Freitag, 18. Dezember 2015

A mund dhe si mund të ndihmohet funksionimi i LKSHM-së ?


A mund të ndihmohet dhe si mund të ndihmohet funksionimi i mëtejmë i LKSHM-së

Shkruan: Brahim Ibish AVDYLI

Një pjesë të vogël të këtyre pikëpamjeve e kam thënë në Kuvendin e dytë zgjedhor të LKSHM-së , të mbajtur në Kostanz të Gjermanisë, me 21 e 22 nëntor 2015.

Por, meqë, duke e parë se linjat e mia kryesore nuk mund të pranohen plotësisht, vendosa t`i botoj në formën e një shkrimi gazetaresk, pa e ndyshuar thelbin e tyre.

Mendoj se kështu është mjaft e rëndësishme të shprehen disa pikëpamje të miat, të shkruara për Kuvendin e II-të të LKSHM-së, megjithëse më është thënë disa herë, se nuk mund të lexohen, ose disa pjesë konkrete mund të thuhen nesër, etj. përveç asaj që ndodhi të nesërmen, deri sa po flisja, dhe më është ndërprerë disa herë fjala prej ndërhyrjeve të parregullta, çka nuk guxon të lejohet. Kur kryetari i nderuar i LKSHM-së, Hasan Qyqalla, t`a jep fjalën, të tjerët mund dhe duhet të ndëgjojnë…

Të gjitha aktet e nevojshme të Kuvendit të II-të, në të vërtetë, nuk i kemi pasur, sado që thotë sekretari financiar apo arkatari, Mentor Thaqi, që i ka dërguar, sepse edhe e-mailet e tij mund të pengohen nga të tjerë, dhe as konsultime të gjithanshme nuk kemi pasur, në raport me të gjitha vijat e Kuvendit, pos atyre që na i ka thënë vetë Kryetari i Kryesisë së LKSH-së, zotëri Hasan Qyqalla.
Meqë LKSHM-së ia duan të mirën dhe vetëm të mirën, duhet t`i themi se të gjithë ne shkruajmë e flasin SHQIP, jetojmë porse në mërgatë, dhe pjesa dërmuese e jona është e shtrirë gjërë e gjatë në Evropë, si kontinent dhe bashkësi, pra nuk mund dhe nuk guxojmë t`a quajnë “letërsi e mërgatës”, sepse jemi të lidhur prore me atdheun shpirtëror, në të gjitha pjesët e tij, në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën Lindore, në Maqedoni, në Greqi, në Turqi e në Itali, dhe shumicën e veprave tona i bëjmë nëpër shtrirjen e Atdheut dhe jemi shkrimtarë shqiptarë e jo të mërgatës; aq më pak nuk duhet t`a denigrojnë me fjalët greko-italiane “krijuesit e diasporës”, sepse, për këte kam diskutuar dhjetra herë, e në veçanti, edhe një vepër e imja quhet tërësisht kështu “Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj”, për çka ne e dimë rolin primar të mërgatës së Zvicrës në pavarësinë e Kosovës, e më tej.

Pra, kam nderin t`u përshëndes për guximin e për gadishmërisë tuaj që të merrni pjesë në Kuvendin e II-të zgjedhor të LKSHM-së, por duhet që të përcjellni pak më me vemendje punimet e Kuvendit, e të shkrimtarëve të veçantë, sepse janë mjaft të rëndësishme. Ju e ndëgjuat pak a shumë edhe profesorin e nderuar, Prof. Dr. Isak Shemën, të cilin posaçërisht e përshëndes, dhe duhet të bëni për të ardhmen tuaj ORGANIGRAMIN, jo sikur vijëzimet e deritashme. Duhet të kuptojmë se çka është ORGANIGRAMI dhe si bëhët ai dhe kujt i drejtohet, pra të bëjmë kështu provat e nxerrjes së LKSHM-së nga kjo gjendje, pothuajse mjaft të vështirë, pas themelimit të LKSHM-së, sepse, kështu ajo e ka të vështirë frymimin e saj, si LKSHM.

Askush nuk do të na ndëgjojë për ekzistimin e vijën e ardhshme të LKSHM-së, për frymimin e funksionimin e mirëfilltë, përdisa përmbahemi vetëm nga disa persona sekondarë e jo nga shkrimtarë tejet të rëndësishëm.

Nuk jemi “krijues” sekundarë të “diasporës”, por shkrimtarë të mirëfilltë shqiptarë që mendojmë gjithnjë e në mënyrë permanente përparimin, afrimin e bashkimin e të gjitha trojeve etnike e autoktone të shqiptarëve. Ne, duhet të na njohë e tërë bota si shkrimtarë; të na ndihmojë e të financojë, sepse nuk shoh asnjë gjermanë në tërë tubimin tuaj zgjedhor, e lere më të tjerë, përpos dy përfaqësusve të Konsulatës së Republikës së Kosovës nga Frankfurti, të cilët kam nderin që t`i përshëndes.

Këtë punë e bëjmë nga vetja, nga mjetet tona, ndonëse në vija shumë të rënduara e të finanzuara poashtu nga xhepi vetiak, duke ia falur këto libra njëri-tjetri, e aspak të financuara nga instancat vendase dhe as ato gjithëshqiptare…
Unë, me mjetet e mija personale dhe pak a shumë edhe me kontributin tuaj, kam marrë pjesë në disa takime dhe në manifestime tuaja, në Koblenz, në Ennepetal apo në München të Gjermanisë, për çka edhe jam krenar që e kam pasur një vend që të pranojë e të më kupojë si poet e shkrimtar, por më shumë i lexojmë punimet tona në mes të njëri-tjetrit, dhe aspak nuk ka të tjerë. Ne nuk krijojmë për vetveten, por për kombin e përqarë e të sakatuar nën politikat e fqinjëve grabitës e antishqiptare, mes për mes të “politikës” sonë lypsarake, korrupsioniste e të fryrë, prej pesë copave të atdheut tonë shpirtëror, dhe nga kjo gjë të vjen të copëtosh veten, sesa të ekzistosh.

Po e them edhe njëherë se jam krenar për tërë disponimin dhe përcaktimin tuaj, por nuk duhet të shkojmë në Kosovë për organizuar ne, sepse atje mund të marrim pjesë si shkrimtarë shqiptarë duke qenë edhe anëtarë të Lidhjes së Shkimtarëve të Kosovës, por duhet të shërbehemi me fondacionet e botës, si shkrimtarë shqiptarë.

E kemi botuar një “Promenadë mërgimtarësh-takimet tradicionale të krijuesve nga mërgata dhe diaspora”, Prishtinë 2014, por kjo është botim i dorës së tretë. “Flas me heshtjen” thotë Mustafë Krasniqi, por të flasësh me heshtjen është të mos thuash asgjë, të flasësh e të mos ndëgjojë askush ose të të lënë si të lajthitur. Nuk flitet me heshtjen, por flitet me zë të qartë, me jehonë, me diapazon, të qetë e me respekt…

Më duhet të them se kulmi i bashkëpunimit ka qenë me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptare “Aleksandër Moisiu” të Austrisë, në bashkëpunim e në udhëheqje të personaliteteve të “Europa-Literaturkreis”, e në mirëpritje si nikoqir të “Internationaler Verein-Kapfenberg”, në Kapfenberg, por po them se ky takim letrar ka qenë një takim shumë i mirë, gjermanisht, me lavdërime, pa marrë parasysh se kam bashkëpunuar me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe të Artistëve “Papa Klementi XI Albani”, nga Suedia, të cilët i përshëndesh dhe i përkrah gjithashtu.

Dihet, se ndër të parat, na përcjellin vështirësitë finaciare, por edhe mostoleranca partiake, politike, rajonale, të stilit e të atyre shoqërore. Kombi ynë etnikë autoktonë shqiptar jeton me këto veçanëri, në një territor të gjërë në Europë, edhe në mërgatë, duke përfshirë edhe ato fetare. Prandaj, siç e kemi bërë moto tonën afrimin ndaj njëri-tjetrit të krijuesve, ndonëse i kemi mijëra kilometra të gjërësisë gjeografike të sipërfaqes së botës, ne duhet të bëjmë si moto tonë afrimin, përparimin e bashkimin e të gjithë kombit shqiptar, nga të gjitha pjesët e veçanta të jetesës; mirëkuptimin e tyre përgjatë të gjitha këtyre veçantive; etj., etj., dhe në fund, të kemi edhe ndihmën e patjetërsueshme të tyre gjatë peripecive tona, në këtë drejtim.

Ne, duhet të jemi shembull i denjë i kësaj veprimtarie; shembull i krijimit tonë të përgjithshëm, pa dallime fetare; rajonale; bindjeje; të veçantive krijuese, sepse krijuesit janë të veçantë nga të gjithë njerëzit dhe të mos e lejojnë veten të ndahemi, por të “zbresin” midis njerëzve dhe të lidhemi me ta, pa marrë parasysh ndasitë tjera politike, shtetërore; rajonale e partiake, të cilat, edhe ashtu na i pengojnë shprehjet tona të vërteta për bashkimin krijues mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar.

Jemi Lidhje e Krijuesve Shqiptare në Mërgatë, e këte duhet që ta potencojmë, jemi të lidhur me atdheun, jo vetëm Kosovën, por edhe Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Kroacinë dhe gjithë Botën e gjërë. Prandaj, si LKSHM, duhet të dalim prej kësaj ndarje të vetme, p.sh. në Kosovë dhe duhet edhe t`i sigurojmë mjetet tona për punë shumë më të gjëra, jo vetëm nga mjetet personale, sepse i kemi shumë pak…

Kam nderin t`ua përcjell të falat e reparteve të SHKSH të Zvicrës, të vjetrës dhe të rejës, që i kanë “disa pika kundërshtare”, sepse me të dy pjesët kam bashkëpunim, sado që nuk kam pasur kohë të merrem me këto çështje dhe më vie keq që ndarjet vinë në këtë kuptim, si kudo. Një letër e keni marrë edhe ju, prej krahut të parë, prej Besnik Camajt, nga letra e të cilit mund të nxirret se ne e kemi krijuar LKSHM-në nga vullneti i ynë i lirë dhe kemi vetëm një mbështetje mga Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës. Por, si shoqatë e pavarur nuk është dashur vetëm që të na mbështesin ata dhe që të na udhëheqin, aq më pak të figurojnë përpara dhe ta zënë hapësirën më të madhe. Nuk është dashur që të na e përcaktojnë edhe agjendën e takimeve tona, të pakten te miqtë e vet, dhe ne duhet ta dijmë mirë se si krijues nuk kemi kufinj politikë, ekonomikë, etj. dhe nuk duhet të na udhëheqin.

Përkundër insistimit të shpeshtë, pasqyra e shpenzimeve ka rënë mbi kurrizin tonë. Mungon trasparenca, pa të cilën ne nuk mund të ecim përpara.
Nga ky krah, që kam qenë edhe në grupin inicues të shoqatës, ai ka qenë krahu që më ka propozuar në cilësinë e anëtarit të Kryesisë dhe jam aprovuar nga ju. Pa qenien time prezente në Kuvendin e SHKSHZ, është zgjedhur Kryesia e re. Mjerisht, duhet të theksoj me këtë rast, theksimin e Bujar Salihut, se komunikimi i përbashët dhe veprimtaritë e përbashkëta të kësaj hapësire të gjërë, Bota, Evropa, etj. nuk janë bërë deri më tani aspak “në masën e duhur”, siç thotë në një konsultim paraprak, Bujar Salihu, nga Kryesia e tanishme e SHKSHZ-së…
Unë i kam pasaysh elementet tona të përbashkëta të veprimtarisë së përbashkët, të aktiviteteve të organizuara në këtë periudhë, qoftë edhe me shoqatat kulturore, që janë për valle e për këngë, jo për letërsi e fjalime, veçanërisht në Zvicër, dhe kam një përvojë të gjërë me këto, saqë me ligj janë mbi 35 shoqata kulturore shqiptare, të njohura në diapazon kombëtar e ndërkombëtar, pa i llogaritur shoqatat shqiptaro-zviceriane apo fetare, që shkojnë mbi 100 shoqata të tilla.

Po e them me një fjalë të vetme, se, LKSHM, duhet të jetë busollë e mirëfilltë e bashkimit, e afrimit dhe jo kursesi e ndarjes sonë.

Funksionini i mëtutjeshëm i LKSHM-së mund të bëhet kur organizohemi në bazë të kombit etnik shqiptarë, pa partishëri, pa shtetësi, pa shtrirje rajonale e grupore. Atëherë i shtrëngojmë pak nga pak lidhjet tona me grupet organizative, shoqatat, lidhjet e krijuesve për të gjithë shtrirjet tona si komb, nëpër mërgatën e gjërë, nëpër botë, dhe do të ndihmohemi me krijimtarinë tonë të ndërsjellë.
Jo vetëm që të jemi kudo e kado prezent me krijimet tona, por t`i thuhet atij apo këtij personi të kryesisë afër kësaj ngjarje, eveminimeti kulturor të këtij shteti, me shkrim, që t`a përfaqësojë LKSHM-në dhe të këmbejmë kështu vlerat, vetitë e mendimet tona krijuese, pra të vetë LKSHM-së. Të gjitha këto shtete duhet t`a kenë nga një nënkryetarë, është apo nuk është kryetar i Lidhjes apo Shoqatës së vet, edhe në ato shtete në të cilat ende nuk është themeluar. Të merremi vetëm nga kriteret e vërteta të personalitetit të tij dhe të potencohet krijimtaria e tij.

Sado miq që do të jemi, nuk është kjo një çështje serioze për të zënë vendet kyqe. Unë jam që të harmonizohet dhe të krijohet një gjë e tillë e frymimit të përbashkët, mbrenda botës së gjërë e nëpër tërë botën, jo nga miqësia, por nga krijimtaria. Të gjithë jeni miq të mirë dhe të gjithë jemi të respektuar. Edhe unë kam bërë mjaft prova dhe udhë me shpenzimet e mia nga penzioni për t`a dokumtuar këtë miqësi.

Pra, ky është propozimi i parë. Unë e kam mik të vjetër Mustafë Krasniqin, që e ka regjistruar në rajonin e vet një portabël për arësimin dhe kulturën, por ne duhet që t`a bëjmë një portabël mbi të gjitha shtetet dhe një shtëpi botuese tonën, që është shumë vështirë të krijohet. E kam të qarta këtë çështje, qoftë nga krijimtaria ime në Evropë, qoftë nga Shtëpia apo Shoqata Kulturore Panshqiptare apo Gjithëshqiptare, të cilën, e kam pasur nëpër regjistrim në Zvicër, ndërsa revistën gjithëshqiptare “Qëndresa” e kam shitur në Gjermani, në Zvicër, në Austri, dhe në disa shtete të tjera, pastaj më mbeti vetëm, si investim vetiak. Pra, u desh që t`a mbylli për shkaqe financiare dhe për shkaqe të tjera ideore. Nuk kishte askund një krah politik; një shoqatë kulturore; një asociacion, një parti që të më përkrahte, sepse nuk kishte askund një politikë të mirëfilltë gjithëshqiptare, pos zhargon të tillë politik.

Ka shumë gjëra që mund të përmblidhen në një pikë: është momenti më i madh që LKSHM-ja të dalë prej konturave shtetërore në relacion kombëtar e ndërkombëtar dhe të jetë e diapazonit të vërtetë gjithëshqiptare, të fillojë gradualisht përmasa të mirëfillta të njohjes e renomesë ndërkombëtare.
Ky është propozimi i dytë, për të cilin do të kisha dhënë kontribut edhe si krijues, nga përvojat e shumta që i kam, por edhe si anëtar i Kryesisë së LKSHM-së apo të zgjedhem në pozita të tjera. Zgjedhjet bëhen këtu, e kësaj radhe nuk i pashë me sy. Metoda më demokratike është të zgjedhen midis nesh…

Propozimi i tretë dhe i fundit do të ishte aspekti financiar. Nuk do mend se sa ke mjete fanaciare, ke edhe zë, kokë mendimi e vend krijimi.

Dihet se gjendja materiale e LKSHM-së llogaritet nga financimi personal e deri te të ardhurat e përgjithshme, apo sponzorimi, i cili është tejet i ultë dhe i padenjë apo i njëanshëm nga një instacë, nga një qeveri, psh. nga Republika e Kosovës.

Të gjithë ne kemi qenë të lidhur me Kosovën e jemi përherë me Kosovën e për te. Kjo nuk ka diskutim. Por, ku është Republika e Shqipërisë; të mos themi se Greqia, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, etj., janë dëshmuar se janë armiqë të rrebtë kundër nesh; a i kemi shfrytëzuar sado pak shtetet e tjera, si p.sh. Italinë; Francën, Zvicrën, Austrinë, Slloveninë, Hungarinë, Gjermaninë, shtetet e Beneluksit, Anglinë, shetet Skandinave etj.; dhe a kemi vende të tjera përrreth ku të kërkojmë ndonjë financim të përbashkët, nëpër aktivitete të përbashkëta?…
Kjo gjë mbetet e hapur, por varet si u drejtohemi! E kam ende me vete një “Schweizer Spenden Spiegel”, edicionin e dytë, por ka edhe edicione të tjera, më të reja, njësoj sikur në Germani, në Austri, në Itali, etj. Këto duhet të shfrytëzohen. Mija kërkesa mund të dërgohen, por një përqindje shumë e vogël do të kthehet me përgjigje pozitive. Dhe, varet si shkruhet kërkesa. Ajo nuk guxon të jetë krejt “e zbrazët”, dhe për këtë duhet të ceket edhe ndihma e Republikës së Kosovës, sepse kjo gjë u duhet atyre. Atëherë, do të shihet se cila do të jetë ajo që do të ndihmojë dhe me çfarë shumë do të ndihmojë. Korespodenca shkruhet dhe ruhet…

Tani për tani, nuk do t`u them më tepër. Do ta shohim më vonë, kur të jem më kompetent. Është me rëndësi që këto pikëpamje të botohen e të merren nga krijuesit e mirëfilltë dhe të mos mbeten si pikëpamje “të panjohura”, sepse do të harrohen…

Sonntag, 22. November 2015

Daut Emini - Në kujtim të babait


Nëntë vite pa ty, nëntë vite dhimbje

(Poezi e shkruar me lot në sy për babain tim të dashur,
me rastin e përvjetorit të nëntë të ndarjes nga jeta.
Nevzat Emini 1929-2006)

Sot mbushen nëntë vite, kur ti babë na ike
Nëntë vite mall, nëntë vite patëm dhimbje
Për ty babë që shkove, kurrë nuk u ktheve
Edhe pse shpresojmë dhe të presim ende!

Edhe atëherë babë, kur të kishim pranë 
Ashtu dhe tani babë, kur ty s’të kemi më
Të dashtëm atëherë, të duam edhe tani
Paramendo çka do bënim të ishte me ne!

Nënën e kemi babë, ty s’të zavendëson
Keni qenë i veçantë, për ne dhe të tjerë
Në shpirtë i pastër dhe në zemër i drejtë
Për ato që u njohën dhe jo vetëm për ne!

Me dhimbje në shpirtë dhe me lot në sy
Do të kujtojmë me mall sa të jemi gjallë
S’do të harrojmë babë, për jetë dhe mot
Për ty që të patëm do të ndihemi krenar!

Sonntag, 15. November 2015

Agim Gashi - Ikja juaj na mundëson të shijojmë lirine


(Shkaktari i shkrimit, UNESKO)

Ja si mllaqitin dhe shkumojnë tash, t´u fillu nga Kryeministri e zëvendsministri me shtat detyra tjera, ministra e ministresha, shokë e shoqe kallamoqe, amabasdor e ambasadore, delegat e delegate, se serbia po ndjek politik raciste ndaj Kosoves.

E kend po e rreni ju? A pra? Si nuk ju vjen marre?

Po kjo Serbi ishte pardje, ishte dje, është sot dhe do të jetë kështu den baba den. Ju jeni ata që jeni mundu me i hy mbrapa kësaj Serbie raciste. Ju jeni ata që për këtë Serbi raciste keni vra djem të ri, keni rrah, plagos, torturu e burgos. Ju jeni ata që i keni falë çdo gjë kësaj Serbie raciste, i keni dhuru toka, katunde e qytete... Ju jeni ata që jeni grind deri në skajshmëri me vllëzërit e juaj për këtë Serbi raciste, dhe asnjëherë nuk jeni pendu, dhe ju jeni ata që këtë Serbi raciste e keni dashtë, e doni dhe do ta dueni më shumë se vllëzërit e motrat e juaja, më shumë se edhe nënë e babë.

Marre duhet me ju ardhë, që ju sot Serbinë e juaj e quani raciste. Po ta kishit këtë bindje edhe me zemer e shpirt, ashtu si e njef edhe bota mbarë, që Serbia me të vërtetë është raciste, ju sdo të bisedoni me ta, sdo të hani, pini e asishni me serbët racista, dhe se do ta kishit mësue njëherë e përgjithmonë se si duhet sillë në politikë edhe me racista e edhe me karpatista.

Juve duhet të ju vie inati nga serbet dhe Serbia raciste, sepse ata janë më atdhetar, më patriota, dhe se ata një shekull përpara e masin se çka do të punojnë pas njëqind vitesh. E ju? Ju vetëm a ju shtrohet dikund ndonjë darkë e majme, se përndryshe jo vetëm atdheun por edhe nënë e babë i harroni.

Edhe pse ne jemi fatalizuar me politiken e juej të deritashme, përsëri kam shpresa dhe se fatalitetin sdo ta pranojmë asnjëherë. Ne nuk kemi llogari të humbim tash çdo gjë kur dihet fare mirë se një kolektivitet njerzor e ka fiksuar shkaktarin e së keqes së deritashme. Ata jeni ju dhe vetëm ju.

Shpesh më sillen vërdallë mesazhet brilante të së kaluares dhe tradites sonë, të cilat patjeter se duhet jo vetëm ruajtur por edhe aktivizuar në jeten tonë, për hir të kombëtares, guximit dhe komplektsisë sonë në këto shpërputhje tejet të rrezikshme për ardhmërinë.

Në këtë shkapërderdhje pothuajse tragjike, të mbrosh gjuhen tënde, shkollen, historinë, traditen e trashëgiminë; të çmosh librin tënd dhe gjenijt e popullit, ta shenosh atë që është e jotja, historike dhe që të takon vetëm ty, më së paku ka të bëj me nacionalizem apo racizëm. Fundja, ne asnjëherë nuk ishim racista. Vetëm lëkura jonë i din se çka hoqem nga robrimi njëqind vjeçar serb.Nuk është as atdhetari ta mbrosh token tënde, shtetin tënd, ta duash në mënyren tënde, por diçka më sublime, është dhuntore; diçka teper njerzore, diçka tejet mdhështore që na takon dhe na largon nga trazirat dhe violenca. Këtë, fatkeqësisht ju se keni.

Andaj, dorhiquni vetë.Sa më parë, aq më mirë për ju e për ne.
Dy nocione të shenjëta marrë nga liria e cila liri nuk është vetëm e imja, popull dhe atdhe, smundem me i bajtë as në shpinë e as në autobus, dhe se monoplin mbi to se kam sepse nuk jam as populli e as atdheu, por si njeri dhe si krijues, marr të drejten ta them haptas se Kosoves i duhet ti mëkëmbim këto nocione me gjak të ri, sepse nuk bëhet fjalë për individin dhe egzistencen e tij. Andaj, lagohuni se atdheu dhe populli kerkon ndrrime.

Ju zotrinjë, nuk keni ditë ta nderoni e respektoni atdheun si tempull jashtpartiak, por keni lejue që të grumbullohen mijëra probleme që sot vështirë zgjidhen. Edhe politika amerikane ju kshilloi dikur që Serbisë të mos ia lshoni fort litarin, sepse nuk di të ndalet. Ju nuk dëgjut askend, ju dashtët vetëm pasuri.
Tash, largohuni.
Kosova do procese të njëmendëta e të barabarta me shtetet fqinje. Kosova di ta respektoj demokracinë, përkrahës i flaktë i së cilës jam edhe unë, sepse demokracia ka autoritet dhe do veprim të drejtë.

Po nuk shkuat, dita Kosoves do ti kushtoj disa jetra njerzish. Do të na vrisni si kafshet duke e imituar Serbinë raciste vetëm e vetëm se ju duani të jeni në krye me çdo çmim.
Integrimi ynë në Evropë dhe proceset e reja të saj, janë domosdoshmëri, por jo duke u copëzuar e shkallmuar. Dhe ta dini se çelsi i këtyre çështjeve kombëtare dhe evropiane, nuk gjendet në Serbi. Çelsin e mban gjithmonë vetëm Evropa, andaj ne duhet të bisedojmë me Evropen e jo Serbinë.

Ju populli dhe atdheu im, nuk duhet të harrojmë asgjë. Mundemi të falim sepse falja është dhunti, trimëri dhe burrëri, por jo të na gëlltis harresa si te politikanet tanë.

Ne vetëm duhet të vetëdijsohemi si komb dhe të dimë ta dallojmë mikun nga armiku.
Mbledhja e sotme e UNESKO-s, nuk i qiti në shesh vetëm armiqët e mbrendshëm, por edhe ata të jashtëm. Ne jemi vendi më i pasur i Evropes, andaj edhe kemi shumë armiq, kemi shumë xhamia të reja që UNESKO-s ia zunë pamjen, dhe kemi politikan injorant e me shkolla fallso.

Këta duhet të ikun. Vetëm me ikjen e juej, do të vie liria!

09.11.15
Düren

Sonntag, 1. November 2015

Dialog poetik nga Bexhet Asani dhe Nikoll Ulndereaj


Bexhet Asani

Ç’DO TË MË MARRËSH MË!?

Më more vëllanë,
Nënës mbi faqe,
Iu tha loti.

Më more farefis,
Një mal me mall.
Më more fëmijët,
Lotët m’u shteruan.

Gjysmën e shpirtit,
E kam te ti.

Gjysmën tjetër,
Në atdhe, e shtëpi.

Sa kam frikë:
Ç’do të më marrësh më
Amerikë !?

Tetor, 2010
Pompton Plains, SHBA




Nikoll Ulndreaj

MOS MË HARRO BIR!

Be u bëj syve të mi, me lot, mos të qani,
Se mjaft ka bota lumenj, dete, oqeane.
Siç mërzitet, për fëmijët e tij Bexhet Asani...
Bir, edhe unë mërzitem për hijen tane.
Do të iknit, nga ku buka e të parit, u gatua,
Me rrip të shtrënguar, e sytë plot lot.

Nëntë stuhi shfryjnë dufin, mbi ty e mua,
Na rri te kryet zog i mallit, ditë e mot.
Mëngjes dhe mbrëmje, ngryset vetmia,
Në kraharorin tënd, bir mbështes prore kryet.
Shpirt, ti je gjelbërimi im, vetë perëndia,
Ti je gjithësia, toka, hëna, dielli dhe yjet.

Mos më harro, të më sjellësh, një tufë lule,
Kur të kthehesh, në dheun tënd një ditë.
Në mos më gjetsh, në atë gur, ku më ule,
Bir, në varr rri zgjuar, ty duke të pritë.

Tiranë, shtator 2015



Nikoll N. Ulndreaj


KUR DO TË KTHEHESH ?

Rrëzohet durimi i qiejve mbi mallin tënd të pashuar,
Liqenet e kujtesës trazuar për një shkronjë,
S’është ëndërr, as histori e sajuar, po një yll i prushuar.
Strugan, s' të zë gjumi për një shqiponjë.
Në shi nëpër rrugë si fëmijë këndon këngën e vetmisë,
Kujtesa sfilitur si gjethe peme ajri i fluturon.

Fryma e mëndafshtë e tij, të bjerë si brymë mbi lule ka nisë.
Fëmijë të dhembshur për mësuesin zemra u rënkon.
Vdesin qiellit yje, të tjerë digjen në zjarr, u mbetet skeleti,
Unë e ti Bexhet Asani kafenë e mëngjesit e pimë me pak,
Ndodh, kur nga malli digjen fëmijët përlotet planeti.

Në Strugë të presin, profesor për ty kanë mbjellur zambak.
Malli i gërmon brigjet e kësaj bote e të përlotën sytë,
Detet si zë gjumi, mësuar të përkëdhelet nga duart tua,
Kthehu në Strugë, të shkruajnë në letrën e parë e të dytë.
Ti hesht, përkund mallin e një fjalë për kthim se thua..!

Tiranë, tetor 2015



Bexhet Asani

IKA PA U DIKTUAR !

M' u tret kënga majë lisit,
Mua "të parit" të fisit.

Ulur këmbëkryq si Anteu,
Ika! U tund mali, u tund dheu;
Me lot qan dhe poeti Nikollë N.Ulndreu'.
Më falë o bilbil i malit për dy sytë,
O Nikoll N. Ulndreaj, o Migjen i dytë.

Të them do të vi, nuk e them dot,
Nuk u them se s' do të kthehem, se më mbytin lot.

Pa përgjigje nxënësit e mi kanë mbetur,
Përtejoqeanit unë mësuesi, poet i vetmuar tretur.
Si cicërima zogjsh në pranverë,
Vinin thirrjet nga nxënësit këtë herë.

Si dallëndyshet në shtator grumbulluar,
Ika...Ika..Ika me zemër të thyer pa u diktuar..!

Bloomingdale, më 21 tetor 2015. Nju Xherzi



Nikoll N. Ulndreaj

DEDIKIM
(Mikut tim prof. Bexhet Asani)

Gjethnajë ngjyrë ari,
Pikojnë qiejt,
Veç për ty i im mik;
Bexhet Asani.

Peizazh me bujë,
Lisnajë me gungë,
Një dre malli i plagosur;
Qan me lot në Strugë.

Mallit tënd në peizazh,
I ngre statujë,
I yti s’bëhet kurrë;
Vendi i huaj.

Në më pastë mbet,
Një fjalë e pathënë,
Amerika është uikend;
Struga nënë.

Tiranë, tetor 2015



Nikoll N. Ulndreaj

FJALA JOTE

Të gjithë fenerët e botës nuk mund të dritësojnë sa fjala jote,
Fjala jote dritëson zemra, trurit i jep dije,
Asnjë shkëmb në botë fjalën tënde, s’mund ta lë në hije.
Bexhet Asani burrë me rrënje në taban, shqiponje ndër mote.

                                                                    Tiranë, Tetor 2015


Nikoll N. Ulndreaj

DO TA NDEZË DIELLIN E SHUAR

 Në këtë vend të Ilirit e Skënderit,
Të Fishtës, Naimit e Kadare,
Çel trëndafili i ditës së re.
Në gurra loti, në hark të ylberit.

Ashtu Bexhet si nënat të tjera,
Nëna ime, nëna jote, nëna jonë,
Në dritare saherë u troket era;
Bjeshka u sjell piskamë-jehonë.

Dita jonë qenka ditë e shkruar,
Parajsë është bërë vend i huaj,
Kullat flenë me dritë të shuar.
Etjen tash s’ka kush t’ia shuaj.

Tëra oborret i ka mbuluar bari,
Të ngjasojnë sikur lëndinë.
Heshtje, heshtje, heshtje varri.
Edhe zogjtë s’ia thyejnë qetinë.

Guri truallit, gur i zi, gur varri,
Qan se nuk ka trashëgimtar,
S’ka se ku qeshjen ta marri.
Kullë e ngratë me kokën var.

Do të shkërmoqen ato një ditë,
Rrgallnajë të tëra llaç e tulla,
Nuk kanë mundur më me pritë.
Varrezë shekulli bëhet kulla.

Kanë me u tha pyje e lisa,
Kanë me u vyshk lulet në plisa.
Edhe qyqja ka me qa,
Në kulla shëmuar përmbi tra.

Kanë me ra zile e këmborë,
Do të bëhet durimi borë.
Kur të ktheheni tepër vonë,
Shkretëtirë është kulla jonë.

Murgeshë vashat belholla,
Dhe e lumë rënë në zi.
Tharë dardha tharë molla,
Se nuk bie më shi flori.

Nëpër botë kur të jetë dërrmuar,
Do të kthehet sërish shqiptari.
Do ta ndezë diellin e shuar,
Në vatër të tij, ku lindi i pari..!

Tiranë, Tetor 2015

Sonntag, 11. Oktober 2015

Agim Gashi - Kombëtares shqiptare


KOMËBTARES SHQIPTARE
Vargje për fitoren

Ju lojtar të viseve arbrore
Ju o njerz lojtar futbolli, 
Për një fitore të ëmbël kombi
Pasha Ju, malli na mori.

Erdhi koha dhe momenti
Për ju djelmosha shqipëtar, 
Kombit mbarë, edhe atdheut
Fitore sot i keni fal..

E shfrytzuet shansin historik
Na e dhatë fitoren me e shijue, 
Trojet shqiptare, mbarë Arbnia.
Për Ju kangë sonte ka me këndue.

Ju o djel të atdheut!
Kuq e Zi ngjyrat i mbrotë, 
Për here të pare Shqipnia jonë, 
Do të njifet me vlera n`botë.

Ja pra, pa u ul në tokë me u fal
Të betuar shqip n’Zot e Atdhe, 
Luajtet kambët, lozët topin, 
Dhe fitore na falët ne.

Këtë dhuratë që na e falet Ju
Zoti vetë Ju ka dergu,
Me fitore t’paster shqiptare
Popullin e atdheun me e nderu...

Lozet topin, dhatë gola,
Me lojë-fitore gëzuat Arbninë,
Do të jeni hero t’kombit
E nderuat Shqipninë.

Para Ju djemt e Kastriotit,
Me shqiponjen në gjoks e zemër,
Me fitoren që na e falet
Arbnia ka tjeter emër. 

Para kombëtare për Zot eATDHE
Mbarë një popull mbrapa e ke, 
Ju pret Franca dhe kampionati
Armiqët tanë po i plas inati.

Këndo e qeshu oj Nanë Arbëni
Këngë të bukura me këndu,
Unë rapsodi me mërgimtarët
Sëbashku kangen e kem fillu.

Do të festojmë deri n`mëngjes
Kur vine djemt bashkë me fitoren, 
Sonte ngreni vllaznisht gotat,
Askush ma se shiqon oren.

Freitag, 9. Oktober 2015

Faruk Tasholli - BJERI PIPIT PIPZAXHI


BJERI PIPIT PIPZAXHI

Sot ka festë e gjithë Kosova
N'ora 10 hapet Kuvendi,
Thotë Teatri, unë mbarova,
Ma fshiu namin konkurenti!

Bjeri pipit pipzaxhi
Bjeri fort ty të lumtë goja,
Pipzaxhi or djalë i ri
Sot po g'zon Kosova.

Si bylbylat ndër lugina
Cërr e fërr e pi-pi-pi!
Ushtojnë pipat parlamentit
Ooo sa bukuri!!!

Bjeri pipit pipzaxhi
T'fryhen faqet kokrra fiku,
Gjeneralë e gra të reja
Krejt janë lidh për pipi.

Po çuditen djem e çika
Sa e bukur dul kjo lojë
A ndryshohet politika
Me pipa në gojë?!

Bjeri pipit pipzaxhi
Bjeri ty të lumtë goja,
Trimat tanë krejt politikën
Dojnë me kthy në oda!

Si bylbylat ndër lugina
Cërr e fërr e pi-pi-pi!
Ushtojnë pipat parlamentit
Ooo sa bukuri!!!



Sonntag, 20. September 2015

Aromë lirie në Prekaz

Shkruan: Avdi Ibrahimi

Në Prekazin e përflakur, në Prekazin e heroizmave të mëdha, në Prekazin e Skënderajt, ngrihej Kompleksi memorial “Adem Jashari” këtu të shumtën e rastëve është ndalesa ime. Kushdo që viziton këtë fshat nderon dhe respekton këtë vend të shenjtë, që ne kujtojmë dhe nderojmë Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari. Në fakt është ky heroizmi i familjes Jasharaj, me në krye komandantin legjendar Adem Jashari, që historisë më të re i kishte lënë këtë emër. Kjo gjë ia shtonte madhështinë që mbulonte Prekazin heroik.

Më duket se të gjithë vizitorët heshtin kur i afrohen shtëpive të Jasharëve nga ku duken të bëra shoshë muret dhe pullazet e shtëpive, nga predhat dhe plumbat e ushtrive pushtuese serbo-malazeze… dhe sejcili nga vizitorët do të ndiente një druajtje kur i shikon? Në faktë populli shqiptar ndihet krenar me legjendarin dhe familjen e tij, sepse ata u bënë emra të shquar në historin e lavdishme të popullit shqiptar.

Një ndjenjë e çuditshme prekte zemrën time, sa here që vizitoja këtë tempull të shenjtë të shqiptarisë, mrekullohesha nga kjo natyrë e bukur e tokës shqiptare. Lulishtarët përkujdesëshin aty për lulet e trandafilat shumëngjyrësh, rrezet e Diellit shndrrisnin mbi mermerët e bardhë e të kaftë të heronjëve dhe heroinave të atmëmëdheut ShqipëriKosovë, era e mire e gjithë atyre luleve e drunjëve të natyrës, të përziera sëbashku, krijonte një aromë lirie në Prekazin e lavdishëm.

Ecja nëpër rrugët e gjëra të shtruara në pllaka betoni që të çonte të varri i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Shaban Jashari, dhe familja Jashari, ngjan në një tempull të bukur e të shenjtë, aty bëhen nderime në shenjë respekti dhe adhurimi nga pelegrin të ndryshëm, për komandantin legjendar… komandantin legjendar të madhë… njerëzit nga mbarë bota e quajnë i Madhi komandanti legjendar… që këtë titull ia ka vënë ai me vepra konkrete vetës së tij! 

Pastaj mendova se ç’do mendje mund të davaritet, të ngatërrohet, të përmbyset, ashtu siç mund të ketë ndodhur në anijën e shpëtimit të Nuhit. 

Kështu zgjohet mendja e njeriut. – Legjendari ynë sëbashku me heronjtë dhe heroinat shqiptare do të na ruajnë TROJET SHQIPTARE, ngase kjo është lavdia e tyre e pavdekshme… ata janë mbrojtësit tanë…ata na  tregojnë si duhet rrugtuar të bashkur gjithë shqiptaria në të ardhmën e afërt… natyrisht se do ndeshemi edhe me stuhitë… që për fatin e atmëmëdheut tone ShqipëriKosove e viset tjera shqiptare, të vendosë vetë populli shqiptarë… assesi të mos lejojmë të bluhemi nga nofullat e të huajve!

Sonntag, 30. August 2015

Dy poezi për fëmijë nga Mark Krasniqi


GJIRAFA

Koka si pjepër,
sa plepi – qafa,
këmbët – si shtylla,
kjo është gjirafa.

Lekura e gjirafes
plot pika pika,
krejt si fustani
që e vesh Mrika.

Një gjirafe gome
kam parë në vitrinë,
por qafa e saj
deri n’tra s’mberrin.

Gjirafa e vërtetë
që n’Afrike jeton,
në shitoret tona
kurrë nuk banon.




Urime për Vitin e Ri
(Nga libri për fëmijë “Posta e porositur”)

Ujku deles
Të fala i dërgon,
Vitin e Ri ia uron:
“Oj bardhokë,
Ta ngjitsha në fyt,
T’fala të bën
Kumbara yt!”

Delja shpejt
Iu përgjegj këtij:
“Mua kumbara
Kur t’më vijë
Qeni i Sharrit
I del para
Për të lajmëruar
Se erdh kumbara!
Nga gëzimi
Axha Latë
Do ta zbraz
Martinën e gjatë!
Shumë urime
Për Vit të Ri
Mos t’i pafsha
Sytë e zi!”

_______
Poezine e dytë e ka përzgjedhur shkrintari Rrahim Sadiku, kurse poezinë e parë e huazuam nga interneti.

Mittwoch, 19. August 2015

Një mallkim për kryeministrin Isa Mustafa

Mallkue qofsh Isa Mustafa,
i pabesë paske qenë !

Nga Florim ZEQA


Përplasjet e fundit mes partnerëve të koalcionit dhe kërcënimi shantzhues i PDK-së ndaj LDK-së; " ose do të bëni si të dojmë ne, ose vendi do të shkoj në zgjedhje të reja”, ndryshe mund të cilësohet si paralajmëim i “Zanzi Bar 2”, ashtu siq kishte ndodhur më 2009, kur PDK përmes nënkryetarit të saj Hajredin Kuçi ia kishte kumtuar lajmin në mëngjes LDK-së përmes një mesazhi telefonik për prishjen e koalicionit me LDK-në që atëkohë udhëhiqej nga Fatmir Sejdiu.

"Z. Thaçi do të bëhet President i Republikës së Kosovës, ashtu siç e kemi përcaktuar me marrëveshje", ishte kjo deklarata e fundit e liderit të LDK-së prej Facebook-ut, i tronditur nga rreziku i humbjes së pushtetit,...ky është refreni më i mundimshën, më lëndues, më shpresëthyrës, më besëprerës dhe më kërcënues për rrethë 70 % të qytetarëve të Kosovës,...e në veqanti për ata që i dhanë votën në zgjedhjet e fundit, për të gjithë ata që i mbajti pëng për afro gjasht muaj pas zgjedhjeve të 8 Qershorit të vitit të kaluar duke u premtuar ndryshimin politik në vend.

 Pas deklaratave të fundit të Isa Mustafës, a ka gjë më të rënd se sa kur e dëgjon një gazetar të përkushtuar ndaj vendit të tij të shprehet kështu; "O kukuuuuuu bre a din kush ku muj e gjeje nje vize..."

 Nga thirrja zhgënjyese e gazetarit shifet qartë se lideri diktatorial i LDK-së, për privilegjet e pushtetit që sot i gëzon, e ka humbur nderin dhe respektin e të gjithëve, me përjashtim të mbështetësve të tij besnik, servilëve dhe puthadorëve që i i ka joshur pas pushtetit në dëmë të shumicës së popullatës shqiptare dhe në dëmë të shtetit të Kosovës.

Për ne që e kemi kundërshtuar në vazhdimësi çasjen e Isa Mustafës pas zgjedhjeve të 8 qershorit të vitit të kaluar, kjo nuk paraqet ndonjë befasi, pasi kemi qenë të bindur në servilitetin dhe vartësinë e tij ndaj Hashim Thaçit dhe bashkëpuntorëve të tij.

 Nëse i analizojmë zhvillimet e ngjarjeve pas zgjedhjeve nacionale të 2010-s, atëherë Isa Mustafa na delë shkaktari numër 1 i të gjitha të këqijave në vendin tonë, i cili me mbështetjen e tij politike e ndihmoi dhe mbajti në pushtet të keqqeversjen e PDK-së, të keqën më të madhe për vendin me emrin Hashim Thaçi.

 Edhe pse në opozitë, atëkohë pas shkarkimit të zotit z. Behxhet Pacolli nga posti i presidentit të shtetit nga "Kushtetuesja",...ishte marrëveshja e treshes politike; Thaçi-Pacolli-Mustafa" me ndërmjetësimin e Dellit amerikan që shpëtuan rënjën e Thaçit nga pushteti përmes "presidentes nga zarfi".

 Ngjajshëm, por akoma më keq, Mustafa veproj pas zgjedhjeve të 8 qershorit të vitit të kaluar,...ku si humbës i zgjedhjeve, për t'i shpëtuar ndëshkimit të elektoratit të LDK-së me kërkesën për shkarkim (dorëheqje) nga kreu i partisë së tij, dy ditë pas zgjedhjeve i manipulon dy partitë minore (AAK-në dhe NISMA-në), më vonë edhe VV-në duke e formuar bllokun opozitar pasgjedhor VLAN, përmes të cilit për afro gjashtë muaj pamundësoi krijimin e institucioneve të reja shtetërore.

 Në momentin kur "Kushtetuesja" e rrëzoi Isa Mustafën nga posti i kryeparlamentarit të zgjedhur nga VLANI, ai e muar si shkas largimin nga koalicioni për ta shpëtuar sërish Hashim Thaçin, kësaj radhe jo vetëm nga rënja e pushtetit por nga "vdekja" politike !

 Pra, Thaçin e deklasuar nga partitë politike shqiptare e rehabilitoj vet Isa Mustafa duke e mbajtur prap në pushtet në kundërshtim me vullnetin politik të shumicës shqiptare në vend.

 Kështu, për të ndihmuar mikun dhe kënaqur egon e tij karrieriste, pranoj të "shpërblehet" me postin kukull të kryeministrit, për t'i lënë prap vendin e kryediplomatit (kryeministrit) Hashim Thaçit.
 Për lexuesit po sqaroj në pika të shkurtëra punën e kryediplomatit; në Angli kryeministrit i thojnë "Premier", ndërsa në Itali i thojnë "Primo ministro",...e kështu më radhë.

 Posti "kukull" i Isa Mustafës më tepër i gjason një zëdhënësi qeverie se sa një ministri të rëndomtë.
 Isa Mustafa në vend të prononcimeve publike si kryeministër i vendit nga zyrat e kryeministrisë, ato i bënë përmes rrjetit social "Facebook",...sepse kaq hapësirë mediatike i ka lejuar "miku" i tij në bashkeqverisje, kryeministri (kryediplomati) faktik i vendit Hashim Thaçi.

 Thënë ndryshe, Isa Mustafa për më tepër se bashkëpuntor dhe vartës i Thaqit, njifet si "kryeministër" i Facebook-ut, i prononcimeve të një niveli mesatar që nuk përkojnë fare me titujt që i gëzon në letra; Akademik, Doktor, Profesor,...!!!

 Edhe përkundër deklaratave të fundit të Isa Mustafës, tashmë pas miratimit të Gjykatës Speciale në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duket qartë në horizont se kjo qeveri i ka ditët e numëruara, është çështje ditësh, javësh e mbase edhe muajsh prishja e kurorës mes dy partnerëve të koalicionit !

 Pos humbjes së pushtetit, degradimit moral dhe politik që i solli LDK-së, Isa Mustafa do t'i humbë edhe mbështetësit e tij fanatik në rrugëtimin skandaloz pas zgjedhjeve të 8 qershorit të vitit të kaluar.

 Ata që i "sajgisi" me poste do t'i humbin, ata që pritnin të shpërblehen do të ndihen të zhgënjyer,...elektorati rugovian i tradhëtuar disa herë në vazhdimësi nga Isa Mustafa, një uratë të përbashkët do t'i dërgojnë: "Qofsh i mallkuar Isa Mustafa, i pabesë paske qenë".

 Jetojmë duke shpresuar,...mrekullinë duhet ta bëjmë vet pa pritur të na pikë nga qielli,...ndalja e të sotmes për të mos u përseritur nesër shënon fillimin e kthesë dhe shpresës qytetare në vend !

Sonntag, 16. August 2015

Kjo lule të përket vetëm ty

Poezi nga Nehat Jahiu

E di se nuk më ke harruar Guri
tek ti jam çdoherë aty tek  lumi,
me ty jam në livadh e në krua
eh, sa shumë unë Zana ty të dua.

Unë jam në vazo një lule e bukur
që ty të bëjë çdoherë të lumtur,
dashuroje me shpirt e shikoje me sy
kjo lule Guri të përket vetëm ty.

Do të deshja vetëm ty të më puthëje
e do të deshja të mos më këpusje,
unë do të jem aty me aromën time
ta shijoj vetëm shpirti yt e zemra ime

Gjithëçka tjetër Guri është në dri
askush në botë për këtë nuk e di,
merr frymë dhe ndjeje aromën time
unë jam pranë teje me zemrën time.

Freitag, 31. Juli 2015

Forcën dhe inspirimin e gjej tek populli im i mrekullueshëm…

Intervistë me gazetarin dhe publicistin Florim Zeqa

Nga BEQIR M. CIKAQI

Dikur egzistonte grupi muzikor “Na bashkoi kënga popullore” (nuk kam njohuri a egziston akoma!?), një emër shumë karakteristik, që koicidin me bashkëbiseduesin e kësaj interviste por jo me këngën! Mua me zotin Florim Zeqa na njohu e bashkoi aktiviteti, gazetaria, publicitika, mësuesia,…
Me aktivitetin, u njohëm për herë të parë në takimin e organizuar nga Ministria e Diasporës me bashkëatdhetarët rreth Draft Strategjisë për Diasporën mbajtur në Treviso…
Me gazetari e publicitikë u ndeshëm në faqet e gazetave, portaleve informative, për mes komenteve, reportazheve, shkrimeve gazetareske, etj.
 Dhe së fundit me mësuesin, na lidhi rasti i iniciativës për hapjen e një paralele të Shkollës Shqipe në Quinto në kuadër të Shkollës Shqipe të Trevisos, ku pata rastin të njihem më gjerësisht për jetën, veprimtarinë dhe kontributin e tij në aktivitete, publicistikë,… dhe si ish mësimdhënës në atdhe. Andaj, nuk e humba rastin të kërkoj një intervistë nga zoti Florim Zeqa, i cili pranoi me kënaqësi.
 Para se të vazhdojmë bisedën me zotin Florim Zeqa, lexuesit të njihen me profilin e tij shkurtimisht, për ti lenë hapsirë intervistes në vazhdim për detajet më karaktristik të jetës dhe aktivitetit tuaj atdhetar dhe politik.



Kush është publicisti Florim Zeqa?

U lind me 30 gusht të vitit 1963 në Bokshiq të Klinës. Shollën fillore e kreu në Grabanicë, të mesmen në Klinë, ndërsa studimet në fakultetin Xehtaro-Metalurgjik në Mitrovicë.
 Me 11 mars 1982, në përvjetorin e demostratave të vitit 1981, arrestohet nga forcat policore serbe në Mitrovicë. Në vitin 1990 fillon aktivitetin politik në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
 Në kohën kur regjimi pushtues serb sulmoi arsimin shqip, si dhe duke larguar nxënësit shqiptarë nga objektet shkollore, Florim Zeqa emërohet kryetar i Komisionit “Ndihmë me kuadro” për arsimin shqip në komunën e Klinës. Poashtu, ishte një ndër organizatorët e protestave 1989/90. Bashkërezistues në mosndryshimin e emrave të sh. fill. “A. Bejta”, të shk. së mesme “L. Gurakuqi”. Ishte anëtar i strukturave rezistuese, kundër pushtuesit, në nivel të BL Grabanicë. Punoi si mësimdhënës në shkollën fillore “Azem Bejta” në Grabanicë…
Edhe në emigrim, Florim Zeqa vazhdon veprimtarinë atdhetare në organizimin e mergatës shqiptare në Itali duke u vënë në ballë të shumë nismave e aksioneve humanitare për Kosovë, si:
- Iniciator i peticionit kunder ish- ministrit të punëve të jashtme të Italisë, në prill të vitit 1998,
- Iniciator i parë në ndihmë të fondeve të luftës,
- Propozues i parë për kryetar të fondit Vendlindja Thërret, për regjionin e Venetos, të cilin post e ka refuzuar,
- Pjesëmarrës i shumë aksioneve humanitare në ndihmë të popullatës së Kosovës gjatë luftës në Kosovë,
- Donator aktiv edhe i fondit të Qeverisë së Republikës të Kosovës, të udhëhequr nga Bukoshi, që nga 3 përqindëshi e deri tek aksioni me nga 1000 DM.
Florim Zeqa ishte përfaqësues i të huajve në La Rete Interistiuzionale, në rajonin e tij ku banon, një organizatë që merret me organizimin dhe mbarëvajtjen e nxënësve të huaj në shkollat italiane.
 Pastaj, pjesëmarrës në shumë ekspozita multietnike, e, që Kosovën e ka përfaqësu me dinjitet të madh me vlerat e saja etnike.
-Ishte iniciator për krijimin e Lidhjës së Shqiptarëve të Kosovës, që kishte për qëllim unifikimin e të gjithë shqiptarëve jo vetëm në provincën e Trevisos, por edhe në nivel regjional e më gjërë.
-Iniciativa e fundit është themelimi i paraleles së mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Quinto (TV).

- Nga profili juaj shifet se keni pasur një aktivitet dhe kontribut të madh në Kosovë, derisa u detyruat të largoheni. Pse zgjodhët shtetin Italian, kur shumë aktivistë të asaj kohe kërkonin strehim në Zvicër e Gjermani…?

Florim Zeqa: Ashtu sikurse largimi nga vendlindja që është zgjidhja e fundit, edhe Italia mbeti zgjidhja e fundit për mua. Pas një qendrimi gjashtë mujor në Maribor të Sllovenisë u nisa në drejtim të Zvicrës,…në Itali u ndala për pak ditë derisa të gjejë ndonjë lidhje për të vazhduar tutje, por fati e deshti që Italia të mbetët destinacioni i fundit...!

- Kur dhe cila është arsyeja që ju u detyruat të largoheni nga Kosova?

 Florim Zeqa: Me 23 shkurt të vitit 1993, fshati im i lindjes (Bokshiq) sulmohet nga forca të shumta policore serbe, ku detyrohem të kaloj në arrati. Me 7 mars po të njëjtit vit, arrestohem në fshatin Vitomiricë të Pejës. Pas një rrahje brutale deri në alivanosje, forcat policore serbe më hudhin në një kanal, ku gjindem dhe ndihmohem nga një kalimtar rasti. Pas përndjekjeve sistematike më kufizohet dukshëm aktiviteti i veprimit. Andaj, në qershor të vitit 1995 detyrohem të largohem nga Kosova. Fillimisht në Slloveni, për të kaluar pastaj në Itali, ku jetoj e punoj edhe sot e kësaj dite.

- Këtu në Itali, si e gjete mërgaten shqiptare, veçënarisht atë kosovare të organizuar?

 Florim Zeqa: Mërgatën shqiptare këtu në Itali e gjeta numërikisht shumë më të vogël se tani, por dukshëm më të bashkuar rrethë idealeve kombëtare. Pas marrjes së lejeqëndrimit në Itali, menjëherë u interesova për organizimin e mërgatës. Nga bashkatdhetarët mora informacionet për ekzistencën e shoqatës “Besa” në Treviso. Fillimisht kontaktet e para i vura me kryetarin e kësaj shoqate, zotin Fadil Osmani, me të cilin u dakorduam për riorganizimin e shoqatës. Pas mbajtjes së kuvendit zgjedhor, çdo gjë e vumë në binar të shëndoshë, duke e funksionalizuar shoqatën në të gjitha segmentet e saj. Jo rastësisht, gjatë përiudhës së luftës në Kosovë, shoqata “Besa” ishte ndër më të organizuarat në nivel shoqatash në shtetin italian. Gjatë përiudhës së luftës në aksionin humanitar “Ndihmë për Kosovë”, shoqata “Besa” (Treviso) u rendit e para në nivel të shoqatave shqiptare në Itali për grumbullimin e mjeteve financiare për vllëzërit tonë nën flakët e luftës në Kosovë.

- Përveç angazhimit vullnetar si individ, ke pasur edhe ndonjë përgjegjësi të caktuar para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës së Kosovës?

 Florim Zeqa: Mbase për veprimtarët e viteve të ’90-ta, aspekti humanitar është prezent edhe në ditët e sotme, objektiv i yni ka qenë dhe ka mbetë dhënja gjithëçka nga vetja e jonë për të mirën e shtetit dhe shoqërisë pa dallime ideologjike, fetare apo rajonale. Sa u përket angazhimeve konkrete, në fillim të viteve të ’90-ta kam qenë i kyqyr në levizjen paqësore për çlirimin e Kosovës (LDK), për disa vite kam qenë nënkryetar i degës së FR të LDK në Klinë, ku kam udhëhequr edhe komisionin për informim, kam qenë përfaqësues në bashkësinë e degëve të FR të LDK-së (Klinë, Gllogovc, Skenderaj dhe Malishevë). Gjatë përiudhës së luftës kam qenë i kyqur në kryesinë e shoqatës “Besa” në Treviso, pjesmarrës në të gjitha aksionet humanitare për Kosovë. Ndërsa pas luftës për shkaqe subjektive jam larguar nga aktiviteti i kësaj shoqate.

- Meqenëse këtu ku jetonë e vepron (në Itali) nuk ka degë të partive politike, sikurse ne shtetet tjera perëndimore, cili është mendimi juaj për shoqatat ekzistuese?

 Florim Zeqa: Po është e vërtetë se nuk ka pasur dhe nuk ka degë të partive politike kosovare në Itali. Para dhe gjatë luftës shoqatat nuk kanë qenë të ndikuara nga partitë politike, mirëpo për fat të keq, pas përfundimit të luftës, edhe pse nuk e shfaqin publikisht, cila më pak e cila më shumë kanë rënë nën ndikimin e partive politike. Mjafton të përcjellish aktivitetet e tyre,…nga paraqitja skenike e deri të përmbajtja nënkuptohet ndikimi partiak.
 Nisur nga përvoja e organizimit dhe pjesmarrjes në aktivitetet e shumë shoqatave në Rajonin e Venetos, kam vrejtur se shumica e tyre kanë nevojë për ripërtëritje me kuadro të reja, ristrukturim cilësor dhe depolitizim të mënjëhershëm, në të kundërtën rrezikojnë shuarjen e aktivitetit të tyre.

- Në Kosovë, pas sa vitesh je kthyer dhe çka kishte ndryshime që kur ishe i detyruar të largohesh?

 Florim Zeqa: Nga Kosova jam larguar në Qershor të vitit 1995, në përfundim të vitit shkollor 1994/95,…ndarja nga nxënësit ishte tepër emocionale, me sy të përlotur u përshëndetëm mes vete, për t’u kthyer për herë të parë në fund të vitit 1997, në prag të fillimit të luftës,… poashtu ndarja akoma më emocionale me familjen, miqtë dhe shokët, me disa prej të cilëve nuk u takuam më kurrë (ranë dëshmorë në luftën e fundit). Pa dyshim se kthimi më i lumtur në vendlindje ishte në korrikun e vitit 1999, pas përfundimit të luftës. Natën më të hareshme, gjumin më të ëmbël të jetës time e përjetova nën Tendën pranë gërmadhave të shtëpisë, nën shoqërimin e minjëve e shijova aromën e lirisë së vendit tim.
 E vetmja gjë që do të dëshiroja ta ktheja prap në jetën time, eshtë kënaqësia e asaj nate në oborrin e shtëpisë time !

- Që kur ke fillu të merresh me shkrime e publicistikë?

 Florim Zeqa: Fillimisht me shkrime kam filluar në mënyrë periodike viteve të ’90-ta, në gazetën “Bashkimi” të drejtuar nga i madhi Ukshin Hoti, pastaj në gazetën për fëmijë “Zogu i mëngjesit” drejtuar nga i ndjeri Sadri Kelmendi.
 Ndërsa me shkrime të rregullta gazetareske dhe publicistike kam filluar në vitin 2010, fillimisht kam debutuar në gazetën “Bota sot” me 22.07.2010 me shkrimin “Kush nuk di të qeverisë është uzurpatorë”, shkrim ky i ribotuar pas një muaji në të njëjtën gazetë, dhe për fat të keq të vendit tonë akoma është aktual ai shkrim.

- Në publikimet e tuaja, vërehet se je kritikues i ashpër i dukurive negative në institucionet qeveritare në Republikën e Kosovës, por edhe në partitë politike të Kosovës...?

 Florim Zeqa: Eshtë tepër e vështirë të mbetësh indiferend ndaj dukurive negative. Siq e ceka edhe më sipër shkrimi i para pesë viteve akoma korispondon me aktualitetin politik në vendin tonë. Qeverisja e vendit është produkt i partive politike dhe anasjelltas. Liderët e partive politike pas lufte e kanë humbur logjikën e veprimit; në vend të përkushtimit ndaj problemeve të qytetarëve më shumë janë marrë pasurimin e tyre në kurriz të popullatës duke e trajtuar shtetin si plaçkë lufte, qytetarët si skllëvër të tyre.

- Ku e gjen gjithë atë kurajo me forcë e energji që të “përballesh”, duke i venë në “spikam” dukuritë e tilla me individë të caktuar…?!

Florim Zeqa: Një pyetje të ngjajshme e kam pasur edhe më parë. Forcën dhe inspirimin e gjej tek populli im i mrekullueshëm, tek vendi im i pasur me resurse natyrore, tërheqës me të gjitha bukuritë natyrore, nga dashuria në traditën dhe zakonet e lashta iliro-dardane.
 Normal se përballja me individ të caktua nuk është aspak e lehtë, madje nganjëherë edhe sfiduese. Mirëpo pavarësisht kësaj, i qëndroj besnik bindjes time; “Ja vlenë të rrezikosh për të vërtetën” !

- Cili është idoli, nëse mund të shprehem politik a kombëtar shqiptar për Ju?

 Florim Zeqa: Idol i kam të gjithë heronjët dhe dëshmorët e kombit, veprimtarët e të gjitha përiudhave historike që sakrifikuan dhe dhanë gjithë çka patën për atdheun e tyre. Sa i përket idolit politik, është i pakrahasueshmi i epokës sonë, presidenti historik Ibrahim Rugova, i cil me urtësinë dhe vizionin e tij arriti të bëjë për vete aleancën më të fuqishme politike dhe ushtarake në botë, SHBA-të (NATO-në), determinuese të lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë.


- Pas dy materialeve të publikuar për aktivitetin e Shkollës Shqipe në Treviso, kam vërejtur se ke bashkëpunim me disa gazeta, portale e faqe interneti. Cilat janë ato…?
 

Florim Zeqa: Po, siç e keni vërejtur kam një bashkëpunim të gjerë. Nga gazetat janë këto; Kosova sot, Bota press, Gazeta ora, Revista drini, Gazeta blic, Gazeta Rilindja, Gazeta sot, etj. Ndërsa nga portalet do të veçoja Zemra Shqiptare me të cilen kam filluar bashkëpunimin para katër viteve, ndërsa tani bashkëpunoj edhe me Kosova info, VOAL-Zëri i Shqiptarëve, Bota press, Standardi.eu, Toskana press, Portali online, Rugova press, Kosova plus, AlwebTV e shumë të tjera. Sa u përket faqeve të internetit, poashtu janë të shumta ato që bashkëpunoj me to, në disa prej të cilave jam pjesë e stafit administrues.
 Kur jemi në ketë segment nuk bën pa përmendur as bashkëpunimin me gazetat italiane siç janë; L’AZIONE, Quotidiano Italia dhe Internationalpost në të cilën jam edhe pjesë përbërëse e redaksisë (Regione Veneto).

- Planet tuaja, nëse nuk janë sekrete para se të realizohen?!

 Florim Zeqa: Edhe sa u përket planeve nuk kam asgjë sekrete. Përveq vazhdimit tutje me shkrime gazetareske dhe publicistike, radhën e ka libri. Edhe pse i kam dy libra të shkruar (jo të printuar) autobiografik; një nga aktivitetet politike në vendlindje dhe tjetrin nga aktivitetet në mërgatë, e konsideroj të arsyeshme t’i lë për më vonë. Në plan e kam nxjerrjen e librit të parë me përmbledhje të shkrimeve të botuara në gazetën “Bota sot”, për të vazhduar me përmbledhje të shkrimeve të botuara në gazetën “Bota press” dhe me pas edhe të botimeve në gazetat tjera nacionale.

- Duke të uruar shëndet në radhë të parë, mandej edhe suksese në krijimtarin dhe publicistikën tuaj, të falenderohemi në emër të lexuesve për këtë bisedë. Jam i sigurtë se ka mbetur edhe shumë çka pa u thënë për veprimtarinë dhe krijimtarinë tuaj, shpresoj se në një intervistë-bisedë tjetër. Faleminderit!

 Florim Zeqa: Përveç se kënaqësi, bashkëbisedimi me ju zoti Cikaqi, ishte nderë dhe privilegj, të shpalosi për herë të parë për lexuesit tuaj një pjese të jetës dhe aktivitetit tim krijues dhe politik. Parashtrimi i pyetjeve e dëshmon nivelin tuaj të lartë profesional dhe intelektual. Respekt!

Sonntag, 26. Juli 2015

Relacioni sekret për vizitën e shkrimtarëve kosovarë në Shqipëri

       Çfarë zbulon relacioni 25 faqësh i hartuar nga shoqëruesit Odhise Grillo dhe Hamit Boriçi, për udhëtimin 12 ditor të shkrimtarëve Vehbi Kikaj, Maksut Shehu, Rifat Kukaj, Qamil Batalli dhe Agim Deva. Kë kërkuan të takojnë, me kë u takuan, ku dhe çfarë shkëmbyen me ta pesë shkrimtarët kosovarë?

      Gjatë udhëtimit në Shqipëri nga 13-25 nëntor 1973, pesë shkrimtarët kosovarë ishin vëzhguar deri në imtësi. Shoqëruesit e shkrimtarëve, Odhise Grillo dhe Hamit Boriçi, kanë vërtetuar në relacionin e tyre se gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipërisë, shkrimtarët miq kishin ngritur mjaft dyshime, në shumë raste.

       Pas prezantimit të të dhënave të detajuara për shkrimtarët Vehbi Kikaj, Qamil Batalli, Rifat Kukaj dhe Agim Deva, në relacionin e Odhise Grillos e të Hamit Boriçit flitet edhe për gazetarin Maksut Shehu, i cili u ka lënë edhe përshtypjet më negative shoqëruesve nga Tirana. Ata nuk raportojnë më vetëm prirjet dhe provokimet e tij politike, por edhe shumë detaje intime rreth shkrimtarit, duke e akuzuar për marrëdhëniet e ekzagjeruara me pijen dhe femrat.

      Çdo të thoshte të ishe turist në Shqipërinë komuniste, ku gjithmonë, dyshimi i parë që sillej ndërmend për çdo vizitor ishte agjentura? 

Në një vizitë turistike, në vendin më të izoluar të botës, nën vëzhgimin e rreptë të shoqëruesve, por edhe me ëndrrën e mëmëdheut të munguar, pesë shkrimtarë e studiues kosovarë të letërsisë për fëmijë, të ftuar në nëntor të 1973 për një vizitë në Shqipërinë “mëmë” ishin vënë nën skanerin e pagabueshëm të regjimit.

Ata ishin Vehbi Kikaj, Maksut Shehu, Rifat Kukaj, Qamil Batalli dhe Agim Deva.

Ftesa ishte bërë nga Komisioni i letërsisë për fëmijë pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe sektorit të historisë së Letërsisë Shqipe për fëmijë në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë. Shkrimtarët kosovarë kanë qëndruar 12 ditë në tokën e “ëndërruar”, por çdo lëvizje e tyre, çdo bisedë, çdo detaj në sjelljen dhe veshjet e secilit prej vizitorëve, dëshirave dhe përshtypjeve të tyre, është vëzhguar me kujdes, me qëllim që të raportohej më pas.

Këtë detyrë kanë pasur dy shoqëruesit shqiptarë të këtij grupi, të cilët siç ndodhte në të gjithë vizitat e kësaj natyre, pas përcjelljes së miqve kanë hartuar një relacion të hollësishëm mbi detajet e vizitës 12 ditore të kolegëve të tyre.

Relacioni, për të cilin flasim është përgatitur nga shkrimtari Odhise Grillo dhe gazetari Hamit Boriçi, të cilët ishin caktuar që të ishin shoqëruesit e këtij grupi gjatë 12 ditëve të qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Relacioni prej 25 faqesh ofron të dhëna të hollësishme mbi jetën e secilit prej shkrimtarëve, tendencat dhe karakteret krijuese dhe intelektuale, sjelljet “borgjeze” e detaje të imëta mbi pasurinë dhe jetën me privilegje në Jugosllavinë e Titos, dyshimet e lindura dhe informacione të shumta që janë vjelë prej tyre për çështje të brendshme në Kosovë.

Sot sjellim pjesën e parë të relacionit, që ruhet në fondin 14 në AQSH, ku veç raportit mbi vizitën me të gjithë detajet e saj përgjatë 12 ditëve, jepen të dhëna të hollësishme për dy pjesëtarët e parë të grupit, Vehbi Kikaj dhe Qamil Batalli, të cilët sikurse edhe kolegët e tyre Maksut Shehu, Rifat Kukaj, e Agim Deva, janë ndarë tashmë nga jeta, pa na dhënë mundësinë që sot të zbulonim një anë tjetër të këtij udhëtimi që përshkruhet në këtë dokument të hartuar gjithsesi nën presionin dhe kushtet e regjimit totalitar.




R E L A C I O N

MBI VIZITËN E NJË GRUPI SHKRIMTARËSH DHE STUDIUESISH KOSOVARË TË LETËRSISË PËR FËMIJË, QË VIZITUAN VENDIN TONË PREJ DATËS 13-25 NËNTOR 1973

Me ftesën e Komisionit të Letërsisë për fëmijë pranë Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë dhe të sektorit të historisë së letërsisë shqiptare për fëmijë në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, erdhi për një vizitë 12-ditore në vendin tonë një grup shkrimtarësh dhe studiuesish kosovarë që merren me letërsinë për fëmijë, nga shoqata e shkrimtarëve kosovarë. Në këtë grup bënin pjesë Vehbi Kikaj (përgjegjës i grupit, anëtar i Kryesisë së shoqatës), Maksut Shehu, Rifat Kukaj, Qamil Batalli dhe Agim Deva.

Grupi erdhi në vendin tonë më 13 nëntor nga pika kufitare e Hanit të Hotit dhe u largua po nga kjo pikë më datën 25 nëntor.

Gjatë 12 ditëve të qëndrimit në vendin tonë, sipas një programi të aprovuar, grupi vizitoi Shkodrën, Lezhën, Krujën, Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Hekurudhën Librazhd-Përrenjas (urën e Bushtricës), Fierin, Gjirokastrën, Sarandën dhe Beratin. Plani i hartuar qysh më parë u zbatua me përpikëri.

Në Shkodër, Durrës, Tiranë, Fier e Gjirokastër u takuam me shkrimtarë që merren me letërsinë për fëmijë dhe me kryetarët e degëve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Takimet kanë qenë të frytshme, korrekte dhe të dobishme.

Shkrimtarët dhe studiuesit kosovarë u njohën dhe mësuan për sukseset që ka arritur vendi ynë në fushën politike, ekonomike, kulturale e artistike dhe veçanërisht në letërsi e arte. Për këtë ndihmuan shumë vizitat në muzeume, ekspozita, qendra pune e prodhimi dhe takimet me krijuesit.

Grupi i shkrimtarëve dhe i studiuesve kosovarë zyrtarisht përfaqësonte shoqatën e shkrimtarëve kosovarë, por në të vërtetë ata janë përfaqësues të shtresës intelektuale të rretheve të shkrimtarëve dhe të gazetarëve. Kjo vihet re nga pikëpamjet që kanë, nga shijet, kërkesat dhe interesat e tyre, nga mënyra e veshjes, e të sjellurit. Ja disa fakte:

Përmendnin hotelet dhe klubet më të mira që kanë ata, si Pozhuri, udhëtimet me aeroplan, pushimet në vilat e Deçanit, në plazhin e Ulqinit, udhëtimi në Turqi, Greqi e gjetkë.

Ata, jo një herë, vunë në dukje mundësitë materiale që kanë, për të blerë e mbajtur makina personale, siç kishte Maksuti, për të ndërtuar vila, siç ndërtoi Qamili, etj. Fakti që një pjesë e tyre kishin valutë të huaj (M. Shehu e R. Kukaj), dollarë, marka dhe shuma të mëdha dinarësh, tregon se ata u përkasin shtresave të pasura intelektuale. Është e kuptueshme se revizionistët titistë, me të holla e mënyra të tjera kanë blerë njerëzit e propagandës. Dhe këta të fundit bëjnë një jetë të izoluar nga populli, jepen pas qejfeve, karrierës, parave, pas pijeve dhe modave ku më shumë e ku më pak.

Kemi mendimin se pikëpamjet e tyre duhen kuptuar si pikëpamje të një shtrese të caktuar shoqërore, si opinion i përgjithshëm i qarqeve të shkrimtarëve e gazetarëve të Kosovës së sotme.

Në tërësi grupi përbëhet nga shkrimtarë jo të qartë dhe mikroborgjezë. Megjithëkëtë, duhen bërë diferencime. Vehbi Kikaj dhe Qamil Batalli na duket se janë më të thjeshtë, sikur kanë e ruajnë diçka nga populli, akoma nuk janë borgjezuar plotësisht. Rifat Kukaj nga veshja e mënyra e të sjellurit është prototipi i një intelektuali mikroborgjez. Me fjalë tregohet si i lidhur me popullin dhe krejtësisht kundër jetës luksoze.

Karakteristike ishte se kur e sillnin fjalën për Shqipërinë, për bashkimin e Kosovës me atdheun, ishin të një mendimi dhe flisnin me emocione. Janë, pra, nacionalistë.

 Të gjithë ishin anëtarë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Nuk bëjnë asnjë dallim në mes komunistëve të vërtetë dhe revizionistëve. Kur diskutonin, bie fjala, për Spanjën, ata flisnin me admirim për udhëheqësit e partisë së sotme revizioniste spanjolle. Nuk bëjnë dallim mes luftërave të drejta dhe të padrejta. Ata arrijnë deri atje sa të flasin me admirim për Izraelin, që, edhe pse është i vogël, i dërrmoi popujt arabë, pa vënë theksin në karakterin e luftës së sionistëve.

Duket se nacionalistët kosovarë, përfaqësues i të cilëve ishte edhe ky grup, i kanë varur shpresat për të ardhmen e Kosovës, për bashkimin e saj me mëmëdheun, në inteligjencën. Ata deklarojnë se suksesi i dëshiruar do të arrihet me dy rrugë:

a) Me arsimimin (shkollimin) e rinisë. Thanë “sot kemi 20.000 studentë në Prishtinë”.

b) Me këmbënguljen për të shfrytëzuar të gjitha të drejtat që u janë siguruar me Kushtetutë. Dhe, thanë se do të vijë koha që edhe OKB-ja ta thotë fjalën e vet. Kjo vihej re në bisedat si tendencë e përgjithshme. Punëtorët nuk i zënë në gojë fare. Për fshatarësinë kanë mendimin se është një turmë e prapambetur, pa kulturë, pa kërkesa, që rend pas interesave ekonomike, që për të fituar para ikën në Gjermaninë Perëndimore, në Turqi e gjetkë. Bijtë më të mirë të fshatarësisë janë ata që po shkollohen.

Të gjithë pjesëtarët e grupit kanë shprehur besimin e madh te Titua, se të gjitha këto të drejta i kanë nga Titua dhe i lusin jetë të gjatë atij, se kush e di kush ia zë vendin. Këtu është një kontradiktë. Këta edhe i lusin jetë të gjatë Titos, edhe tregojnë shumë anekdota për të. Qamili, Rifati e Vehbiu nuk kanë as dëshirë për të shkruar për Titon.

 

Ja se çfarë përfaqëson secili anëtar i grupit, sipas mendimit tonë:


Vehbi Kikaj

Anëtar i kryesisë së shoqatës së shkrimtarëve, redaktor i revistës “Pionieri”, kandidat për redaktor në Entin botues “Rilindja”.

Është një tip i shoqërueshëm, i qetë, por pak naiv dhe pak hutaq. Nuk është i qartë ideologjikisht, sidomos për lëvizjen komuniste ndërkombëtare në ditët tona. Nuk dallon partitë M.L. të vërteta nga partitë revizioniste. Naiviteti i tij vihet re në disa arsyetime, në besimin që ka te atasheu kultural në Tiranë të cilin e ka pasur profesor në Prishtinë.

E do shumë Shqipërinë, Kosovën e quan një pjesë të Shqipërisë dhe mendon për bashkimin e saj me atdheun duke thënë: “Kur të vijë koha do ta hedh vetë i pari bombën aty ku duhet”. Ka shprehur dashuri të madhe për shokun Enver dhe për partinë tonë. Shënimet e tij në muzetë dhe objektet që vizituam janë më të zjarrta. Ai nuk nënshkruante tok me të tjerët por linte shënim të veçantë.

Në Gjirokastër këmbënguli që të shkëputej nga shokët dhe të vizitonte patjetër shtëpinë-muze të shokut Enver. Në mënyrë të fshehtë ia plotësuam dëshirën. Aty u mallëngjye dhe la një shënim për “njeriun më të madh që ka lindur Shqipëria”.

Gjatë vizitës në varret e Q. Guranjakut, N. Bulkës dhe Zekirja Rexhës, pa varret e prindërve të shokut Enver. Qysh aty, bashkë me Q. Batallin, shprehu dëshirën për të vendosur në varret e tyre buqeta me lule. Për t’i ruajtur ata ne nuk ua plotësuam dëshirën. Para se të largohej fshehtas la 30 lekë për të blerë lule, për t’i plotësuar dëshirën.

Gjatë gjithë kohës është treguar i afërt, ka folur gjithmonë mirë për pjesëtarët e grupit, për shkrimtarë e gazetarë, për funksionarë të huaj dhe për punonjës të UDB-së.

Ka urrejtje të theksuar për serbët aq sa në mesnatën e datës 24 nëntor, u tha pastruesve të rrugës të Shkodrës “pastrojini mirë rrugët se janë ndyrë nga gjaku i 12.000 malazezëve që i kini grirë me shpatë në Tarabosh”.

Është shok i ngushtë me Q. Batallin dhe me R. Kukajn. Mban distancë me M. Shehun e A. Devën. Të tilla porosi na jepte edhe ne. Më tepër lidhje kishte me Qamilin. Në prani të tyre fliste pak më hapur se të tjerët.

Kishte pak qejf pijen dhe tregonte për femrat, sidomos në praninë e të tjerëve (këtë na e kishte thënë edhe Rifati: kur të jemi në grup - sidomos me Maksutin dhe Agimin - bisedë pijesh dhe femrash do të kemi).

Vlerësonte shumë sukseset tona, po ndonjëherë tregohej i matur e fliste me kujdes, sidomos pas zënkës me Agimin, i cili e kishte kritikuar Vehbiun dhe shokët se po tregoheshin inferiorë ndaj nesh.

Tregohej i kujdesshëm kur shkëputej nga grupi, për të biseduar me ne. Jetonte me ankth dhe me frikën se nuk do të shihte më Shqipërinë, pasi hasmi i familjes së tij për një gjak, megjithëse ishin pajtuar, mund të shtyhej nga ata që nuk e duan Shqipërinë, që ta vriste. Këtë e theksoi me lot në sy edhe kur u nda prej nesh në Hanin e Hotit.

Ai pretendonte se bisedon gjithmonë me shokët e tij për çështjen e Kosovës, megjithëse e ka të vështirë. Përkrah ata që luftojnë për të drejtat e Kosovës, p.sh. poetin Gërvalla dhe bojkoton ata që janë në shërbim të serbëve, si p.sh. poetin Adem Gajtani, i cili ka dalë dëshmitar në gjyq kundër një shqiptari që shau serbët dhe qeverinë në një kafe.

Ai deklaroi: po gjetët qoftë edhe njëherë fjalën Serbi dhe Tito në librat e mia, më varni. Nuk shkruaj për ta se i urrej”.

Ai ka deklaruar disa gjëra që mendojmë se duhet të mbahen parasysh:

- Sekretari i Ambasadës sovjetike në Beograd ka mbaruar studimet në Shqipëri. Ai ka ushtruar presion te botuesit në Maqedoni, që të shkruajnë keq për vendin tonë. Kohët e fundit është dukur në zyrat e “Rilindjes” dhe ka biseduar me drejtuesit për çështje të tilla.

- UDB ka dhënë urdhër që poetit Gërvalla të mos i botohen më krijime, pasi ai është “ekstremist” d.m.th. i shfaq hapur ndjenjat dhe mendimet e tij për vendin tonë.

- Disa muaj pasi është kthyer në Jugosllavi nga vendi ynë (Vehbiu ka qenë te ne në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972) është thirrur në zyrat e policisë në Prishtinë dhe e kanë frikësuar. Bile edhe e kanë goditur.

- Tajar Hatibi, ish-redaktor në “Pionieri”, ndërhyn në punët e botimeve, duke i detyruar të botojnë materiale për Titon. Ai është një censor për çdo numër dhe artikull.

- Agim Deva, ka bërë thirrje të shkruante vjersha për Titon, pasi donte të botonte një vëllim. Vehbiu nuk pranoi. As Rifati e Qamili. Atëherë Agimi i kërkoi si recensentë. Këta pranuan dhe për sy e faqe thanë fjalë të mira për vëllimin.

Në Ambasadën jugosllave në Tiranë iu është thënë: “Ne dëshirojmë që ju të lini përshtypje të mira dhe të shkruani mirë për Shqipërinë, për ato që shikoni. Kini kujdes të mos bëni pyetje për disa çështje të brendshme, si për çështjen e F. Paçramit, për ndryshimet në Lidhje etj.”.

- Ai tha se në Prishtinë e sidomos në Gjakovë ka grupe të rinjsh që këndojnë këngë për shokun Enver dhe për partinë tonë. Bile ngrenë grushtin dhe thërresin.

- Tregoni disa anekdota kundër Titos dhe serbëve e sidomos kundër boshnjakëve.

- Atdhe Gashi, regjisor, shok i tij, në një kafe ka thirrur “Poshtë Veli Deva”. Iu sul polici, por e tërhoqi Vehbiu me marifet dhe iku e kështu nuk e kapën dot.

- Me mjaft takt, në bisedat që pati me shokët B. Dedja dhe D. Agolli, gjatë darkave të shtruara për ta, V. Kikaj shprehu dëshirën që në Shqipëri të botohen edhe vepra të shkrimtarëve kosovarë për fëmijët. Ai tha midis të tjerash “ne kemi bindjen e plotë se ju na kuptoni. Në kushtet e sotme të Kosovës nuk mund të shkruajmë ashtu siç mendojmë, ndaj jemi të detyruar të përdorim simbolet”.

P.sh. përdorimin e simboleve mund ta shihni qartë në librin tim të fundit “Shtëpia ime ka sy” kur flas për mbretëreshën ilire Teuta. Çdo gjë që kam thënë aty është simbol për Shqipërinë e sotme të pathyeshme”. Në rast se ju do të botoni veprat tona për fëmijët duhet të dini se kjo ka vlerë të dyanshme: e para, sepse kjo do të shërbejë si inkurajim për ne dhe e dyta se sipas pjesëve që do të zgjidhni për t’i botuar në Shqipëri, ne do të kuptojmë se cila pjesë e krijimtarisë sonë për fëmijët është e shëndoshë dhe i shërben edukimit të fëmijëve kosovarë. Pra botimi i shkrimeve tona në Shqipëri do të jetë busull për krijimtarinë tonë.

- Vehbiu shprehu urrejtjen ndaj fushatës shpifëse që ka ndërmarrë sidomos “Nova Makedonia” kundër Shqipërisë.



Qamil Batalli

Kryeredaktori i revistës “Pionieri”. Vjen për herë të parë në Shqipëri. Së shpejti shkon kryeredaktor i “Shkëndisë”.

Është tip i qetë, i përmbajtur dhe i mbyllur. Flet pak dhe interesohet shumë për gjuhën, pedagogjinë, psikologjinë e letërsinë. Shënon në bllok fjalë të urta dhe bleu rreth tri herë më tepër libra se të tjerët.

Ditët e para pothuajse nuk fliste fare. Shfaqi admirim për zhvillimin e arsimit dhe u habit që në fshat ka shkolla të mesme, bile edhe të profilit bujqësor, kur në Prishtinë ka vetëm një shkollë të mesme.

Pas dy-tri ditësh nisi të flasë lirisht vetëm kur nuk shihej e dëgjohej nga të tjerët. Frikën e justifikonte me faktin se në vitin 1947 i kanë zhdukur të vëllanë, ish-pedagog i zoti dhe patriot.

Në bisedat e ditëve të fundit sa herë që ndodheshim vetëm për vetëm me të, ka ngritur lart rolin e partisë dhe të shokut Enver, duke theksuar: “ Ju keni një Parti të fortë e një komandant të zot dhe të guximshëm”.

Vlerëson politikën tonë të mbështetjes në forcat e veta.

Shprehu mendimin se disa na kritikojnë për dyert e mbyllura ndaj turistëve, por në fakt tha se “Ju veproni shumë drejt”. Jugosllavia pa turizmin nuk mund të jetojë. 70 për qind e buxhetit sigurohet nga turistët, shumë familje në bregdet kanë përfitime të konsiderueshme, po bashkë me dollarët turistët sjellin sëmundje vdekjeprurëse për shoqërinë socialiste. Këtë e provoi Jugosllavia. Ky ndikim ndjehet edhe në Kosovë. Ndaj ka shumë pakënaqësi.

I bënë shumë përshtypje parullat, që lexonte rrugëve ose nëpër objekte, sidomos i pëlqenin dy-tre parulla si “E rrezikshme është ajo që harrohet”, “Armiqtë na kanë në grykë të pushkës, ne i kemi në grykën e topit”, “Të mos harrojmë tragjedinë e BS” etj.

- Shpesh interesohej për policët dhe oficerët, sidomos ditët e para. Ditën e fundit e sqaroi këtë gjë duke thënë: “Propaganda te ne kishte krijuar bindjen se ka shumë policë dhe veçanërisht ne do të ishim njerëz që do të ndiqeshim prej tyre. Policët e armatosur me mitraloza ruajnë shtëpitë e të dyshimtëve edhe të kosovarëve... Ne pyesnim pasi nuk po e vinim re një gjë të tillë. Gjithsej këto 12 ditë kam parë vetëm 10 policë. Jam i bindur se propaganda na mashtron atje. Këtë do ta them edhe atje, pasi te ne ka shumë policë të armatosur bile edhe me kërbaçë e shkopinj kamxhiku”.

Interesohej për libra teorike, pasi sipas tij ata janë nën ndikimin e teorive serbe-malazeze.

- Ndjeshmërinë e vet e shfaqi në Shtëpinë Botuese kur nderoi me grusht dhe tha: “Enveri të rrojë sa malet”, pasi pa një ekspozitë me fotografi të shokut Enver, ku pa kooperativistët me pushkë dhe në varrezat e dëshmorëve ku nderoi fshehtazi me grusht.

- Atë ditë që po ndahej nga ne, na përqafoi të dyve bashkë, futi kokën midis trupave tona dhe i mbushi sytë me lot.

- Qysh natën e parë e gjer në fund fjeti në një dhomë me A. Devën. Pretendon se ka biseduar me Agimin për gjithçka panë e mësuan te ne dhe se vuri re ndryshime të mëdha tek Agimi. Ai tha: “U bë shumë mirë që erdhi Agimi. Ai është rritur në ambient tjetër, ka dëgjuar gjithnjë keq për Shqipërinë. Ka ardhur me ne i bindur se do ta prisnit ftohtë, se do ta ndiqnit nga pas e do krijonit incidente për ta ndjekur nga vendi ynë. Ai nuk mund të bëhet si ne, po mësoi shumë të vërteta për Shqipërinë.

Rrallë fliste në praninë e të tjerëve. Më tepër dëgjonte. Ka botuar një tregimin për Titon, i shtyrë nga Agimi. Në të vërtetë ka hequr emrin e Skënderbeut dhe ka vënë emrin e Titos, në një tregim që e kishte gati (këtë na e tregoi Vehbiu)...



Rifat Kukaj

Redaktor në Radio-Prishtina për emisionin e fëmijëve. Së shpejti mund të kalojë redaktor në Entin Botues “Rilindja”. Vjen për herë të parë në vendin tonë. Është inteligjent, më i zgjuari në tërë grupin, njeri i përmbajtur, pa impulse, qesh me ironi dhe flet me thumba.

Qysh kur erdhi, deri sa u largua, për të kishte dy tema: femrat dhe pija. Sipas tij, këto biseda i hapte, pasi nuk dëshironte të bisedonte për gjëra të tjera në praninë e shokëve. Kur ishte vetëm fliste lirisht, por kurdoherë pa emocione. Ashtu si Vehbiu edhe Rifati ka deklaruar se po të vijë koha, ai i pari do ta hedhë bombën aty ku duhet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Kishte njohuri e të dhëna për historinë, gjeografinë dhe politikën e vendit tonë.

Interesohej për emra fshatrash, vendesh, prodhimesh. Dinte me përpikëri se ku ndodhej një vend i caktuar. P.sh. ai dinte se pas asaj kodre ndodhej Delvina. Me atë tonin e tij të qetë, të ftohtë, deklaronte se dinte shumë për ndërhyrjet e UDB-së gjatë viteve 1947-1948 e më pas, se kishte lexuar shumë literaturë për të. Ai fliste kundër atyre që ishin dhënë pas luksit dhe pas pronës private. Kjo duket kontradiktore kur ai vetë mbahej shumë mirë dhe kishte tokë e bagëti, pronë private në Drenicë. Interesohej shumë për armët: ku i ka armatimet Ushtria, a është i armatosur populli?

Kur kalonim nga Tepelena, poshtë rrugës automobilistike, pa një repart ushtarak e tha: “Ushtarët i pashë, por armë nuk pashë”. Vehbiu i tha: “Në do ta dish, raketat janë nëpër tunele e s’mund t’i shohësh”. Pinte shumë duhan e konjak. Respektonte Maksut Shehun e tërhiqej para tij, pasi, siç thoshte ai, e njihte mirë se çfarë grindaveci e pijaneci ishte Maksuti. Tërheqjen ua këshillonte edhe të tjerëve.

Edhe ky është i interesuar për policët, për oficerët dhe për çmimet. Dëshira e tij e madhe ishte që të vinte Rahman Dedaj në vend të Maksutit. Dinte dhe na tregonte vazhdimisht anekdota kundër Titos, serbëve etj. Këto i tregonte edhe në praninë e Vehbiut, por jo para të tjerëve. Gjithmonë pas vizitave ky bënte shënimet në libër dhe të tjerët firmosnin. Nga çdo qytet dërgonte shumë kartolina dhe kërkonte të vinim firmat të gjithë ne dhe në disa raste ngulte këmbë të shkruanim plotësisht emrin dhe mbiemrin.

Kërkoi pjesë teatrale të dramatizuara nga Radio-Tirana, karikatura nga Hosteni dhe duhan “taraboshi” për llullën (la kërkesën t’i dërgohen disa pako me duhan të tillë).

Ishte i dhënë pas numizmatikës (mblidhte lekë). Pretendonte se djali i tij pesëmbëdhjetëvjeçar e kishte porositur për një gjë të tillë. Kishte mjaft valutë (dollarë), e bleu shumë suvenire.

Shpesh përmendte, si me shaka, “Po të vinja disa vjet më parë, nuk do të kthehesha se më pëlqejnë shumë vajzat këtu, do të dëshiroja ta martoj djalin...”!

Ai theksonte se duhej marrë parasysh gjendja, kushtet në të cilat ndodheshin, se tani për tani kryesorja është që të luftohet për të shfrytëzuar deri në maksimum të gjitha të drejtat që ua siguronte Kushtetuta.

Premtoi se nga Shqipëria do të shkruante si “Shënime udhëtimi” 4-5 vjersha. Fliste kundër serbëve, admironte kroatët. Rifati sugjeroi se do të ishte mirë që t’u krijohej mundësia sa më shumë që të jetë e mundur për të ardhur në vendin tonë, shkrimtarëve dhe publicistëve, jo vetëm kosovarë, por edhe të atyre që janë miq të Shqipërisë, të cilët kanë folur e shkruar mirë për Shqipërinë.

Ai tha se një artikull i shkruar në gazetën “Delo” të Lubjanës nga poeti dhe publicisti Herman Vogël, bëri jehonë të madhe. Studentët e Lubjanës u ngritën në demonstratë për të zbatuar parimet e arsimit, të shkollës shqiptare, si në Shqipëri. Ata mbanin në duar gazetën “Delo”, ku ishte botuar edhe një fotografi e Llazar Siliqit. Rifati tha se gazetari Drago Karl, i gazetës “Delo”, që e simpatizon Shqipërinë, ka kërkuar të vijë në Shqipëri. “Mendoj”, vuri në dukje, “se do të ishte pozitive kjo vizitë, pasi është gazetar me kurajë, dhe sipas mendimit tim, do të ndriçonte drejt situatën që ekzistonte sot në Shqipëri, duke hedhur poshtë parullat antishqiptare”.

Rifati hiqej sikur ishte kundër sistemit të vetadministrimit në ekonominë jugosllave, duke e konsideruar si një dështim.



Agim Deva

Redaktor përgjegjës i gazetës së pionierëve, organ informativ. I biri i Veli Devës, personalitet i njohur në Jugosllavi. Ka kryer studimet e larta në Prishtinë. Dhe tani përgatitet për të mbrojtur magjistraturën.

Shumë i ri në moshë, i datëlindjes 1948.

Në pamje të parë duket i qetë, por në të vërtetë e përmbante veten. Ditët e para nuk fliste fare. Më vonë filloi të flasë, por pak. Më tepër dëgjonte, ndiqte me vëmendje bisedat e të tjerëve. Është pak mendjemadh dhe mbahet për pozitën që ka i ati.

Në hotel vazhdimisht flinte me Qamil Batallin. Me të gjithë bisedonte njëlloj. Me Maksut Shehun ka pasur raste kur janë zënë edhe në praninë tonë, siç qe rasti gjatë rrugës Librazhd-Elbasan. Zënka ishte për çështje rrogash dhe përgjegjësia në organet që nxjerr Enti Botues “Rilindja”. Kaluan në ofeza reciproke. Të tjerët nuk ndërhynë. Më vonë Rifat Kukaj sqaroi: “Gjithmonë tërhiqemi në raste të tilla, se Maksuti është nevrik, don t’i shkojë e vetja, është grindavec”.

Ndërsa Agimi tha mënjanë: “Vetëm unë ia thyej hundët Maksutit, se mua s’ka ç’më bën”.

Agimi ka kritikuar shokët për nënvleftësim nga ana e tyre të letërsisë kosovare gjatë bisedës që u bë në Shtëpinë Botuese “N. Frashëri”. Edhe për këtë janë zënë. Maksuti ka ndërhyrë dhe duke përkrahur Agimin, e ka ofenduar rëndë Vehbi Kikajn. E shau nga nëna. Vehbiu nuk i është përgjigjur.

Agimi interesohej shumë për dallimin nga veshja të oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve dhe policëve. Interesohej gjithashtu a mësohet gjuha kineze në shkollat tona, a ka shumë kinezë dhe ç’rroga marrin. (Megjithëse rrallë kanë parë kinezë, policë, oficerë dhe ushtarë).

Agimi njihte mirë kursin e këmbimit të lekut me dinarin dhe anasjelltas, bënte përllogaritje në çast.
 Ngrinte shumë çështjen e arsimit në Kosovë, si kundërpeshë e zhvillimit të sistemit tonë arsimor, për të cilin fliste fjalë të mira. Gjatë bisedave për bursat dhe arsimin në Kosovë, pranonte deri diku vartësinë e studentit nga ndërmarrjet ekonomike, të cilat u jepnin bursën ose u akordonin hua studentëve, me kushte që ata pas kryerjes së studimeve, të punonin në atë ndërmarrje për disa vjet, derisa të shlyenin detyrimet.
 Agimi u habit kur pa sa afër ishte Korfuzi me Sarandën dhe kufiri në përgjithësi. Nuk mund ta merrte me mend që flota e 6-të amerikane dhe ajo sovjetike të silleshin aq afër Shqipërisë.

Ditët e fundit filloi t’i miratonte sukseset tona në shumë fusha, por gjithmonë me ton zyrtar. Përdorte shpesh fjalët “na befasuat”, “shumë befasime na bëtë!” d.m.th., pamë e mësuam ato që nuk i prisnim.

Më datën 23 nëntor, një ditë para se të largoheshin nga Tirana tha se ishte i sëmurë, qëndroi në shtrat në “Dajti”, nuk u ul të hante mëngjesin. Kur i thamë për vizitë mjekësore, nuk pranoi, duke theksuar se e kishte nga lodhja. Ne dyshojmë se ai u shtir i sëmurë me qëllim që të ndahej nga grupi për të bredhur nëpër dyqane ose për të takuar ndonjë njeri nga të Ambasadës. Në orën 11.30 nuk ka qenë në dhomë. Dhomën e ka lënë rrëmujë të hapur. E takuam jashtë para monumentit të V. I. Leninit. Tha: “Dola pak për ajër”. Të nesërmen u vërtetua se kishte dalë nëpër dyqane. Këtë e tha vetë.

Agimi një ditë, pasi grupi ishte në Ambasadën jugosllave, është takuar për më shumë se një orë me përfaqësuesin e shoqërisë së aviacionit jugosllav JAT. Na tha: “Këmbeva disa dinarë”.

Gjatë udhëtimit për në Hanin e Hotit, Qamil Batalli në prani të Vehbi Kikës tha se kishte biseduar me Agimin për më se dy orë, e kishte lënë të shprehte mendimet e veta për vizitën. Qamili tha se Agimi kishte ndryshuar shumë gjatë vizitës. Të tjera mendime kishte në ditët e para, të tjera më vonë. Dhe, siç deklaroi Qamili, në mos qoftë propagandist i sukseseve të Shqipërisë, kur të kthehet në Kosovë, do të jetë një njeri që nuk do ta gëlltitë propagandën bajate që bëhet kundër jush. U bë mirë që erdhi Agimi në Shqipëri!

Agimi, në fillim i heshtur, mbas ditës së pestë dhe të gjashtë, nisi të hapet. Më rrallë fliste në prani të të tjerëve, më tepër në veçanti, por përsëri përpiqej t’i peshonte mirë fjalët dhe nuk bisedonte gjatë.

Dy ditët e fundit ka biseduar më shumë me Vehbiun e Qamilin. Kështu na thanë. Dhe i ka çuditur ata me konsideratat e miratimet për vendin tonë. Këtë e kemi vënë re edhe ne.

Në darkën e lamtumirës, Agimi ka biseduar gjatë me profesor Androkli Kostallarin, që e kishte pranë. Bisedën e nisi me problemet e gjuhës shqipe dhe të albanologjisë dhe kaloi në disa probleme të tjera.

Ai, ashtu si edhe të tjerët, i foli profesor Androkliut për konsideratën e lartë, për sukseset e studimeve shqiptare në fushën e albanologjisë, për rolin e tyre në zhvillimin e gjuhësisë shqiptare në Kosovë. Ai tregoi se përmbajtja e lartë cilësore e studimeve albanologjike (botimet dhe ligjëratat), mendimi teorik shkencor dhe përpunimi i gjuhës kanë lënë gjurmë në shkollat dhe në inteligjencën e Kosovës. Ai tha: “Kongresi i Drejtshkrimit është vlerësuar shumë dhe ka ushtruar ndikim të madh në Kosovë. Jehona e tij vazhdon edhe sot, jo vetëm në qytetet, por edhe tek arsimtarët e fshatrave, të cilët janë shumë të etshëm për dije. Arsimtarët e fshatit kërkojnë tekste mësimore shqiptare, sidomos për lëndët gjuhë e letërsi”.

Kur Agimit iu dorëzuan librat, dhuruar nga Instituti i Gjuhës dhe letërsisë (vëllimet mbi Kongresin e Manastirit dhe mbi Kongresin e Drejtshkrimit, mbi normat e gjuhë letrare si dhe dy vëllime me përmbledhje studimesh gjuhësore), tha: “Ky është një nder shumë i madh për mua. Këto libra do t’i mbaj në një vend të dukshëm, si librat më të çmuara që kam në shtëpi”.

Duke folur për futjen e normave të gjuhës letrare, Agimi tha: “Tani bëhet përpjekje që edhe në botimet tona të kultivojmë gjuhën e sotme letrare shqipe. Bile edhe në gazetën e pionierëve përpiqemi të zbatojmë rregullat e sprovuara nga Kongresi i Drejtshkrimit. Në Kosovë tani thuhet: të shkruajmë me gjuhën e gazetave e revistave ‘Drita’, ‘Zëri i Popullit’, ‘Nëntori’ dhe ‘Mësuesi etj. Te shkrimtarët tanë vihet re një përpjekje e dukshme në këtë drejtim. Në qoftë se ndonjë gjë nuk e kemi arritur në shkallën e duhur, kjo nuk ndodh se ne nuk dëshirojmë, por sepse kaq janë fuqitë tona, kaq e njohim gjuhën letrare. Por, ne jemi optimistë për të ardhmen”.

Agimi, pasi ngriti lart sukseset në fushën e albanologjisë, profesor Kostallarit i tha se para se të vinte në Shqipëri, kishte dëgjuar fjalë të mira për Shqipërinë, në përgjithësi për zhvillimin e vendit pas çlirimit. Ndërsa, nga tregimet e babait dinte se Shqipëria para çlirimit ka qenë një vend i prapambetur dhe i mjeruar. “Ato që pashë me sytë e mi”, vuri në dukje Agimi, “sidomos veprat e mëdha të pesëvjeçarëve, objektet e reja si Kombinati Metalurgjik i Elbasanit, uzina e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, zona e naftës, ndërtimet e sistemimet bujqësore, pallatet e kulturës, pallati i pionierëve e shumë objekte të tjera më mahnitën. Ato që pamë i tejkaluan shumë parashikimet tona jo vetëm të miat, që jam i ri, por edhe të shokëve të mi, më të moshuar. Me këto realizime Shqipëria pas 5-7 vjetësh do të bëhet një vend që ka për t’ua kaluar të gjithëve (dhe këtu iu mbushën sytë me lot)”.

Duke folur për babin e vet, Veli Devën, i cili tani është drejtori i Kombinatit të Trepçës (sipas tij këtu ka ardhur me kërkesën e punëtorëve, Veliu është akoma në forumin e lartë udhëheqës në Beograd, por formalisht, deri në zgjedhjet e reja), Agimi vuri në dukje thjeshtësinë dhe karakterin popullor të babait.

Ai deklaroi: “Babai na porosit ne fëmijëve të vet, mos harroni se jeni nga një familje e varfër, se babai i juaj ka vuajtur për bukën e gojës, mos harroni origjinën tuaj, jetoni thjeshtë dhe vetë bën një jetë të tillë. Na këshillon të mos ndjekim modat në veshje, në mënyrën e të sjellurit. Ne kemi në disa qytete bijtë e disa të pasurve me mirëqenie, që ndjekin modat ekstravagante e që nuk mësojnë në shkolla. Në masë rinia kosovare jeton thjeshtë. Fshatarët nuk kanë kohë e mundësi me u marrë me modat. Mësuesit e fshatit, për shembull, edhe japin mësim, edhe punojnë tokën e tyre në fshat.

Babai flet me nostalgji për Shqipërinë, na kujton vitet e fëmijërisë dhe të rinisë, kohën kur i doli bursa në Krumë për të vazhduar gjimnazin e Shkodrës, na tregon vendet ku ka mësuar e luftuar në Shqipëri, për shokët e tij, që tani janë bërë kuadro e thekson ata janë bërë të tillë sepse kanë qenë njerëz të thjeshtë, sepse luftuan me armë në dorë për çështjen e atdheut. Babai më la edhe një porosi, po të më jepej rasti t’i transmetoja të fala shokut të tij të ngushtë të klasës dhe të jetës në konvikt, Demlush Thaçit. Më tha: jepja të falat Demlushit, në qoftë se ai ka pasur qëndrim të mirë deri në fund, jo vetëm gjatë luftës, por edhe më pas, dhe në qoftë se dhe tashti nuk është në pozita armiqësore me partinë. Këtë porosi desha t’ua thosha shoqëruesve, por ndruhesha në fillim. Kur pashë prirjen e ngrohtë që m’u bë, mora guximin dhe po ju them”.

Agimi tha se babai ka nostalgji të vazhdueshme për shokët e shkollës në Shqipëri, dhe po të vinte ndonjëri prej jush (iu drejtua prof. Kostallarit), që keni qenë në një konvikt, do ta pinte me gjithë qejf një kafe me ju.

Agimi dy herë iu afrua profesor Bedri Dedjes t’i shprehë një mendim duke thënë letërsia shqipe për fëmijë ka arritur suksese të mëdha dhe propozoi që të bëhet një antologji e përbashkët e letërsisë për fëmijë në gjuhën shqipe për të cilën ai do të merrte përsipër, nëpërmjet shtëpive botuese jugosllave, ta botonin në gjuhë të huaja. Agimi e përsëriti këtë mendim në takimin e parë dhe në darkën e mirëseardhjes.


Zbulohen detaje të reja me interes në relacionin e vitit 1973 për vizitën 12 ditore të pesë shkrimtarëve kosovarë në Shqipëri. Pas prezantimit të të dhënave të detajuara për katër shkrimtarët e parë, Vehbi Kikaj, Qamil Batalli, Rifat Kukaj dhe Agim Deva, në relacionin e Odhise Grillos e të Hamit Boriçit flitet edhe për gazetarin Maksut Shehu, i cili u ka lënë edhe përshtypjet më negative shoqëruesve nga Tirana. Ata nuk raportojnë më vetëm prirjet dhe provokimet e tij politike, por edhe shumë detaje intime rreth shkrimtarit, duke e akuzuar për marrëdhëniet e ekzagjeruara me pijen dhe femrat.
  
 

Maksut Shehu

Sipas Grillos dhe Boriçit, edhe Maksut Shehu interesohej nëse Shqipëria dispononte apo jo raketa dhe pyeste detaje rreth fletërrufeve. Ata veçojnë edhe thënien e kolegëve të Shehut, sipas të cilëve ai kishte udhëtuar si reporter në më shumë se 60 vende të botës.

Pasi mbyllen shënimet për gazetarin Shehu, në relacion jepen të dhëna të tjera të përgjithshme për grupin. Ndër bisedat që ata evidentojnë janë ato për shkrimtarët brenda kufijve të Shqipërisë, si Kadare, Agolli apo Jakov Xoxe.

“Nga autorët e letërsisë për të rritur duan shumë Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin e Jakov Xoxen, pëlqejnë Agim Shehun etj. Këta janë kundër kritikës së Rexhep Qoses për Ismail Kadarenë. Thonë: edhe sikur të jetë e drejtë kritika, nuk është në interesin tonë një gjë e tillë”, shkruajnë në relacionin e tyre Grillo dhe Boriçi, duke zbuluar rrënjët e hershme të fërkimeve mes Qoses dhe Kadaresë. Pjesën e tretë të këtij dokumenti, e sjellim si më poshtë, ndërsa nesër do të jetë edhe pjesa e fundit e tij.

Maksut Shehu në fillim na tha se kishte disa ditë që ishte pa punë, pasi qe larguar nga RTV e Prishtinës, për arsye të kushteve të vështira dhe se së shpejti do të kalonte përsëri në “Rilindja”. Më vonë vazhdimisht thoshte se punoj në “Rilindja”. Duket se është kuadër i vjetër dhe besnik i regjimit titist. E mburr shumë Titon dhe Fadil Hoxhën. Ndonjëherë edhe Veli Devën.

Në vitin 1948 thotë se ka qenë zv.komandant i brigadës kosovare në rrugën Sanaç Sarajevo, ku ka punuar edhe brigada shqiptare “Qemal Stafa” (brigada shqiptare në atë kohë ikën nga aksioni). Thotë dhe të tjerët e aprovojnë se ka qenë në rreth 60 shtete si reporter. Më 1967 ka qenë në Bashkimin Sovjetik, por pretendon se nuk shkroi asnjë rresht pasi ndodhën ngjarjet e Çekosllovakisë dhe ky nuk solidarizohej. Duket se ka urrejtje për sovjetikët e për sllavët në përgjithësi.

Është nevrik, grindavec, mendjemadh, feminist dhe pijanec. Kudo do të duket, t’i shkojë e tija dhe ka shpirtin e kundërshtimit. Mburret se është takuar me njerëz të mëdhenj, si Nehru, Arafat, se ka shoqëruar e përsëri është ngarkuar të shoqërojë Titon nëpër shtete të tjera. Tha: “Sa të kthehem do të shoqëroj Titon i cili do të vejë në Indi për të marrë çmimin Nehru”. Një herë tjetër tha: “Na kanë ftuar të zgjedh se ku dëshiroj të shkoj korrespondent i “Rilindjes”, në Paris, Londër, Moskë, Vashington. Unë nuk dua të largohem se kam fëmijë. Dëshiroj të vij korrespondent në Shqipëri”.

Disa herë është grindur me shokët e vet dhe i ka ofenduar rëndë edhe në sytë tanë. Shokët e tij, me përjashtim të Agim Devës, heshtnin. Bile dhe Qamili që me sa na thanë e kishte dajë Maksutin. Kur ishim në Gjirokastër e në Sarandë, dy ditë rresht piu konjak që nga mëngjesi gjer në darkë. Kur ishte i pirë tentonte të takonte njerëz të ndryshëm dhe të bisedonte me ta. Kur bisedonim, shpeshherë thoshte: “E di, e di këtë gjë, pasi e njoh mirë Shqipërinë”. Kur i tregonin ndonjë ngjarje, objekt apo hero tonin, ai përnjëherësh mundohej të kalonte në ndonjë ngjarje, objekt apo hero jugosllav.

Në varrezat e dëshmorëve në Tiranë foli për Sutjeskën dhe dëshmorët e saj, në Gjirokastër kur pamë përmendoren e Bule Naipit dhe të Persefoni Kokëdhimës, na foli për heroinat e Beogradit që kishin rënë gjoja qysh më 1941, bile edhe më të vogla në moshë etj. Përsëriste vazhdimisht se do të shkruante mirë për Shqipërinë dhe nuk do të pranonte asnjë kompromis me botuesit. Interesohej shumë për çmimet dhe rrogat. Na ka pyetur disa herë për këto. Donte të dinte nëse kemi raketa. Këtë pyetje e bëri duke udhëtuar për në Sarandë kur ishte i pirë. Kur mori përgjigjen se ne kemi çdo gjë për të dëmtuar armikun, bëri sikur u entuziazmua.

Nuk linte rast pa u mburrur për djalin e vet që e quakan Mehmet Shehu. Kur fliste për udhëheqësit tanë thoshte: “Enver, Mehmeti”, ne shtonim: “Shoku Enver, shoku Mehmet”, ai thoshte “dakord, dakord”.

Duket se e njihte shtypin tonë, sepse përmendte emra gazetarësh e artikujsh nga “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”. Është interesuar për një Hamit i cili ka qenë shok i ngushtë i vëllait të tij dhe tani duhet të ishte me pozitë në sigurim. Ky Hamit paska qenë në Beograd, në ambasadën tonë, pas çlirimit. Ne i thamë se nuk njohim një Hamit të tillë. Me siguri e kishte fjalën për Hamit Keçin.

Donte të dinte hollësira dhe pyeste për shkrimtarin Kapllan Resuli (pse u dënua, sa u dënua etj.) dhe e shau duke thënë: “Edhe njerëzit e tjerë të familjes i ka spiunë”. U interesua dhe për Mustafa Greblleshin. Kur i thamë se në Kosovë është shkruar për Mustafanë dhe i është ribotuar një vepër (“Ditari i një bojaxhiu”) bëri sikur harroi dhe tha: “Po, po, më kujtohet, jam hutuar”.

Bënte vazhdimisht sikur interesohej për “Kapitalin” e Marksit dhe deklaronte se dy vëllime i kishte në shtëpi dhe i lexonte. Priste të dilte i treti. Në të vërtetë i treti ka dalë prej kohësh. Lidhur me këtë tha se “edhe në Jugosllavi, në shqip, së shpejti do të botohen gjithë veprat e klasikëve të marksizëm-leninizmit”. Interesohej gjer në hollësi, të dinte ç’rrugë ndjekin fletë-rrufetë, kur i kritikuari pranon, kur nuk pranon etj. Bile shpesh na thoshte me shaka se do të na vinte fletë-rrufe neve shoqëruesve për kujdesin që treguam.

Disa herë na foli kundër Ibrahim Uruçit dhe tha se gjoja e kishte njohur që ishte njeri i keq dhe e kishte sharë qysh në Kosovë.

Shpesh përsëriste se ishte partizan dhe komunist i 41-shit (ai vetë ishte i datëlindjes 1930). Kur u zu në gojë puna e Lindjes së Mesme, tha se e kishin caktuar korrespondent të “Rilindjes”, por nuk pranoi të shkonte se e dinte përgatitjen e dobët ushtarake të arabëve.
 

Maksuti në një bisedë për Ismail Kadarenë deklaroi: “Parisi ka marrë përsipër t’i japë çmimin ‘Nobel’ Ismailit, pasi, siç dihet, prej andej janë propozuar shumë njerëz që e kanë marrë”. Vehbiu iu përgjigj: “Nuk e besoj ta propozojnë, pasi zakonisht këtë çmim e marrin antikomunistët”.

Ne mendojmë se Maksuti është një tip sharlatani e aventurieri, që tashmë është shfrytëzuar dhe i është pirë lëngu. Megjithatë, dukej se shokët e tjerë, me përjashtim të Agimit, ia kishin frikën.

Maksuti disa herë është takuar me atasheun jugosllav në “Dajti”. Ka qëndruar me të veçmas e ka biseduar gjatë. Ditën e fundit atasheu kishte shkuar në dhomën e Maksutit në “Dajti” dhe vonuan të zbrisnin. Telefonin e kishin lënë hapur. Kur zbritën, Maksuti kishte një pako me cigare “Kent”, prej të cilave u dhuroi edhe shokëve.

Maksuti deklaroi se “para se të vinte në Shqipëri takova Fadil Hoxhën në Prizren ose Pejë”. Sipas fjalëve të tij, edhe ai u gëzua dhe më tha që “t’u bësh të fala të gjithëve në Shqipëri, edhe atyre që më duam edhe atyre që s’më duan”.

Ata, në bisedat e ndryshme me ne, dhe me të tjerët, ngritën një sërë problemesh, që mendojmë se duhen pasur parasysh:

- Vihet re se grupi, me përjashtim të ndonjërit, ishte tërësisht nën ndikimin e propagandës armiqësore, që është bërë dhe bëhet ndaj vendit tonë. Këto evidentoheshin në pyetjet e shpeshta, në çudinë e tyre si në Shqipëri u jetuaka mirë, si njerëzit qenkan kaq të lirë, si paska njerëz kaq të veshur mirë, nuk paska policë e mitraloza në rrugë. Ndonëse hiqeshin se ishin të mirinformuar për realitetin tonë, prapëseprapë u shpëtonin dyshimet e tyre.

Kjo konkretizohet edhe nga konkluzionet e përgjithshme që kanë arritur ata gjatë vizitës, konkluzione të shprehura në veçanti nga secili, por dukej se ishin bashkëinformuar. Ja konkluzionet e përgjithshme:

1. Sukses i madh për Shqipërinë është zgjidhja e problemit të punës. Në Kosovë e në Jugosllavi ka papunësi të madhe. Njerëzit janë të detyruar të mërgojnë për punë.

2. Konfirmuan unanimisht të arriturat e shkëlqyera në fushën e arsimit, të shkencës, të arteve dhe të kulturës. U ka lënë mbresa karakteri masiv e popullor në këtë fushë.

3. Tërhoqën vëmendjen e tyre ndërtimet e shumta dhe ndryshimet që kanë ndodhur në vendin tonë, qytetet e rinj që kanë lindur (si Laçi), kënetat që janë tharë (si Kakariqi), fshatrat që janë kthyer në qytete (si Kavaja, Lushnja etj.).

Atyre u lanë mbresë veprat e mëdha të pesëvjeçarëve, sidomos Metalurgjiku i Elbasanit, Azotiku i Fierit dhe zonat naftëmbajtëse, dhe shprehën mendimin se si mund të ndërtojë kaq shumë një popull i vogël. “Ne”, thanë ata, “për të ndërtuar një rrugë tetë kilometra në Prishtinë duhet të marrim lekë nga bankat amerikane”. Përmendën se në Kosovë ka disa vjet që ka filluar të ngrihet një kombinat i vogël dhe akoma nuk po mbaron.

U ka bërë përshtypje sidomos rregulli e pastërtia nëpër qytetet ku kaluan.

U bëri përshtypje që nuk panë veçse 10 policë gjatë gjithë kohës që qëndruan këtu, që nuk panë lypës e pijanecë, që nuk panë grindje e aksidente automobilistike dhe femra rrugësh. Këto i shprehën edhe veç e veç edhe bashkërisht.

Kur jepnin këto mendime të përgjithshme, ata bënin krahasimin me Kosovën dhe me tërë Jugosllavinë, duke nxjerrë indirekt se atje ka shumë policë, pijanecë, lypës, femra rrugësh etj., dhe ndodhin shumë katastrofa automobilistike.



Disa çështje të tjera:

1) Për letërsinë shqiptare, të gjithë thanë fjalët më të mira për tematikën, formën artistike dhe përmbajtjen e saj, duke vënë në dukje rolin dhe ndikimin e frytshëm që ushtron ajo në Kosovë.

Të interesuar për letërsinë për fëmijë flasin me respekt për shkrimtarë të ndryshëm shqiptarë për fëmijë, për krijimtarinë e studimet në këtë fushë të profesor Bedri Dedes, për librat e mjaft autorëve që gëzojnë popullaritet e simpati si të Xhevat Beqarit e Odhise Grillos, Adelina Mamaqit e Gaqo Bushakës, Skënder Drinit e Bekim Gaçes etj.

Ata kërkuar disa herë bashkëpunim më të dendur në fushën e botimeve dhe të studimeve për letërsinë shqiptare për fëmijë, duke bërë edhe studime të historisë, të veprave, të autorëve dhe të problemeve të letërsisë shqiptare për fëmijë.

Nga autorët e letërsisë për të rritur duan shumë Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin e Jakov Xoxen, pëlqejnë Agim Shehun etj. Këta janë kundër kritikës së Rexhep Qoses për Ismail Kadarenë. Thonë: edhe sikur të jetë e drejtë kritika, nuk është në interesin tonë një gjë e tillë.

2) Për shqiptarët që shkojnë në Kosovë janë të kënaqur dhe vlerësojnë kontributin e tyre për çështjen e arsimit, kulturës dhe të shkencës shqiptare. Pëlqejnë shumë ligjëratat e profesor Androkli Kostallarit. Për të thanë: “Vetë përgatitja e tij, ligjëratat me kualitete të larta shkencore janë propaganda më konkrete për Shqipërinë, pa qenë nevoja për të bërë propagandë direkte”.

Mirë flasin, në përgjithësi, për pedagogët tanë, sidomos për ata të fushave të albanologjisë.

3) Për vizitën e Titos në Bashkimin Sovjetik, mendimi i përgjithshëm i tyre është se Tito ua ka frikën sovjetikëve, sepse vendet e paangazhuara janë një zinxhir i kalbur. Tregojnë se në ditët e ngjarjeve të Çekosllovakisë, në Beograd u bënë dy mitingje të mëdhenj, ku personalitete shtetërore dhe të Lidhjes së Komunistëve jugosllavë dënuan veprimin e sovjetikëve. Të nesërmen ambasadori sovjetik në Beograd, pa kërkuar audiencë, pa paralajmërim, shkon në rezidencën e Titos dhe duke i dorëzuar notën e protestës së qeverisë sovjetike për qëndrimin zyrtar të Jugosllavisë, e kërcënuan atë për pasoja të rënda.

Tito i përulet ambasadorit dhe shkon gjer atje sa i lutet atij të interpretojë drejt e me dashamirësi faktet se, në rastin e dhënë, zyrtarët e partisë dhe të shtetit jugosllav nuk mund të vepronin ndryshe. Populli ishte indinjuar. Dhe me popullin nuk mund të biem në opozitë. Kemi problemet e hallet tona të brendshme. Këto fjalë janë të shënuara në një protokoll të mbajtur në këtë takim. Dialogu i acaruar mes Titos dhe ambasadorit sovjetik, u ka rënë në duar këtyre në Deçan.

Të tjera mendime për vizitën e Titos në bashkimin Sovjetik.

- Sovjetikët ia kanë nevojën Titos se gëzon popullaritet dhe respekt të madh në botën e paangazhuar.

- Tito kërkon ndihma të reja. Gjendja ekonomike tek ne është shumë e rëndë. Shteti është zhytur në borxhe.

4) Për luftën në Lindjen e Mesme, shprehën mendimin (disa) se nuk janë të përgatitur për luftën me Izraelin, se nuk janë trima etj. Duhet ta zgjidhin problemin në OKB (mendimi i Maksutit).

- Ndihma e sovjetikëve për arabët, sado e madhe që të jetë, nuk i nxjerr dot nga balta. Bashkimi Sovjetik e kreu detyrën e vet.


Shoqëruesit:
Hamit Borici
Odhise Grillo

Tiranë, nëntor 1973


Shkrimi është botuar në Shqiptarja.com (print) në 1 Gusht 2014