Sonntag, 7. Dezember 2014

Naim Fetaj - Një buqetë me poezi

 
KUR NISËN ATA...
( Refugjatët )
 
Botën e marrin n'sy si qiellin t'bardhat re
Në një çantë me zhele...i miri Atdhe
 
Shpirti u prinë pērpara... dhembja i ndjek pas
Mes njëmijë të zezave...plas moj zemer plas
 
Lotë e gjak përtokë veç ëndërra për qiell
Dimri merr krejt vitin...dhe e diela pa diell
 
( Hornberg: 26.11.2014.)
 
 
 
LIRIA IME...
 
Përditë e ngapak unë tash
Hatri yt po vdes...
 
Gjysmën time ti e varros në mbremje
Mes varresh gjysmën tjeter...
Vajton çdo mengjes
 
Kur ndahen dita e nata
Veç qyqet mes nesh...
 
 
 
NË KËTË PERVJETOR
( Për I.Rugovën...si urim...)
 
Në këngë a histori veç ditëlindja thuhet
Se ditëvdekja jote...veç tek varri shkruhet
 
Ndaj rigojnë tash sytë e shi nuk i thonë
Se ditëvdekja jote...vdiç në zemren tonë...
 
7. 12. 2014
 
 
 
UNË E HIJA IME...
 
Ik e ik nga vdekja
Ik e ik nga vetëvetja
 
E Bunëdrinas... sa vetë jeta
 
Ah... si re e zezë kur ikën pas furtunës
 
Unë herë bregut... të Drinit
Unë herë bregut ...të Bunës
 
...E shpirti n'maje të hundes
 
Me dhembjen nëpër këmbë
E vdekjën ndër dhemb
 
Po majekrahut...gjithëmonë një këngë
 
E krejt pak bukë në strajcë
E do fisheke me t'ngjehur...
 
Veç ik ...e ik...e ik
Edhe nga hija ime ...gjithëmonë i pandehur
 
( Hornberg,29.10.2014.)
 
 
 
 
KUR ERDHE TI

Krejt një det me këngë...një histori krejt
Me dorën tënde ti i bëre meit...
 
Më i shpejt se vdekja ishe ...më i shpejt
Këtu vdekja vdiq the...tek Ura e Fshejt
 
Sa shumë te besuam
Sa shumë na ke rrejtë...
 
 
 
LOTI I NËNËS
 
Kur loti i saj pikon e goja nuk flet
Brigjeve të dhembjes...tundet krejt një det
 
Medet....
A ka ma kijamet...
 
 
 
BIMA E DREQIT
 
As Ora e Ligë... ty s'të hanë
S'të vret as ...Syri i Keq
 
Veç ata t'prrojeve
Rreth qafë sate rrinë
 
Dreq e deli dreq...
 
Dhe hasha ...m'hasha ...kenga
Prore të vjen pas
 
He... mo Zo' më keq ....
 
 
 
LIRI-A
 
Ajo...
Nuk vritet veç me plumba
 
Edhe buzët bukurinë ja brejnë
Kur shpirti vjen te hunda
 
( Përditë e ngapak... tash na vret moj nënë
Ah...Liria jonë...
Me nderë me thënë )
 
 
 
PORTRET I NJË PLAKE
 
Sa shumë.. sa shumë kishte hjekur ajo
Se ishte si Orë Mali ...mbi atë derë
 
Ndonëse plotë shtëpinë e la
Po dera u mbyll ...me therrë
 
( Era e bukës ... as gazi
S'u ndien më asnjëherë )
 
Mbi pulat e dergjura tash
Veç strehet pikojnë...
 
Veç tik... e tik... e tik
Pikëllueshëm dimer e verë....
 
 
 
SI POROSI...
 
Me shpirt ndër dhemb
E me zorrë nëpër këmbë
 
Udhës së pa udhë.. mos hy
 
Vraje edhe vdekjën ne vend
Po rri këtu...veç rri..
 
Se nëna të rri mbi kry...
 
 
 
KOSOVË...
( Për Zeqë Istrefaj ...dëshmorin e fshatit tim )
 
Ty të mbante ai në zemer...
E përmbi pushkë dorën
 
Për lulet e tua ...me gjak e shkriu borën
 
I përgjaku lisat
Lëndinat dhe shkëmbin
 
Majave më të larta ta ka shkruar emrin
 
Dhe tash kur shkrihet bora
Lartë... te Guri i Nuses
 
Dritë bënë gjaku i tij...lëndinave të lulëkuqës
 
( Strellc, gusht, 2014 )
 
 
 
GJAK... PO M'KULLON SHTATI
 
Sa shumë paskam fjetur...m'paskan pre në ëndërr
Tinëzisht si Akilin ...m'paskan prekur n'thember
 
S'un po rri as n'këmbë... as ta luaj shpatën
Diten po m'vajtojnë tash ...po m'pērgjakin natën
 
Për Bregun e Diellit më dogji një mallë
Dielli e hëna tash...atë kanë më e kallë
 
As këngë s'do të ketë ...dritëhijeve të hënës
Veç dënesje e vajë...mrizeve të mira të nënës
 
Se më prenë besë...nën hije tek rrapi
Si Gjergj Elez Alis...gjak po m'kullon shtati...
 
 
 
KOSOVA
 
Me njëmijë plagë në trup...rrugëton qe njëmijë vjet
Tash si zorrë rreth qafe ...ju lidh kërthiza e vetë
 
Shpirti ...në dy dej i mbet
Medet...medet...
 
 
 
...PËR FLETORET E MIA...
 
U zverdhen edhe ato...si vjeshta
E u kthyen krrut si unë
E u mbushën pleshta
 
Fletoret e mia...ku shkrova vjersha
 
( Po të rënda janë...si kreshta )
 
2.
Plotë shpuzë duhani
Mes tyre çdo kund
Mes vjershave qe s'u gjeta fund
 
Qeshen tash me mua
E më pordhonojnë
 
Netët pa gjumë kur mi kujtojnë
3.
Mjaftonte veç drita e hënës
Tinëz ta lotoja ...mungesën e nënës
 
Edhe për Atë-Dhenë...për femijërinë
Sa herë përmbi to ...vajtova dashurinë
 
( Sa zhurmë bëjnë tash ...kur zgjohen zanoret
Gjithçka ...kur nis e flet
Aty ku shkrova vjersha... qe dyzet vjetë)
 
4.
Janë tkurrë sa shumë janë tkurrë
Si fytyta ime janë rrudhë
 
Vjershat qe nuk i botova kurrë
 
(Atëbotë...nuk guxova
Tash s'i do kush ... o burr...)
 
5.
Mbi to tash nganjëherë
Zbret vetë Përendija
Kur nisin e dënesin fletoret e mia
 
Lulak...s'u lidhka poezia
 
6.
( Përmbi to...gati jam vërbuar
Ode hyqymetit...kurrë nuk i kam shkruar )
 
 
 
LETER NIPIT TIM...NORIT
( ...dhe jo vetem atij )
 
Ikja...veç rrugëve qorra të shpie
Migjo...

...Për varre... s'kemi as tokë
 
( E di ç"do të thuash...e di
...me shokë...)
 
Rri...aty rri ...lum baca
Atë lumin e mirë të vendëlindjës
Ndiqe....
 
Më mirë një vit ...bilbil tek ato mrize
Se rrugëve të botës..gjithë jetën si qyqe
 
___________
Poezitë i "vodhëm" nga profili i poetit në Facebook