike (botimet dhe ligjëratat), mendimi teorik shkencor dhe përpunimi i gjuhës kanë lënë gjurmë në shkollat dhe në inteligjencën e Kosovës. Ai tha: “Kongresi i Drejtshkrimit është vlerësuar shumë dhe ka ushtruar ndikim të madh në Kosovë. Jehona e tij vazhdon edhe sot, jo vetëm në qytetet, por edhe tek arsimtarët e fshatrave, të cilët janë shumë të etshëm për dije. Arsimtarët e fshatit kërkojnë tekste mësimore shqiptare, sidomos për lëndët gjuhë e letërsi”.

Kur Agimit iu dorëzuan librat, dhuruar nga Instituti i Gjuhës dhe letërsisë (vëllimet mbi Kongresin e Manastirit dhe mbi Kongresin e Drejtshkrimit, mbi normat e gjuhë letrare si dhe dy vëllime me përmbledhje studimesh gjuhësore), tha: “Ky është një nder shumë i madh për mua. Këto libra do t’i mbaj në një vend të dukshëm, si librat më të çmuara që kam në shtëpi”.

Duke folur për futjen e normave të gjuhës letrare, Agimi tha: “Tani bëhet përpjekje që edhe në botimet tona të kultivojmë gjuhën e sotme letrare shqipe. Bile edhe në gazetën e pionierëve përpiqemi të zbatojmë rregullat e sprovuara nga Kongresi i Drejtshkrimit. Në Kosovë tani thuhet: të shkruajmë me gjuhën e gazetave e revistave ‘Drita’, ‘Zëri i Popullit’, ‘Nëntori’ dhe ‘Mësuesi etj. Te shkrimtarët tanë vihet re një përpjekje e dukshme në këtë drejtim. Në qoftë se ndonjë gjë nuk e kemi arritur në shkallën e duhur, kjo nuk ndodh se ne nuk dëshirojmë, por sepse kaq janë fuqitë tona, kaq e njohim gjuhën letrare. Por, ne jemi optimistë për të ardhmen”.

Agimi, pasi ngriti lart sukseset në fushën e albanologjisë, profesor Kostallarit i tha se para se të vinte në Shqipëri, kishte dëgjuar fjalë të mira për Shqipërinë, në përgjithësi për zhvillimin e vendit pas çlirimit. Ndërsa, nga tregimet e babait dinte se Shqipëria para çlirimit ka qenë një vend i prapambetur dhe i mjeruar. “Ato që pashë me sytë e mi”, vuri në dukje Agimi, “sidomos veprat e mëdha të pesëvjeçarëve, objektet e reja si Kombinati Metalurgjik i Elbasanit, uzina e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, zona e naftës, ndërtimet e sistemimet bujqësore, pallatet e kulturës, pallati i pionierëve e shumë objekte të tjera më mahnitën. Ato që pamë i tejkaluan shumë parashikimet tona jo vetëm të miat, që jam i ri, por edhe të shokëve të mi, më të moshuar. Me këto realizime Shqipëria pas 5-7 vjetësh do të bëhet një vend që ka për t’ua kaluar të gjithëve (dhe këtu iu mbushën sytë me lot)”.

Duke folur për babin e vet, Veli Devën, i cili tani është drejtori i Kombinatit të Trepçës (sipas tij këtu ka ardhur me kërkesën e punëtorëve, Veliu është akoma në forumin e lartë udhëheqës në Beograd, por formalisht, deri në zgjedhjet e reja), Agimi vuri në dukje thjeshtësinë dhe karakterin popullor të babait.

Ai deklaroi: “Babai na porosit ne fëmijëve të vet, mos harroni se jeni nga një familje e varfër, se babai i juaj ka vuajtur për bukën e gojës, mos harroni origjinën tuaj, jetoni thjeshtë dhe vetë bën një jetë të tillë. Na këshillon të mos ndjekim modat në veshje, në mënyrën e të sjellurit. Ne kemi në disa qytete bijtë e disa të pasurve me mirëqenie, që ndjekin modat ekstravagante e që nuk mësojnë në shkolla. Në masë rinia kosovare jeton thjeshtë. Fshatarët nuk kanë kohë e mundësi me u marrë me modat. Mësuesit e fshatit, për shembull, edhe japin mësim, edhe punojnë tokën e tyre në fshat.

Babai flet me nostalgji për Shqipërinë, na kujton vitet e fëmijërisë dhe të rinisë, kohën kur i doli bursa në Krumë për të vazhduar gjimnazin e Shkodrës, na tregon vendet ku ka mësuar e luftuar në Shqipëri, për shokët e tij, që tani janë bërë kuadro e thekson ata janë bërë të tillë sepse kanë qenë njerëz të thjeshtë, sepse luftuan me armë në dorë për çështjen e atdheut. Babai më la edhe një porosi, po të më jepej rasti t’i transmetoja të fala shokut të tij të ngushtë të klasës dhe të jetës në konvikt, Demlush Thaçit. Më tha: jepja të falat Demlushit, në qoftë se ai ka pasur qëndrim të mirë deri në fund, jo vetëm gjatë luftës, por edhe më pas, dhe në qoftë se dhe tashti nuk është në pozita armiqësore me partinë. Këtë porosi desha t’ua thosha shoqëruesve, por ndruhesha në fillim. Kur pashë prirjen e ngrohtë që m’u bë, mora guximin dhe po ju them”.

Agimi tha se babai ka nostalgji të vazhdueshme për shokët e shkollës në Shqipëri, dhe po të vinte ndonjëri prej jush (iu drejtua prof. Kostallarit), që keni qenë në një konvikt, do ta pinte me gjithë qejf një kafe me ju.

Agimi dy herë iu afrua profesor Bedri Dedjes t’i shprehë një mendim duke thënë letërsia shqipe për fëmijë ka arritur suksese të mëdha dhe propozoi që të bëhet një antologji e përbashkët e letërsisë për fëmijë në gjuhën shqipe për të cilën ai do të merrte përsipër, nëpërmjet shtëpive botuese jugosllave, ta botonin në gjuhë të huaja. Agimi e përsëriti këtë mendim në takimin e parë dhe në darkën e mirëseardhjes.


Zbulohen detaje të reja me interes në relacionin e vitit 1973 për vizitën 12 ditore të pesë shkrimtarëve kosovarë në Shqipëri. Pas prezantimit të të dhënave të detajuara për katër shkrimtarët e parë, Vehbi Kikaj, Qamil Batalli, Rifat Kukaj dhe Agim Deva, në relacionin e Odhise Grillos e të Hamit Boriçit flitet edhe për gazetarin Maksut Shehu, i cili u ka lënë edhe përshtypjet më negative shoqëruesve nga Tirana. Ata nuk raportojnë më vetëm prirjet dhe provokimet e tij politike, por edhe shumë detaje intime rreth shkrimtarit, duke e akuzuar për marrëdhëniet e ekzagjeruara me pijen dhe femrat.
  
 

Maksut Shehu

Sipas Grillos dhe Boriçit, edhe Maksut Shehu interesohej nëse Shqipëria dispononte apo jo raketa dhe pyeste detaje rreth fletërrufeve. Ata veçojnë edhe thënien e kolegëve të Shehut, sipas të cilëve ai kishte udhëtuar si reporter në më shumë se 60 vende të botës.

Pasi mbyllen shënimet për gazetarin Shehu, në relacion jepen të dhëna të tjera të përgjithshme për grupin. Ndër bisedat që ata evidentojnë janë ato për shkrimtarët brenda kufijve të Shqipërisë, si Kadare, Agolli apo Jakov Xoxe.

“Nga autorët e letërsisë për të rritur duan shumë Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin e Jakov Xoxen, pëlqejnë Agim Shehun etj. Këta janë kundër kritikës së Rexhep Qoses për Ismail Kadarenë. Thonë: edhe sikur të jetë e drejtë kritika, nuk është në interesin tonë një gjë e tillë”, shkruajnë në relacionin e tyre Grillo dhe Boriçi, duke zbuluar rrënjët e hershme të fërkimeve mes Qoses dhe Kadaresë. Pjesën e tretë të këtij dokumenti, e sjellim si më poshtë, ndërsa nesër do të jetë edhe pjesa e fundit e tij.

Maksut Shehu në fillim na tha se kishte disa ditë që ishte pa punë, pasi qe larguar nga RTV e Prishtinës, për arsye të kushteve të vështira dhe se së shpejti do të kalonte përsëri në “Rilindja”. Më vonë vazhdimisht thoshte se punoj në “Rilindja”. Duket se është kuadër i vjetër dhe besnik i regjimit titist. E mburr shumë Titon dhe Fadil Hoxhën. Ndonjëherë edhe Veli Devën.

Në vitin 1948 thotë se ka qenë zv.komandant i brigadës kosovare në rrugën Sanaç Sarajevo, ku ka punuar edhe brigada shqiptare “Qemal Stafa” (brigada shqiptare në atë kohë ikën nga aksioni). Thotë dhe të tjerët e aprovojnë se ka qenë në rreth 60 shtete si reporter. Më 1967 ka qenë në Bashkimin Sovjetik, por pretendon se nuk shkroi asnjë rresht pasi ndodhën ngjarjet e Çekosllovakisë dhe ky nuk solidarizohej. Duket se ka urrejtje për sovjetikët e për sllavët në përgjithësi.

Është nevrik, grindavec, mendjemadh, feminist dhe pijanec. Kudo do të duket, t’i shkojë e tija dhe ka shpirtin e kundërshtimit. Mburret se është takuar me njerëz të mëdhenj, si Nehru, Arafat, se ka shoqëruar e përsëri është ngarkuar të shoqërojë Titon nëpër shtete të tjera. Tha: “Sa të kthehem do të shoqëroj Titon i cili do të vejë në Indi për të marrë çmimin Nehru”. Një herë tjetër tha: “Na kanë ftuar të zgjedh se ku dëshiroj të shkoj korrespondent i “Rilindjes”, në Paris, Londër, Moskë, Vashington. Unë nuk dua të largohem se kam fëmijë. Dëshiroj të vij korrespondent në Shqipëri”.

Disa herë është grindur me shokët e vet dhe i ka ofenduar rëndë edhe në sytë tanë. Shokët e tij, me përjashtim të Agim Devës, heshtnin. Bile dhe Qamili që me sa na thanë e kishte dajë Maksutin. Kur ishim në Gjirokastër e në Sarandë, dy ditë rresht piu konjak që nga mëngjesi gjer në darkë. Kur ishte i pirë tentonte të takonte njerëz të ndryshëm dhe të bisedonte me ta. Kur bisedonim, shpeshherë thoshte: “E di, e di këtë gjë, pasi e njoh mirë Shqipërinë”. Kur i tregonin ndonjë ngjarje, objekt apo hero tonin, ai përnjëherësh mundohej të kalonte në ndonjë ngjarje, objekt apo hero jugosllav.

Në varrezat e dëshmorëve në Tiranë foli për Sutjeskën dhe dëshmorët e saj, në Gjirokastër kur pamë përmendoren e Bule Naipit dhe të Persefoni Kokëdhimës, na foli për heroinat e Beogradit që kishin rënë gjoja qysh më 1941, bile edhe më të vogla në moshë etj. Përsëriste vazhdimisht se do të shkruante mirë për Shqipërinë dhe nuk do të pranonte asnjë kompromis me botuesit. Interesohej shumë për çmimet dhe rrogat. Na ka pyetur disa herë për këto. Donte të dinte nëse kemi raketa. Këtë pyetje e bëri duke udhëtuar për në Sarandë kur ishte i pirë. Kur mori përgjigjen se ne kemi çdo gjë për të dëmtuar armikun, bëri sikur u entuziazmua.

Nuk linte rast pa u mburrur për djalin e vet që e quakan Mehmet Shehu. Kur fliste për udhëheqësit tanë thoshte: “Enver, Mehmeti”, ne shtonim: “Shoku Enver, shoku Mehmet”, ai thoshte “dakord, dakord”.

Duket se e njihte shtypin tonë, sepse përmendte emra gazetarësh e artikujsh nga “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”. Është interesuar për një Hamit i cili ka qenë shok i ngushtë i vëllait të tij dhe tani duhet të ishte me pozitë në sigurim. Ky Hamit paska qenë në Beograd, në ambasadën tonë, pas çlirimit. Ne i thamë se nuk njohim një Hamit të tillë. Me siguri e kishte fjalën për Hamit Keçin.

Donte të dinte hollësira dhe pyeste për shkrimtarin Kapllan Resuli (pse u dënua, sa u dënua etj.) dhe e shau duke thënë: “Edhe njerëzit e tjerë të familjes i ka spiunë”. U interesua dhe për Mustafa Greblleshin. Kur i thamë se në Kosovë është shkruar për Mustafanë dhe i është ribotuar një vepër (“Ditari i një bojaxhiu”) bëri sikur harroi dhe tha: “Po, po, më kujtohet, jam hutuar”.

Bënte vazhdimisht sikur interesohej për “Kapitalin” e Marksit dhe deklaronte se dy vëllime i kishte në shtëpi dhe i lexonte. Priste të dilte i treti. Në të vërtetë i treti ka dalë prej kohësh. Lidhur me këtë tha se “edhe në Jugosllavi, në shqip, së shpejti do të botohen gjithë veprat e klasikëve të marksizëm-leninizmit”. Interesohej gjer në hollësi, të dinte ç’rrugë ndjekin fletë-rrufetë, kur i kritikuari pranon, kur nuk pranon etj. Bile shpesh na thoshte me shaka se do të na vinte fletë-rrufe neve shoqëruesve për kujdesin që treguam.

Disa herë na foli kundër Ibrahim Uruçit dhe tha se gjoja e kishte njohur që ishte njeri i keq dhe e kishte sharë qysh në Kosovë.

Shpesh përsëriste se ishte partizan dhe komunist i 41-shit (ai vetë ishte i datëlindjes 1930). Kur u zu në gojë puna e Lindjes së Mesme, tha se e kishin caktuar korrespondent të “Rilindjes”, por nuk pranoi të shkonte se e dinte përgatitjen e dobët ushtarake të arabëve.
 

Maksuti në një bisedë për Ismail Kadarenë deklaroi: “Parisi ka marrë përsipër t’i japë çmimin ‘Nobel’ Ismailit, pasi, siç dihet, prej andej janë propozuar shumë njerëz që e kanë marrë”. Vehbiu iu përgjigj: “Nuk e besoj ta propozojnë, pasi zakonisht këtë çmim e marrin antikomunistët”.

Ne mendojmë se Maksuti është një tip sharlatani e aventurieri, që tashmë është shfrytëzuar dhe i është pirë lëngu. Megjithatë, dukej se shokët e tjerë, me përjashtim të Agimit, ia kishin frikën.

Maksuti disa herë është takuar me atasheun jugosllav në “Dajti”. Ka qëndruar me të veçmas e ka biseduar gjatë. Ditën e fundit atasheu kishte shkuar në dhomën e Maksutit në “Dajti” dhe vonuan të zbrisnin. Telefonin e kishin lënë hapur. Kur zbritën, Maksuti kishte një pako me cigare “Kent”, prej të cilave u dhuroi edhe shokëve.

Maksuti deklaroi se “para se të vinte në Shqipëri takova Fadil Hoxhën në Prizren ose Pejë”. Sipas fjalëve të tij, edhe ai u gëzua dhe më tha që “t’u bësh të fala të gjithëve në Shqipëri, edhe atyre që më duam edhe atyre që s’më duan”.

Ata, në bisedat e ndryshme me ne, dhe me të tjerët, ngritën një sërë problemesh, që mendojmë se duhen pasur parasysh:

- Vihet re se grupi, me përjashtim të ndonjërit, ishte tërësisht nën ndikimin e propagandës armiqësore, që është bërë dhe bëhet ndaj vendit tonë. Këto evidentoheshin në pyetjet e shpeshta, në çudinë e tyre si në Shqipëri u jetuaka mirë, si njerëzit qenkan kaq të lirë, si paska njerëz kaq të veshur mirë, nuk paska policë e mitraloza në rrugë. Ndonëse hiqeshin se ishin të mirinformuar për realitetin tonë, prapëseprapë u shpëtonin dyshimet e tyre.

Kjo konkretizohet edhe nga konkluzionet e përgjithshme që kanë arritur ata gjatë vizitës, konkluzione të shprehura në veçanti nga secili, por dukej se ishin bashkëinformuar. Ja konkluzionet e përgjithshme:

1. Sukses i madh për Shqipërinë është zgjidhja e problemit të punës. Në Kosovë e në Jugosllavi ka papunësi të madhe. Njerëzit janë të detyruar të mërgojnë për punë.

2. Konfirmuan unanimisht të arriturat e shkëlqyera në fushën e arsimit, të shkencës, të arteve dhe të kulturës. U ka lënë mbresa karakteri masiv e popullor në këtë fushë.

3. Tërhoqën vëmendjen e tyre ndërtimet e shumta dhe ndryshimet që kanë ndodhur në vendin tonë, qytetet e rinj që kanë lindur (si Laçi), kënetat që janë tharë (si Kakariqi), fshatrat që janë kthyer në qytete (si Kavaja, Lushnja etj.).

Atyre u lanë mbresë veprat e mëdha të pesëvjeçarëve, sidomos Metalurgjiku i Elbasanit, Azotiku i Fierit dhe zonat naftëmbajtëse, dhe shprehën mendimin se si mund të ndërtojë kaq shumë një popull i vogël. “Ne”, thanë ata, “për të ndërtuar një rrugë tetë kilometra në Prishtinë duhet të marrim lekë nga bankat amerikane”. Përmendën se në Kosovë ka disa vjet që ka filluar të ngrihet një kombinat i vogël dhe akoma nuk po mbaron.

U ka bërë përshtypje sidomos rregulli e pastërtia nëpër qytetet ku kaluan.

U bëri përshtypje që nuk panë veçse 10 policë gjatë gjithë kohës që qëndruan këtu, që nuk panë lypës e pijanecë, që nuk panë grindje e aksidente automobilistike dhe femra rrugësh. Këto i shprehën edhe veç e veç edhe bashkërisht.

Kur jepnin këto mendime të përgjithshme, ata bënin krahasimin me Kosovën dhe me tërë Jugosllavinë, duke nxjerrë indirekt se atje ka shumë policë, pijanecë, lypës, femra rrugësh etj., dhe ndodhin shumë katastrofa automobilistike.



Disa çështje të tjera:

1) Për letërsinë shqiptare, të gjithë thanë fjalët më të mira për tematikën, formën artistike dhe përmbajtjen e saj, duke vënë në dukje rolin dhe ndikimin e frytshëm që ushtron ajo në Kosovë.

Të interesuar për letërsinë për fëmijë flasin me respekt për shkrimtarë të ndryshëm shqiptarë për fëmijë, për krijimtarinë e studimet në këtë fushë të profesor Bedri Dedes, për librat e mjaft autorëve që gëzojnë popullaritet e simpati si të Xhevat Beqarit e Odhise Grillos, Adelina Mamaqit e Gaqo Bushakës, Skënder Drinit e Bekim Gaçes etj.

Ata kërkuar disa herë bashkëpunim më të dendur në fushën e botimeve dhe të studimeve për letërsinë shqiptare për fëmijë, duke bërë edhe studime të historisë, të veprave, të autorëve dhe të problemeve të letërsisë shqiptare për fëmijë.

Nga autorët e letërsisë për të rritur duan shumë Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin e Jakov Xoxen, pëlqejnë Agim Shehun etj. Këta janë kundër kritikës së Rexhep Qoses për Ismail Kadarenë. Thonë: edhe sikur të jetë e drejtë kritika, nuk është në interesin tonë një gjë e tillë.

2) Për shqiptarët që shkojnë në Kosovë janë të kënaqur dhe vlerësojnë kontributin e tyre për çështjen e arsimit, kulturës dhe të shkencës shqiptare. Pëlqejnë shumë ligjëratat e profesor Androkli Kostallarit. Për të thanë: “Vetë përgatitja e tij, ligjëratat me kualitete të larta shkencore janë propaganda më konkrete për Shqipërinë, pa qenë nevoja për të bërë propagandë direkte”.

Mirë flasin, në përgjithësi, për pedagogët tanë, sidomos për ata të fushave të albanologjisë.

3) Për vizitën e Titos në Bashkimin Sovjetik, mendimi i përgjithshëm i tyre është se Tito ua ka frikën sovjetikëve, sepse vendet e paangazhuara janë një zinxhir i kalbur. Tregojnë se në ditët e ngjarjeve të Çekosllovakisë, në Beograd u bënë dy mitingje të mëdhenj, ku personalitete shtetërore dhe të Lidhjes së Komunistëve jugosllavë dënuan veprimin e sovjetikëve. Të nesërmen ambasadori sovjetik në Beograd, pa kërkuar audiencë, pa paralajmërim, shkon në rezidencën e Titos dhe duke i dorëzuar notën e protestës së qeverisë sovjetike për qëndrimin zyrtar të Jugosllavisë, e kërcënuan atë për pasoja të rënda.

Tito i përulet ambasadorit dhe shkon gjer atje sa i lutet atij të interpretojë drejt e me dashamirësi faktet se, në rastin e dhënë, zyrtarët e partisë dhe të shtetit jugosllav nuk mund të vepronin ndryshe. Populli ishte indinjuar. Dhe me popullin nuk mund të biem në opozitë. Kemi problemet e hallet tona të brendshme. Këto fjalë janë të shënuara në një protokoll të mbajtur në këtë takim. Dialogu i acaruar mes Titos dhe ambasadorit sovjetik, u ka rënë në duar këtyre në Deçan.

Të tjera mendime për vizitën e Titos në bashkimin Sovjetik.

- Sovjetikët ia kanë nevojën Titos se gëzon popullaritet dhe respekt të madh në botën e paangazhuar.

- Tito kërkon ndihma të reja. Gjendja ekonomike tek ne është shumë e rëndë. Shteti është zhytur në borxhe.

4) Për luftën në Lindjen e Mesme, shprehën mendimin (disa) se nuk janë të përgatitur për luftën me Izraelin, se nuk janë trima etj. Duhet ta zgjidhin problemin në OKB (mendimi i Maksutit).

- Ndihma e sovjetikëve për arabët, sado e madhe që të jetë, nuk i nxjerr dot nga balta. Bashkimi Sovjetik e kreu detyrën e vet.


Shoqëruesit:
Hamit Borici
Odhise Grillo

Tiranë, nëntor 1973


Shkrimi është botuar në Shqiptarja.com (print) në 1 Gusht 2014

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen