Donnerstag, 6. März 2014

Fakete Rexha - Kur përfundon fëmijëria

Ishte e bukur barabartësia, drejtësia!. Pa to, nëpërkëmbëshin gratë.

Gratë sakur ndodhte të ngjiteshin me barrë, nuk abortonin. I lindnin fëmijët. Fëmijët ishin pasuria, nderi, hijeshia, drita, muzika e familjes. Madje, fuqia - për gratë. Për dallim prej atyre që s'lindnin e shikoheshin me dhembshuri. E, në disa raste edhe si ogurzeza, ndaj mbaheshin larg meq shiheshin me një sy tjetër. Në kohën e fëmijërisë sime të vogël, aborti si veprim ishte ende në dorën e botës mashkullore që ua kufizonte grave, ose edhe i privonte nga pavarësia, integriteti fizik e respekti. Kurse, gjenerata të tëra fëmijësh të asaj kohe, ishim fryt i marrëdhënieve të dhembshme martesore. Ku, baballarët tanë ishin pushteti, kontrolli, aparati sipas të cilit udhëhiqeshin nënat tona, duke ua lëshuar atyre në dorë trupin, mendjen, shpirtin dhe fuqinë. Dhe, prandaj, ndoshta kaq e papranueshme çështja e abortit. 

Kështu, e vetmja kënaqësi që u mbetej nënave tona ishte ndjenja e pronësisë mbi fëmijët. Ndjenja e dëshiruar e pritjes së lumtur, që përfundonte me një takim. Takimi me tjetrin. Atë tjetrin e saj. Si ajo vetë. Fëmiun. Por, që edhe kjo varej nga gjinia. Unë, njoha në fëmijërinë time baballarë. Burra të grave që s'kishin patur fatin të lindnin djal. Edhe asish që kishin nga pesë-gjashtë vajza, e vetëm një djal. Nëna, që s'kishin patur fatin të lindin vajza. Ose, shumë djem dhe vetëm një vajzë. Në rastin e par, brenga ishte e burrit, e edhe më torturuese, përbuzëse, e nënshtruese pozita e gruas. Në të dytin, pushteti dhe fuqia ishin të gruas, por aspak e rëndë dhe brengosëse pozita e burrit. Xhelozia prej babai në rastin e parë, ndaj gruas dhe vajzave, ishte aq e verbër, joteleruese deri në egoizëm dëshpërues. Kurse, në rastin e dytë, krenaria e babait dhe pushteti i nënës,dy gjëra që flinin aq bukur, aq pajtueshëm në njëra-tjetrën. 
Unë u linda në një lagje shumë të madhe të Gjakovës. Ndër më të vjetrat. Lagjja e Mulla Jusufit. Familjet e mëdha, shumëanëtarëshe. Derisa u rrita, në lagje njoha vetëm familjen e mësueses sime që kishin katër fëmijë. Tjerat kishin shumë më shumë se kaq. Unë, isha i dhjeti fëmijë i gjallë që u linda. Edhe dy vëllezër u lindën pas meje. Pra, dymbëdhjetë fëmijë. Dy vëllezër dhe një motër, kishin vdekur të vegjël nga sëmundjet e fëmijërisë asokohe. Njëmbëdhjetë fëmijë nëna i kishte lindur në shtëpi. Vetëm mua në spital. Kisha qenë e kthyer mbrapsht, d.m.th. "me bythë kah dera". 
Nëna gjatë shtatzënësisë (me mua) s'kishte lënë gjë pa provuar, për të provokuar abortin, tinëz tim at. Plakat e rrugës, akusherja e vjetër e lagjes, e gra të komshinjve i kishin thënë të provonte, të pinte gëzhoja të djegura, të bluara, vezësh, përzier me shkumë të kalit, lëngë fletësh të duhanit të freskët, e s'di çka jo tjetër. Por, siq i thonë në Gjakovë " ymri shah n'veti". Nëna kishte pas shumë dhembje para lindjes sime. S'kishte mundur të më lindte në shtëpi siq i lindi vellezërit dhe motrat e mia. Akusherja e lagjës e kishte udhëzuar për në spital. Atje, lindjen e kishte përcjellë mjeku i përgjithshëm. S'kishte gjinekolog, siq s'kishte as mjekë tjerë të specializuar, asokohe në Gjakovë. 
Dhe, u linda e trashë plumb, e bardhë si sheqeri. Ndëgjoja nënën shpesh kur u thoshte grave të komshinjve për mua: kjo është këmbësheqere, se mi solli edhe dy djem mbrapa. Kur u takova me nënën, e gjeta të lodhur nga lindjet, punët shtëpiake, puna e dorës me porosi, dhe mosha që s'i kishte moshë, njomësi as freski. Unë dhe ajo kishim dyzetë vjet ndërmjet. Ishte e bollshme nga shëndeti. Por, shumë e hollë nga mendja.
Kurrë nuk e pashë shtatëzënë. Por, duke qarë e pava veç një herë. Para pasqyrës vendosur mbi minder, veshur me fustanin prej mëndafshi të kaltër, me pulla sedefe rozë. Ulur, krihte flokët e gjata boje trëndafili të mbyllur. Sigurisht, e kishte kuptuar se kësaj radhe e kishte vonë. Tepër vonë të ndërmirrte çfarëdoqoftë. Dhe, s'i kishte mbetur përveqse të pajtohej.
Po krihej dhe po qante me barkun deri te buza
.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen