Freitag, 14. November 2014

Rrëfimi i njeriut që u përball me armikun

Flet invalidi dhe veterani i UҪK-së, Shefki Terziu.

Nga Rrahim Sadiku

Jam i lindur në Sllatinë të Kaҫanikut, më 27.9.1967, në familje me traditë patriotike. Gjyshi im, Sahit Terziu, ishte kyҫur në luftën kombëtare që nga koha e pushtimit serb dhe pasi u ripushtua Kosova, në fund të vitit 1944, e vazhdoi qëndresën në male e më vonë mërgoi në Amerikë, por pa iu ndarë as edhe një herë përkushtimit të tij atdhetar. Ai dhe vepra e shokëve të tij ishte frymëzuese për ne e për gjithë gjeneratat përparimtare të rinisë kosovare. Ky frymëzim bëri që populli ynë të ngrihej në demonstrime e në qëndresë të vazhdueshme, duke treguar kështu se nuk pajtohej e nuk do të pajtohej kurrë me robërinë e vendit. Andaj, fillimi i luftës së armatosur nga UҪK-ja ishte grishje e fortë për gjithë popullin, po sidomos për atë rini liridashëse e përparimtare, që po edukohej e kalitej në frymë plotësisht atdhetare. Që nga krismat e para të luftës së armatosur e deri në daljen e hapur të UҪK-së, radhët e luftëtarëve të lirisë shtoheshin në heshtje dhe luftimet ishin të shumtën guerile, po që shpeshtoheshin nga dita në ditë, derisa erdhi koha e luftimeve frontale, sepse u krijuan kompani, batalione e brigade, që u bënë garanci e ardhjes së lirisë që e kemi dashur, për të cilën kemi luftuar e kemi sakrifikuar dhe e kemi pritur me shekuj.

Unë jam kyҫur në radhët e UҪK-së më 1 tetor 1998 dhe kam marrë pjesë në të gjitha fazat e organizimit të saj në Kaҫanik e rrethinë. Njëkohësisht, në radhët e ushtarëve të lirisë janë rreshtuar edhe motra e vëllai im. Në fillim të angazhimeve të mia për UҪK-në kam marrë pjesë në bartjen e armatimeve, të barërave e të paisjeve për mjekësi dhe kështu vumë themelin për spitalin e Brigadës sonë. Mandej jam angazhuar në vrojtime të terrenit, në bartjen e të sëmurëve e të plagosurëve, në sigurimin e populates, po shpesh kam patur detyrv të shoqëroj personalitete të luftës e me detyra të tjera, gjatë rrugëtimeve të tyre për përhapjen e ideve të luftës sonë e të ndërkombëtarizimit të saj. Shpesh jam angazhuar edhe për të siguruar ushqime që duheshin për luftëtarët, për të krijuar kushte strehimi e kam kryer edhe punë të tjera që më janë ngarkuar nga eprorët e mi. I bëja të gjitha këto me vullnetin më të madh, sepse kështu vëja në vend amanetin e të parëve të mi, siguroja rrugë ardhmërie dhe ndihmoja që të ishte më e vogël mundësia e represaljeve dhe e hakmarrjeve të armikut. Kam marrë pjesë edhe në radhët e ushtarëve të UҪK-së në Jezerc, ku edhe në një rast jam plagosur lehtë.

Jam plagosur në ofenzivën serbe të 8 marsit, e cila ishte drejtuar kundër forcave të UҪK-së, që atë kohë ishin koncentruar në fshatin Ivajë. Ishte ajo mësymje e ushtrisë armike, me disa repartee e me të gjitha mjetet e mundshme, duke synuar asgjësimin e ushtrisë sonë. Që nga mëngjesi nisi rezistenca jonë e vendosur kundër armikut, që kishte në disponim armatimet më të rënda, po vullneti dhe vendosmëria jonë ishte më të mëdha. Jam plagosur diku rreth mesditës dhe kisha gjakderdhje të madhe. Duke e parë se po më rrezikohej jeta, erdhi Nexhmedin Luta dhe si mundi ma ndali gjaderdhjen dhe ashtu mbeta deri rreth ores tetë të mbrëmjes, kur Nexhmedini dhe vëllai im më dërguan në Kotlinë, ku ishte spitali ushtarak dhe Dr. Fadil Gashi, i cili gjatë ditës kishte qenë duke u kujdesur për të plagosurit në Puset e Nikës e në vendluftime të tjera, më pastroi plagën, vendosi si duhet pjesët e dëmtuara dhe më vuri mbajtëse për krahun, që të mos dëmtohesha më shumë. Mandej atë e thirrën se kishin nevojë mjekimi të sëmurë të tjerë dhe unë mbeta me villain tim,Sabriun.

Po bëhej ftohtë dhe jemi lëshuar te shtëpitë e Ivajës, ku kemi qëndruar deri në mëngjes. Mandej kemi shkuar në Sllatinë, ku ka ardhur e më ka mjekuar Dr. Xheladin Reҫica, por ai më këshilloi të shkoja, si të mundesha, në fshatin Sherret, afër Ferizajt, pasi atje do ta kishte më të lehtë të më vizitonte e të kujdesej për plagën time. Kam shkuar në Sherret më 12 mars dhe jam vendosur te Nexhmedin Haliti,ku më ka dhënë ndihmë Milaim Avdyli, e pas tij ka ardhur edhe Basri Bislim, I cili më ka vënë gips për mbajtjen e krahut. Pas një kohe kam dalë në Tetovë, ku jam shtruar në spital dhe atje, deri sa më është mbyllur plaga e më janë ngjitur eshtrat, për mua është kujdesur Dr. Rrahim Thaҫi. Në shtëpi jam kthyer më 13 qershor 1999.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen